Në prezantimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të 10 viteve të reformës në drejtësi, duke deklaruar se ajo ka sjellë rezultate që më parë as imagjinoheshin. Sipas tij me reformën në drejtësi u shemb kulti 100-vjeçar i pandëshkueshmërisë. Rama tha se gjatë kësaj dekade janë shfaqur edhe dështime dhe deformime, të cilat siç tha nuk mund të fshihen pas rezultateve të reformës.
“Në 2016, Kuvendi ktheu në akt aspiratën më të guximshme të programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Ndryshuam Kushtetutën dhe ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik, pas një varësie që kishte zgjatur qysh nga dita e themelit të shtetit shqiptar.
Reforma në drejtësi ngriti një arkitekturë krejt të re, krijoi institucione të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, struktura për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sistem pagash më të larta se maja e piramidës shtetërore dhe një proces vetingu.
Sot, pas 10 vitesh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë që dolën. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin jo vetëm të pamundura, por as nuk imagjinoheshin, por kemi parë edhe dështime dhe deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve.
Barra e kthesës së madhe përmes reformës ia ka vlejtur të gjithë qiranë. Një fjali i përmbledh të mirat e kësaj reforme, sa brutale dhe dobrurëse: në 10 vjet shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live









