Ndërsa kundërshtimet ndaj draftit të ri për reformën territoriale po shoqërohen me protesta në disa bashki të vendit, deputeti socialist Erion Braçe apelon që procesi të mos mbetet vetëm një diskutim teknik, por të shoqërohet me dëgjesa dhe debat me qytetarët e zonave që preken nga ndarja e re.

Në një reagim në rrjetet sociale të premten, Braçe u ndal te Poliçani, Divjaka dhe Libohova, tre bashki që sipas draftit të socialistëve parashikohen të shkrihen, duke kujtuar lidhjen e tij me këto zona dhe duke theksuar se secila prej tyre ka historinë, identitetin dhe zhvillimin e saj. Ai tha se protesta e zhvilluar në Poliçan ku disa qytetarë dogjën teserat e PS-së, reagimet në Divjakë dhe kundërshtimet e shprehura në Libohovë tregojnë se qytetarët duan të dëgjohen.

Reagimi i Braçes vjen pasi projektligji i socialistëve për reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka nxitur protesta në disa zona të vendit, mes tyre Poliçan, Klos dhe Dimal.

Reagimi i plotë i Erion Braçes 

" Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar administrativo-territoriale. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq.

Tri bashki me të cilat unë kam një lidhje të posaçme, Poliçani, vendi ku jam zgjedhur për herë të parë deputet; Divjaka, vendi ku jam zgjedhur për 12 vite deputet (nga Poliçani në Divjakë gjithmonë me votë të drejtpërdrejtë); Libohova, vendi i origjinës  shkrihen dhe bëhen pjesë e bashkive të tjera.

Dita u bë më e vështirë pas protestës në Poliçan, të banorëve atje, socialistëve me ta; pas fyerjeve të disa portaleve të Lushnjës ndaj Divjakës, të papranueshme e të padenja, veçanërisht kur mëson se ndonjë prej tyre është i lidhur me Bashkinë e Lushnjës; sot, kur kryetari i Bashkisë së Libohovës, në stilin e mirënjohur kombëtarisht të saj, thoshte të tijën si kundërshti, qetësisht, në mënyrë të argumentuar dhe qytetarisht. Në Libohovë thonë: “Ngrije zërin aq sa fjalët e shtëpisë të mos i dëgjojë gjitoni.”

Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta, me njerëzit pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t’i debatojmë me ta, të reflektojmë! Ky është detyrim i procesit.

Kini parasysh se nuk kemi të bëjmë me tri njësi administrative të humbura e të mbaruara. Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914, ka qenë aty që nga shekulli i katërt para erës sonë; ka qenë qytet përherë, siç thoshte Moikomi i Madh: “Nuk ka fshat me kala dhe kullë sahati.” Divjaka, apo Arnisa e Përjetshme, ka qenë aty në 500 vitet e fundit e më herët; është zhvilluar aq shumë në 12 vitet e fundit nga pikëpamja ekonomike dhe e prodhimit, infrastrukturore, sociale, sa e ka bërë shumë herë Lushnjën të duket shumë prapa, mbetur prapa. Poliçani është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, për të cilën jo vetëm flitet, por ka edhe nevojë jetike tani, dhe ai – Poliçani – është gati. Nuk mund të jetë vetëm Tirana ekonomia e këtij vendi në çdo degë.

Pra, duhet qetësi e mençuri për të dëgjuar njerëzit; duhet të dëgjojmë ne së pari, pastaj njëri-tjetrin. Ka argumente plot për të këmbyer dhe ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor"