Reforma territoriale, Fino: Kreu
i qarkut të zgjidhet nga populli

Reforma territoriale, Fino: Kreu<br />i qarkut të zgjidhet nga populli
TIRANE- Ish-kryeministrat Bashkim Fino, Aleksandër Meksi e Ylli Bufi kanë dhënë qëndrimin e tyre për reformën e territorit. Mori pjesë dhe kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho etj. Deputeti i PS Bashkim Fino tha se duhet ndërhyrje në Kushtetutë për realizimin e reformës territoriale. Duke folur në prezantimin e rezultateve të studimit ‘Reforma territoriale nëpërmjet konsultimit të qytetarëve’, Fino theksoi se nuk ka asnjë justifikim politik për mungesën e opozitës në komisionin e reformës territoriale. “Duhet të zgjidhim, nëse do prekim apo jo Kushtetutën për ndarjen e re territoriale.

Sot qarku është jashtë loje. Me kompetencat që ka e kreu i qarkut duhet të zgjidhet nga populli. Për ta mundësuar këtë duhet të preket Kushtetuta. Duhet të prekim Kushtetutën për reformën territoriale–administrative. Në shtator bashkë me hartën e re territoriale, në Kuvend do të shkojnë dhe ndryshimet në ligjin organik të pushtetit vendor”, tha ai. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Fino nënvizoi se: “Eshtë një reformë mbarëkombëtare, ku përfshihet gjithë territori i vendit prandaj duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, dhe të gjithë aktorët politikë duhet të përfshihen në proces”, tha ish-kryeministri.
 
Meksi dhe Bufi
Ndërsa ish-kryeministri Aleksandër Meksi theksoi se kontrolli mbi territorin s’mund të vazhdojë siç është sot dhe se strategjia e re për territorin nuk duhet të bëhet vetëm nga shumica, por nga të gjitha palët politike. “Studimi që u paraqit nga fondacioni “web-shtet” duhet vlerësuar si një hap serioz për thellimin e çështjes. Rreth muajve shtator-tetor ndarja e re administrative duhet të miratohet në Kuvend, pas një procesi gjithëpërfshirës në mënyrë që të mund të shërbejë në zgjedhjet e reja për qeverisjen vendore.

Duhet të jenë rreth 100-110 bashki pas konsultimeve dhe në bazë, do ishin një ndarje normale territori(shteti propozonte në studimin e vet 88 bashki)”, tha Meksi. Ai propozoi 7 qarqe plus Tiranën si metropol e këto qarqe do të ishin Shkodra(Lezhë, Mirditë), Durrësi(Kurbin, Kavajë), Vlora(me Gjirokastrën), Elbasani, Korça, Tirana, Berati(me Fierin) e qarku Dibër-Kukës. Projekti i qeverisë kërkon 6 qarqe. Meksi tha se diskutimi dhe studimi i mëtejshëm duhet të ketë parasysh lidhjet mes krahinave, traditën, interesat e përbashkëta të zhvillimit ekonomik etj. “Krahas qarqeve, të riorganizohen dhe prefekturat si përfaqësuese të shtetit në territor, që mund të mos jenë në të njejtën qendër qarku, për të ruajtur zhvillimin e qyteteve traditcionale.

Por, kjo reformë kërkon reformimin e plotë në kushtet e reja dhe në stadin e sotëm të zhvillimit, procesin e decentralizimit duke ia kaluar shumë nga funksionet qeverisjes qendrore asaj vendore”, tha ai. “Për të shmangur keqinterpretimet se reforma e territorit bëhet me qëllime elektorale, të futet korrektimi kombëtar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa për krerët e bashkive votimi të bëhet me dy raunde. Dhe Këshilli i qarkut e bashkive të jetë i zgjedhur me votën e popullit”, tha Meksi.

Ndërsa Ish-kryeministri Ylli Bufi tha se riorganizimi territorial duhet të shoqërohet me reformë në strukturën e pushtetit vendor. “Kemi qeverisje vendore të fragmentizuar por jo të tejskajshme. Njësitë vendore administrojnë 7% të fondeve publike e 93% e shpenzimeve kryhen nga qeveria qëndrore. Duhet reformë tërësore e reforma territoriale të ecë paralelisht me reformën e decentralizmit. Duhet të ngrihet komitet ndërministror me ministrat përgjegjës për decentralizimin e për ta monitoruar komitetin duhet të krijohet një komision parlamentar”, tha Bufi.

Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie