Ministri i Mbrojtjes, njëkohësisht drejtues politik i Qarkut Lezhë, Ermal Nufi, është shprehur se në raportin e ekspertëve për Reformën administrative-territoriale, nuk propozohet shkrirja apo bashkimi i Bashkisë Mirditë me asnjë bashki tjetër.

Komentet Nufi i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, pas debateve rreth raportit të ekspertëve të PS për Reformën, të cilët dolën në konkluzionin se disa bashki të vogla duhet të bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.

Teksa thekson se nuk është e nevojshme që të ndalemi nëpër debate mbi skenarë që raporti nuk i parashtron, Nufi thotë se e rëndësishme është që energjitë të përqëndrohen te zhvillimi i ekonomisë lokale dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Postimi i ministrit Nufi:

Jo vetëm si drejtues politik i Qarkut Lezhë, por edhe si një njeri me rrënjë të forta dhe krenare në Mirditë, e cila ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një nga krahinat më përfaqësuese të identitetit kombëtar shqiptar – DY FJALË SHKURT mbi debatin rreth raportit të ekspertëve për reformën administrative-territoriale:

E PARA: në asnjë moment, ky raport nuk propozon shkrirjen apo bashkimin e Bashkisë Mirditë me asnjë bashki tjetër. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që mirditorët të shqetësohen nga interpretime që nuk burojnë nga përmbajtja e dokumentit.

E DYTA: Për Mirditën, çështja nuk është të ndalemi nëpër debate mbi skenarë që raporti nuk i parashtron. Ajo që ka rëndësi është të përqendrojmë energjitë te zhvillimi i ekonomisë lokale, përmirësimi i shërbimeve publike dhe krijimi i më shumë mundësive për të ardhmen e këtij komuniteti me vlera të jashtëzakonshme njerëzore, historike dhe kulturore.

Askush nuk fiton duke mohuar realitetin! Mirdita, ashtu si shumë zona të tjera të vendit, përballet me sfida, ekonomike dhe zhvillimore, të cilat njihen prej vitesh. Por pikërisht për këtë arsye na duhet më shumë përgjegjësi. Na duhen më shumë fokus dhe energji se si ta bëjmë atë më të fortë ekonomikisht, më tërheqëse për të rinjtë, me më shumë investime, me shërbime publike më cilësore dhe me më shumë mundësi zhvillimi.