Reforma territoriale-Vasili: Kthimi i ligjit, mundësi për opozitën për të sjellë variantin e saj

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) reagoi sot ndaj dekretit të Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për ndarjen administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, gjatë një deklarate për shtyp mbrëmjen e sotme,
theksoi se mosdekretimi nga presidenti mund të shihet me interes nga opozita, e cila deri në mbledhjen e parlamentit në sesionin e ri mund të hartojë një variant konkret për ndarjen territoriale.
"Kjo është një mundësi, me interes të veçantë jo për maxhorancën, por sidomos për opozitën, e cila deri në mbledhjen e parlamentit besojmë se ka një kohë të bollshme që të përpilojë një qëndrim të ri dhe një variant konkret të saj, përtej bllokimit, obstruksionizmit dhe takticizimit të ngushtë për të bllokuar reformën. Opozita të vijë në parlament me një variant të saj, që do të ishte një mundësi për të diskutuar së fundi për gjëra konkrete dhe për t'u shkëputur nga deklaratat retorike dhe patetike", u shpreh deputeti Vasili, njëkohësisht nënkryetar i LSI-së.
Në deklaratën e tij, ai hodhi poshtë argumentin e përdorur nga Presidenti në dekret se procesi i reformës territoriale ka pasur mungesë transparence.
"Me cilësinë edhe të anëtarit të komisionit të posaçëm mund të them me bindje të plotë që ky proces ka shënuar një transparencë dhe një standard në drejtim të transparencës, e cila duhet të na udhëheqë dhe për shumë projektligje të tjera", tha ai.
Po ashtu, nënvizoi Vasili, procesi ka pasur dhe një dimension shumë të rëndësishëm, atë të shërbimit të madh që i ka bërë kohezionit, mirëkuptimit dhe një konsensusi të madh politik.
"Të gjithë shqiptarët nuk mund të harrojnë se për muaj të tërë maxhoranca e ka pritur me durim ardhjen e opozitës në parlament dhe në komisionin përkatës, ku asaj i ishte garantuar barazia e plotë në vendimmarrje. Dhe vetëm pas muaj pritje, deri në momentin kur maxhoranca, e gjykoi se takticizmi, mungesa e dëshirës dhe obstruksionizmi i opozitës kishte qëllim bllokimin e reformës dhe jo qëllime të tjera konstruktive, ajo eci më tej me procesin që formësoi reformën territoriale", deklaroi Petrit Vasili.
Sipas tij, kjo reformë u mbështet gjerësisht nga një konsulencë ndërkombëtare e kualifikuar dhe nga donatorët që operojnë në vendin tonë, të cilët dhanë mbështetjen e tyre morale, financiare dhe teknike që kjo reformë të realizohej.
"Për ne është e pakuptueshme dhe jemi të keqardhur, që brenda arsyetimit të presidentit ne gjejmë dhe keqardhjen e tij që kjo reformë është e vonuar por dhe që ajo është gabim se zmadhoka njësitë vendore. Por çfarë reforme do të ishte ajo në rast se nuk do kishte një ridimensionim të njësive vendore, pasi copëzimi ekstrem kishte çuar në një primitivizëm në drejtimin e pushtetit vendor dhe po ashtu dhe në një mungesë ekstreme të shërbimeve ndaj qytetarëve", tha Vasili.
Në deklaratën e sotme për shtyp, nënkryetari i LSI-së iu përgjigj dhe interesimit të gazetarëve për çështjen e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.
Sipas Vasilit, qëndrimi i vetëm, i qartë, i drejtë dhe transparent ndaj kësaj ngjarje është ai i mbështetjes së një hetimi të thellë, profesional e të paanshëm, që evidenton qartë gjithshka ka ndodhur, që evidenton qartë fajtorët dhe në konkludimin e tij dhe dënimin e pakompromis të fajtorëve. "Në rast se fajtorët nuk evidentohen askush në këtë vend nuk ka bërë detyrën e tij", shtoi Vasili në fund të deklaratës së sotme për mediat./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë