Reforma Zgjedhore, aleatët
kërcënojnë Berishën me braktisje

Reforma Zgjedhore, aleatët <br />kërcënojnë Berishën me braktisje
TIRANE - Aleatët e Kryeministrit Berisha në qeveri po kërcënojnë hapur shefin e ekzekutivit se mund braktisin koalicionin mazhoritar pas marrëveshjes mes socialistëve dhe demokratëve mbi Reformën Zgjedhore që nuk mori në konsideratë kërkesat e tyre.

Fatmir Mediu, i Partisë Republikane, ka thënë qartë se republikanët do të rishohin koalicionin. Pavarësisht se proporcionali rajonal, që u la në fuqi edhe me ligjin e ri zgjedhor, favorizon koalicionet me partitë e mëdha, Mediu deklaroi prerë se nuk ka një bashkëpunim apriori me demokratët. “Do të shikojmë çdo lloj mënyre që ka të bëjë me jetën dhe rezultatin e Partisë Republikane, pastaj të tjerat janë krejt sekondare”, tha ai. Ministri i Mjedisit është shprehur se janë mundësitë për rishikimin e sistemit edhe në shtator nëse ekziston vullneti.

Edhe PDIU, përmes një deklarate për shtyp, kritikoi ashpër duopolin PD-PS. “PDIU shpreh indinjatën për marrëveshjen e fundit elektorale të gatuar nga duopoli PD-PS, e cila, për nga natyra e procesit të reformës, por dhe nga rezultati, është një vazhdimësi e ujdive të bëra gjatë gjithë dy dekadave të fundit të pluralizmit shqiptar dhe nuk sjell asnjë përmirësim thelbësor në institucionin themelor të demokracisë, atë të zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDIU, “kjo reformë nuk nxori mësim nga pësimet e mëparshme të zgjedhjeve shqiptare, por ishte një tjetër allishverish, që thjesht përpiqet t’i hedhë hi syve ndërkombëtarëve. Ajo nuk e ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor, që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve dhe faktorëve të rinj në garën politike duke bllokuar pluralizmin dhe qarkullimin e elitave në vendin tonë”.

E pakënaqur nga Reforma është edhe aleati kryesor i Berishës, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Nënkryetari Petrit Vasili, gjatë një intervistë dje në studion e TV A1Report, nuk fshehu faktin se forca politike që përfaqëson do të vendosë në vjeshtë mbi fatin e koalicionit qeveritar, pasi të zhvillojë një bilanc të përgjithshëm në konventën e shtatorit. Vetëm atëherë LSI do të vendosë nëse në zgjedhjet e ardhshme do të paraqitet e vetme, në koalicion me PS apo do të qëndrojë me demokratët. Vasili pohoi se të gjitha opsionet do të merren në konsideratë.

LSI duket e pakënaqur me Partinë Demokratike për dy çështje të rëndësishme për vendin: reforma zgjedhore dhe heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, ku varianti i ligjit të propozuar nga LSI ndryshon nga ai i PD.

I pyetur mbi presionet e ushtruara ndaj aleatit të madh, Vasili tha qartë në A1Report se “presioni i fortë ishin firmat që hodhën 26 parti” dhe bashkimi i LSI me ta.

Sipas tij aleanca në 2009 u ndërtua në bazë të vendimeve të forumeve. “Edhe në 2013 këtë rrugë do të ndjekim”, shtoi ai.

Shefi i qeverisë për momentin nuk ka reaguar publikisht ndaj kërcënimeve të aleatëve, por dje gjatë një konference për shtyp tha se në tratativat me socialistët “çdo germe shihej me lupë” dhe se “nuk kam unë tagër të them se do hapet përsëri reforma” për të kënaqur edhe partitë e vogla.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë