Reforma Zgjedhore, Klosi: Dyshoj se në mbledhje do kemi përplasje! Sula: Do jem i pranishëm, kërkojmë zëvendësimin e Alibeajt si bashkëkryetar

Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore që pritet të zhvillohet ditën e nesërme (19 janar), ka mbizotëruar zhvillimet politike në Shqipëri. Gjatë diskutimit për ndryshimet që mund të sjellë ky komision në kodin zgjedhor, deputeti i PS, Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv tha se dyshon se nesër opozita do ndjekë të njëjtin skenar kaosi në mbledhjen e komisionit.

“Dyshoj që nesër do kemi mundësi të flasim për politikë. Dyshoj fort se do kemi përsëri një përplasje jo të argumentit, por të forcës. Kjo do jetë një ngjarje jo e mirë për vendin por sërish është një mundësi që forcat politike të shprehin opinionet e tyre në komision. Nuk dua të bëj orakullin por shpresoj që nesër të kemi një mundësi, moment opinionesh dhe vlerësimesh. Komisioni i Reformës Zgjedhore është një komision i ngritur ad-hoc (i posaçëm). Për 3 apo 4 muaj përfundon afati i komisionit të Reformës Zgjedhore. Në këtë sesion parlamentar jemi në kohën jo të përshtatshme, sepse duhet ta kishim bërë përpara”- u shpreh Klosi.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Dashnor Sula tha se do të jetë i pranishëm ditën e nesërme në mbledhje por theksoi se nuk është vënë në dijeni për objektin, ndërsa theksoi se kërkesa e opozitës është zëvendësimi i Alibeajt si bashkëkryetar.

“ Ky komision nga dita e parë kur u konstituua, duhet të kishte bërë të paktën edhe 10 apo 15 mbledhje të tjera. Ishte totalisht e mundshme që të 2 kryetarët Alibeaj dhe Gjiknuri të implementonin një vendim të gjykatës Kushtetuese. Ka një vendim që duhet të bëhet e mundur vota e Diasporës. Jam anëtar, por nuk di objektin, nuk di rendin e ditës. Mund ta tregoj këtu, ka vetëm njoftimin. Ky është bashkëkryetari që kërkojmë ne ta zëvendësojmë... Ne nuk kemi kërkuar ikjen e Gjiknurit, por zëvendësimin e bashkëkryetarit (Alibeajt) sepse nuk përfaqëson besimin tonë” ”- tha Sula.

Duke ndjekur këtë argumentim të Sulës, gazetari Mentor Kikia tha se komisioni nuk ka patur vullnetin më të vogël për ushtrimin e detyrës. Ai tha se është e papranueshme mungesa e përgjegjësisë që kanë treguar deputetët.

“Ky komision nuk ka patur vullnetin më minimal për të ushtruar funksionin që i kërkohet. Është dashur që ndërkombëtarët të infiltrohen në mënyrë të butë duke shpikur një term të ri për rolin e tyre duke e quajtur ‘ndihmës’ por ata bënë të mundur të mblidhet një komision i tillë. Nga mëngjesi në darkë për këtë flitet dhe ky është sot kryelajmi i ditës. Është e papranueshme që një grup deputetësh që paguhen për këtë punë nuk e bëjnë këtë gjë për 3 vite me rradhë dhe tani vihen në rolin e heronjve për një mbledhje që duhet ta kishin bërë me kohë. Kjo është e patolerueshme për një vend që pretendon se është demokratik.  Mungon përgjegjshmëria që këta deputetë duhet të kenë ndaj qytetarëve”- nënvizoi gazetari.

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tha se duhet që të mos ndryshohet sistemi aktual zgjedhor, proporcional rajonal por theksoi se duhet që vendi të ndahet në 4 rajone zgjedhore dhe jo në 12-tën siç është aktualisht. Sa i takon debatit për përfaqësimin e opozitës, duke qenë se një pjesë e deputetëve pretendojnë se nuk janë të përfaqësuar në komision me Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar, Kume tha se mund të mos ketë bashkëkryetarë, por vetëm 11 anëtarë dhe një kryetar të zgjedhur me votë nga deputetët brenda komisionit. 

Një ditë para mbledhjes që pritet të mbahet të nesërmen në orën 11:00, përfaqësuesit e OSBE-ODIHR kanë bërë thirrje që deputetët anëtarë të komisionit të kontribuojnë për një proces të rregullt parlamentar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:30
Reforma Zgjedhore, ish-kreu i KQZ: Jo ndryshim sistemi, të ketë 4 rajone, jo 12-të! Ja si mund të zgjidhet ngërçi i përfaqësimit të opozitës në komision

 

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume u shpreh se nuk duhet të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor aktual, proporcional rajonal. Në studion e ‘Frontline’ në Report Tv, Kume tha se duhet që sistemi të jetë i njëjti por të zbatohet ndryshe, me 4 rajone zgjedhore dhe jo 12 siç është aktualisht.

“Te kjo pikë jam me atë që tha Blendi Klosi, nuk duhet të ndryshohet sistemi që kemi aktualisht. Nëse sistemi do ishte ky proporcional rajonal por i zbatuar ndryshe, mos të kemi 12 njësi zgjedhore por në 4 rajone zgjedhore. Votimi të bëhet me lista të hapura 100%. Kushtetuta ka një ‘marifet’, thuhet se qytetari ka të drejtë të shprehet në votë parapëlqyese për përfaqësuesin në 2/3 e listës.  Struktura e parlamentit nesër do jetë shumë më afër votës së hedhur. Ndryshimet bëjnë që demokracia përfaqëuese të jetë edhe më e mirë se sot. Po ashtu shton edhe pjesëmarrjen”- tha Kume.

Ai gjithashtu i bëri një thirrje qeverisë dhe opozitës për heqjen e bashkëkryetarëve në mënyrë që të zgjidhet debati që ka kapluar sot opozitën për zëvendësimin e Alibeajt me Bylykbashin.

“Hiqni dorë nga bashkëkryetarët, mos të ketë të tillë. Të vendosë për ndryshimet me shumicë të cilësuar me 11 anëtarë, gjë që e bën bipartizan me pjesëmarrje të 2 palëve dhe komisioni të drejtohet nga një prej anëtarëve”- argumentoi ish-kreu i KQZ.

Ora 22:19
Reforma Administrative, Blendi Klosi: Do rishikojmë numrin e bashkive, mund të reduktohen

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi ka deklaruar mbrëmjen e sotme (18 janar) në emisionin “Frontline” në Report Tv tha se do të ketë një rishikim të Reformës Territoriale të vendit sa i takon ndarjes administrative.

Klosi tha se ka dalë nevoja e rishikimit të kësaj reforme për të zvogëluar numrin e bashkive në mënyrë që të t’u shërbehet më së miri qytetarëve.

Ka qenë deputeti Dashnor Sula ai që e ka hapur diskutimin për ndarjen e re administrative, duke thënë se numri i bashkive mund të shkojë në 20 nga 61 që është aktualisht.

Sula: A e dini se këta po përpiqen të bëjnë një ndarje të re administrative, nga 61 do e çojnë në 20 bashki?

Klosi: Mendoj se kryereforma në Shqipëri është ajo territoriale, ka sjellë 61 bashki shumë më të forta. Nga lëvizja demografike të vendit ka dalë nevoja e rishikimit të reformës territoriale për të kuptuar sesi mund t’u shërbehet më mirë qytetarëve. Ka nevojë që prapë ky numër bashkish të rishikohet për të arritur në bashki funksionale t’u shërbejnë qytetarëve.

Ora 22:01
Dash Sula në ‘Frontline’: Mund të mos jem në politikë pas 2025-ës

 

Deputeti demokrati, Dashnor Sula ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga politika pas vitit 2025. I ftuar në studion e ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Sula tha se më së shumti është i mendimit që të mos jetë në politikë pas përfundimit të mandatit të tij si deputet në 2025-ën kur pritet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. 

“Më shumë s’jam për karrierën politike në 2025-ën sesa jam por deri ditën që do jem në politikë do përfaqësoj gjithë ato qytetarë që më kanë votuar. Dua të përmbush detyrën siç më takon”- tha deputeti.

“Nuk do pranoj kurrë të jem i lidhur me zinxhirë apo të jem i skllavëruar, them falë Zotit që ka disa burra aty që flasin edhe nëse nuk kemi përherë të drejtë por të paktën turbullojmë ujin sepse këtu nuk merret vesh çfarë po bëhet”- shtoi ai mes të tjerash.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër