Në dokumentin e propozimeve të LSI është kërkesa për lista të hapura ndërsa kërkohet transparencë financiare e partive në zgjedhje.
LSI gjithashtu kërkon të forcohet ndëshkimi për cilindo që shet, blen votën dhe e fotografon atë.
LSI propozon që KQZ të hiqet si shkallë e parë e shqyrtimit të ankesave zgjedhore. Qëllimi është shmangia e ankimit administartiv në KQZ dhe ankimi drejtpërdrejt nga çdo subjekt në Kolegjin Zgjedhor.
Propozimet e Grupit Parlamentar të LSI
1. Të forcohet ndëshkimi për cilindo që blen dhe shet votën
Blerja me çfarëdo forme duhet të konsiderohet krim dhe jo kundravajtje penale si deri më sot. Ndërsa shitja e votës apo e kartës së identitetit të mbetet kundravajtje penale.
2. Të forcohet ndëshkimi për fotografimin e votës
Fotografimi i votës nga ana e votuesit duhet të shpallet kundravajtje penale. Dënimi në këtë rast mund të jetë gjoba ose ndalimi i votimit në zgjedhjet e ardhshme. Kur fotografimi i votës bëhet nga komisionerët duhet të jetë e dënueshme me burgim. Kërkesa apo shtërngimi ndaj zgjedhësit për të fotografuar votën të konsiderohet krim.
3. Transparenca financiare e partive politike në zgjedhje
Mos deklarimi, deklarimi i rremë apo moskthimi i parave në buxhet, që rezulton nga auditimi i KQZ mbi zgjedhjet e shkuara e ndalon partinë të regjistrohet në zgjedhje si subjekt zgjedhor. Mos deklarimi i shpenzimeve të kryera pas çdo aktiviteti politik, brenda 24 orëve nga aktiviteti si dhe burimin e parave që mbulojnë atë aktivitet, duhet të dënohet ne gjobë deri në çregjistrim të partisë nga pjesëmarrje në zgjedhje. Çregjistrimi merret si masë në raste të përsëritura.
4.Konkurimi i partive me lista shumëemërore të hapura
Në nenin 163 paragrafi i pestë duheet të ndryshojë si vijon: Menjëherë pas përfundimit të proceduarve për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve sipas rezultatit të votimit duke filluar nga kandidati që ka mbledhur më shumë vota. Pika 6 e nenit 163 duhet ët shfuqizohet. Për këtë duhet të ndryshojë aneksi i Kodit Zgjedhor i cili ka parashikuar ndarjen e territorit në 90 ZAZ. Proopozojmë krijimin e 200 ZAZ sipas ndarjes përafërsisht 20.000 zgjedhës teorikisht për çdo ZAZ të cilave do t’i korrespondonte nga një VNV.
5. Heqja e KQZ si shkallë e parë e shqyrtimit të ankesave zgjedhore
Shfuqizimi i pjesës së 10 të Kodit Zgjedhor i cili parashikon ankimimin në KQZ pët të gjitha llojet e vendimeve. Kjo kërkon amendimin e disa depoziatve të tjera. Qëllimi është shmangia e ankimit administrativ në KQZ dhe ankimi drejtpërdrejt nga çdo subjekt në Kolegjin Zgjedhor.