'Reformatorë' apo 'dashnorë' të heshtur të Berishës

'Reformatorë' apo 'dashnorë' të heshtur të Berishës

Sali Berisha

Vendimi që mori Lulëzim Basha për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së, Sali Berishën, solli jo vetëm tronditje brenda PD-së, por edhe reagime të ndryshme. Për çudi, baza e PD-së, u tregua më e përmbajtur. Ajo, në heshtje, e ka pranuar se SHBA-të janë të pazëvendësueshme për PD-në në veçanti dhe për demokracinë shqiptare në tërësi. Nëse do të ishte ndryshe, do të kishim pasur, të paktën, ndonjë reagim nga rrethet e tjera të vendit, pra ndonjë manifestim në mbështetje të Berishës nga ndjekës të tij. Mirëpo asnjë gjë të tillë nuk e pamë. Shfaqja e atyre 50 apo 100 vetëve më 10 shtator në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë ishte një gjë e pritshme, megjithëse forma që ata kishin zgjedhur për ta nderuar Berishën i ngjante më tepër funeralit politik, siç vinte në dukje M.Baze, sesa triumfit dhe sfidës mbi Lulëzim Bashën e Parlamentin. Deri këtu gjithçka ishte normale, ashtu siç është e natyrshme që politikani më qesharak i tranzicionit shqiptar, Tritan Shehu, ta shoqërojë e të gdhihet poshtë shtëpisë së Berishës.

Ajo që unë, personalisht, nuk e kuptova dot ishte reagimi i menjëhershëm dhe me patos tragji-komik i atyre që deri dje, për humbjet katastrofike të PD-së, përveç të  tjerash, kishin fajësuar Bashën edhe pse nuk distancohej nga Berisha. Grupi i ashtuquajtur për reformimin e PD-së iu vërsul Lulëzim Bashës, duke e akuzuar jo për idetë, por për metodën. Pavarësisht se rezultati i veprimit të Bashës, më shumë se të gjithë të tjerët, duhet të kënaqte pikërisht këtë grup, i cili që pas 25 prillit e kishte gozhduar Lulëzim Bashën dhe e kishte akuzuar për paaftësi, mungesë lidershipi e plotë e plotë të tjera, kjo gjë prodhoi të kundërtën te ky grup. Pas shpalljes « non grata » të Sali Berishës, ky grup, gjithashtu, nxitoi t’i tregonte Lulëzim Bashës se marrëdhëniet me SHBA-të janë mbi çdo interes tjetër të PD-së, duke lënë të nënkuptohej se PD-ja duhet të ndahej nga Berisha. Disa madje i propozonin edhe skemën se si ai ta bënte këtë ndarje, skemë që, në thelb, kishte pikërisht këtë që bëri Lulëzim Basha : largimin e Berishës nga grupi i PD-së derisa të sqarohet situata.

Lulëzim Basha, më në fund, bëri një veprim që ishte në përputhje me ruajtjen e integritetit të PD-së dhe i hapi asaj rrugën që të mos izolohet nga SHBA-të dhe aleatët perëndimorë. Pra qëllimi u arrit. Pikërisht atë që kërkonte ky grup, Basha e realizoi. Mirëpo « reformatorët » iu vërsulën Bashës duke e akuzuar me një mijë e një epitete si « skuth » apo si « njeri që të shet natën e të qan ditën » pse ai përdori metodën që e mori vetë përgjegjësinë. Në fakt, nëse Basha do të kishte dëgjuar « reformatorët » e PD-së, pra që të pyeste strukturat, të bënte një referendum, etj, Berisha nuk do të lëvizte nga grupi parlamentar i PD-së dhe « reformatorët », në këtë rast, do të ishin futur në kaos. Lulëzim Basha i ndihmoi ata duke ua hequr qafe Berishën, por, natyrisht, duke kërkuar me këtë rast që të fitojë edhe ai atë që i kishte munguar- mbështetjen e SHBA-ve.  Dhe kjo është politikisht korrekte.  

I vetmi deputet që veproi me integritet politik ishte Agron Gjekmarkaj. Ai, megjithëse ka qenë jo në një mendje me « reformatorët » e PD-së, nuk u shpreh që në fillim dhe pastaj kur foli mbajti qëndrimin e duhur politik, duke vlerësuar, me këtë rast, anën pozitive të këtij aksioni, pavarësisht se ai veprim prekte themeluesin e PD-së.

Në fund fare, ajo që mbeti nga gjithë kjo histori, sipas mendimit tim, ishte shfaqja e dobët e grupit që kërkon reformimin e PD-së dhe humbja e integritetit të tyre moral. Politikisht, ai grup nuk diti të sillej me zgjuarsi e pa emocion dhe të shfaqte me të vërtetë vizionin që presim të gjithë për fytyrën e re që duhte të ketë PD-ja. Në politikë jo gjithmonë sulmi ndaj kundërshtarit mund të jetë mundësi për të fituar mbi të. Tjetër, qëndrimi ndaj Berishës për shumë e shumë arsye tani u kthye në një vijë ndarëse midis atyre që duan reformimin e asaj partie dhe atyre që duan të përdoret akoma ajo parti për interesat familjare të Berishës. Në këtë rast Lulëzim Basha, i detyruar nga SHBA-të dhe i interesuar mbi të gjitha që të mbetet në politikë edhe pasi ta përzërë Berishën, fitoi kapital politik dhe u tregoi atyre që kërkonin ta reformonin PD-në duke e sulmuar atë me çdo kusht, se ai, në rrethana të caktuara, është më politikan se ata. Ai me këtë veprim i nxori zbuluar të gjithë ata që e kundërshtonin me ose pa të drejtë Bashën. Për fat të keq apo të mirë, mesa duket, ringritja e PD-së do të fillojë jo nga aksioni i « reformatorëve –dashnorë »  të Berishës, por nga Lulëzim Basha.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5