Refuzojnë vetëdeklarimin, 1581
 zyrtarë rrezikojnë përjashtimin 

Refuzojnë vetëdeklarimin, 1581<br /> zyrtarë rrezikojnë përjashtimin 
Deputetë, kryebashkiakë dhe këshilltarë bashkish refuzojnë në masë plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, duke sfiduar ligjin e dekriminalizimit dhe provokuar, në të njëjtën kohë, largimin e tyre nga funksionet publike. Vetëm disa ditë më parë, Shqiptarja.com lajmëroi se, shumica e funksionarëve të lartë nuk kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, ndërsa shumë nga ata që e kanë plotësuar, nuk kanë preferuar t’u përgjigjen pyetjeve më të nxehta, që kanë të bëjnë me raportin e tyre me drejtësinë.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka dalë dje me një bilanc paraprak, sa i takon numrit të zyrtarëve, të cilët kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Sipas KQZ, vetëm 13,9 për qind e funksionarëve të parashikuar në ligj, kanë dorëzuar pranë KQZ formularin e vetëdeklarimit. Konkretisht, nga 1836 funksionarë, kanë dorëzuar formularët pranë KQZ, vetëm 255 funksionarë. Pra, sipas KQZ, 1581 zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor, për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.

Apeli i KQZ  
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kujtuar deputetëve dhe kryebashkiakëve, datën 4 Maji, si afatin e fundit për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vlerësim të faktit se afati përfundimtar për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, është data 4 Maj 2016 dhe numri i subjekteve që ende nuk e kanë dorëzuar, është i konsiderueshëm, kërkon mirëkuptimin e tyre për ta dorëzuar sa më parë formularin”, thuhet në deklaratën e KQZ.

Pasojat
Sipas ligjit për dekriminalizimin, pasqyruar më në detaje në aktin nënligjor për zbatimin e këtij ligji, nëse një funksionar nuk dorëzon formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Ndërkaq, brenda 5 ditëve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës evidenton funksionarët publikë që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit. Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë rast si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Mbetet për t’u parë pas datës 4 Maji se cilët zyrtarë nuk do të plotësojë formularin e vetëdeklarimit.

KQZ këshillon zyrtarët
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kujtuar zyrtarëve që të bëjnë kujdes, gjatë plotësimit të formularit të vetëdeklarimit. “Formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore. Formulari, pasi të jetë plotësuar e printuar, nënshkruar, të depozitohet në KQZ personalisht (dorazi) nga secili funksionar që ka detyrimin për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Formulari i vetëdeklarimit ndodhet ne faqen zyrtare të internetit të KQZ”, deklaron KQZ. 


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!