Regani, fantazma e komunizmit dhe tallja e dosjeve

Regani, fantazma e komunizmit dhe tallja e dosjeve

Ilir Meta

Në shtatorin e vitit 2022 ose më saktë pas më pak se dy javësh, Shqipëria do të nisë sërish të merret me Hapjen e Dosjeve, Çështjen “Meta” dhe gatitjen ndoshta të një ligji të ri, që lidhet me njerëzit, të cilët kanë lidhje me të shkuarën komuniste. Sikur dikush të dijë mirë përpjekjet, fondet, aktivitetet, seminaret që janë bërë për komunizmin, dosjet, lustrimin të kap tmerri për humbjen e madhe të energjisë. Jo sepse janë bërë. Po sepse pothuaj nuk kanë bërë asgjë. Përveçse kanë prodhuar patetikë dhe përfitues. Në fakt, kur pyet një tufë syresh opër të gjithë të shkuarën komuniste është bajagi konfuz. Ka një anektodë të bukur, lidhur me këtë fakt, që e tregonte Reagan, ish-presidenti amerikan, që zakonisht fliste fare shkoqur e thjeshtë për tema të mëdha. [Një grua po e priste Gorbaçovin në Kremlin. Më në fund ai vjen. Ajo e pyet ] “Cili e shpiku komunizmin: Ndonjë politikan apo shkencëtar?” [Ai u përgjigj] “Si të them, një politikan.” [Ajo i përgjigjet], “Kjo ma shpjegon të gjithë atë që nuk kuptoj. Shkencëtari do ta kishte provuar më parë te minjtë”. Në fat Reagan nuk mund të parashihte dot sesa e fortë ishte inercia e komunizmit dhe si do të përdorej në Lindje. Për një fakt: Duket se komunizmi është më “i pranishëm” sot i vdekur, sesa në fakt në të gjallë.

Në fakt, komunizmi në Shqipëri ka qenë në grahma që sapo kaloi mesin e viteve ’80. Vdekja e Enver Hoxhës ishte jo thjesht mbyllja e një epoke, por nisja e një tranzicioni absurd. Kush ka jetuar në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë e pak qytete të tjera në Shqipëri e mban mënd se batutat dhe humori me komunizmin ishin sheshit dhe madje epitetet që identifikonin Enver Hoxhën dhe të tjerë tregoheshin pothuaj haptazi. Kinse përjashtim bënte Blloku, që megjithë mbylljen e kishte “kapur” liberalizmin shumë kohë më parë, ku nomenklatura dhe pinjollët apo të gjithë të lidhurit me të kishin mundësi të shikonin artin-kulturën e botës dhe të ndiqnin modën e huaj, të vizitoheshin dhe të sajoheshin për udhëtime jashtë qoftë edhe për ndonjë dhimbje dhëmballe. Në fakt, atyre u pëlqente kjo status quo. Ata vetë e kishin kapur dekadencën e socializmit dhe u pëlqente të luanin me njerëzit. Shumë pinjollë të Bllokut do të shpërfaqen shumë më modernë se shumica e njerëzve që realisht edhe pa beneficet e tyre ia kishin bërë radiografinë komunizmit. Jo më kot, një pjesë jo e vogël e njerëzve të Bllokut dhe e të përkëdhelurve të tyre janë sërish në pozita dhe e nisën kapitalizimin të parët.

Problemi që trajtohet tashmë është sesa herë politikanët kanë ngërçe u kthehen fantazmave të së shkuarës edhe pse tashmë një pjesë e shqiptarëve e dinë mirë sesi u dëmtuan dosjet. Nëse një ditë do të ketë drejtësi, prishja e dosjeve dhe përmbajtja e tyre do të turpërojë shumë njerëz që bëjnë si të pastër por më shumë ata që kanë vendosur dorë dhe ca më shumë hijenat që i mbajnë dhe i servirin si material kundër personazheve të ndryshme për shantazh e të tjera.

Megjithë ndarjen me komunizmin që e nisëm shpirtërisht që në mesin e viteve ’80 dhe de jure e de facto pas viteve ’90, duket se fantazma ose ajo që institucionet e komunizmit futën te njerëzit nuk do ikte lehtë. Zhgënjimin më të madh e pësuan autoritetet e huaja, kur përshembull një sondazh i realizuar në vitin 2016 nga OSBE për vlerësimin e të kaluarës komuniste dhe vlerëzimin e Enver Hoxhës doli se gati 52% e njerëzve të anketuar mendonin pozitivishtpër atë kohë!!! Ku problemi më i madh për të huajt doli konstatimi se: komunizmi ishte “ide e mirë por e realizuar keq”. Po kishte akoma: rreth 10% mendonin se e keqja ishte e atyre që pasuan Enver Hoxhën!! Duket se rezultati ishte dhe mbetet më shumë pjesë e zhgënjimit që lidhej me drejtimin e dy partive të mëdha PS dhe PD, dhe në formë më të përmbledhur trashëgimisë së PS-së, përkatësisë komuniste të kryeministrit Berisha dhe anti-komunizmit kalp të tij; tashmë edhe dosjes së përfolur të ish-presidentit Meta dhe kaotizmit të kryetarit aktual Rama. Në fakt nuk ishte vetëm rasti i Shqipërisë, që do t’i bënte burokratët evropianë t’i vinin gishtin kokës. Të njëjtat sondazhe në ish hapësirën e Republikës Demokratike Gjermane dhe Poloni do të kishin të dhëna edhe më të larta për nostalgjinë komuniste.

Që komunizmi kanonik nuk njihej realisht në Shqipëri ky është fakt, dalë edhe nga analiza më e thjeshtë cilësore dhe është akoma më shumë fakt, që ne e kemi ende të vështirë ta studojmë, pasi nuk kemi metodologji ose më saktë druhemi të shohim katrahurën që gatuam. Por, se mos vetëm për këtë periudhë: Ende jemi të paqartë për rolin e Zogut dhe periudhën e Mbretërisë, pasi ende nuk dimë të balancojmë të mirat e të këqijat. Luftën e Dytë Botërore dhe karakterin e saj, si edhe kontributin shqiptar, e ngatërojmë edhe më shumë. Fatkeqësisht ne nuk kemi një lloj kontrate sociale që të ndahemi nga gjëra të përcaktuara, që i kanë shkaktuar dëm vendit dhe ende nuk dimë të përcaktojmë se çfarë solli ajo inxhinieri e madhe sociale për vendin. Të ashtëquajturit të Djathtë e shfrytëzojnë si kauzë komunizmin dhe megjithëse kanë dhe drejtuesin e tyre që ka ardhur nga këto rradhë bëjnë si shumë të angazhuar…Të Majtët vazhdojnë lojën, por ndodh jo rrallë, që simbolet komuniste janë krejt hapur në pushtetin e tyre lokal. Në shkollat tona, mësimi për komunizmin është gati banal dhe me shumë paragjykime. Dhe, kjo logjikë ndoqi në fakt dhe ata që dhanë opinionet e atij sondazhit të OSBE-së. Asokohe u shkruajt se njerëzit që kishin votuar për nostalgjinë u konsideruan si të pashkolluar, si hallexhinj por edhe si shumë injorantë. Në fakt, ka pak humor këtu, duke sjellë sërish në fokus njeriun që kontribuoi direkt për Rënien e Perdes së Hekurt. Ja si e shpjegoi dikur Regani këtë fenomen përmes një parabole, por për një publik më të elaboruar:“Si përcaktohet një komunisti? Epo, është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe, si konsiderohet një anti-komunist? Është dikush që kupton Marksin dhe Leninin”.

Kështu vijoi edhe kuptimi që i dhamë në vend problemit të dosjeve për të cilën Shqipëria ka dhe një institucion. Fatkeqësisht, jo pak herë, ndodh që individë të ndryshëm kanë bërë jashtë çdo lloj kriteri moral dhe burokratik nxjerrjen e dosjeve dhe përfoljen e individëve. “E habitshme” është se një pjesë jo e vogël e tyre e furnizojnë direkt PD-në dhe njerëzit e saj që i përdorin si armë kundër kundërshtarëve të tyre. Duke harruar malin me probleme që kanë në mes dhe mbi të gjithë moralin e pastërtisë, një gjë e harruar tek ne.

Paradoksi? Shqiptarët, të lodhur nga kinset, nga mali i spiunëve (shumë nga ne në Tiranë i njihnim dhe i njohim sepse si atëherë dhe sot duken njerëzit që kanë benefice, ata që i ngjisin shkallët nga 5-6 apo ata që marrin rroga dhe shpërblime pa fund) futen në një qerthull nga ku nuk dalin dot. Në fakt, për shqiptarët problemi do të ishte që problemi i dosjeve të merrte udhë një herë e mirë por sot kuptohet se një pjesë jo e vogël i kanë kopsitur dhe këtë e shikon në ankthin e sotëm të Metës, që pret një verdikt, në qetësinë e Berishës dhe njerëzve të tij.

“Në sondazh e shkuara komuniste është renditur shumë më mbrapa sesa shumë probleme të tjera që kanë sot shqiptarët”, tha kryetari i atërershëm i OSBE. Në fakt, sot, problemi më i madh kur koha e Shqipërisë nën komunizëm po barazohet me atë të Shqipërisë demokratike është numri i lartë i të vrarëve për pronat, ankthi i madh i vendi i pazgjidhur; papunësia dhe mundësia e shpresës në një vend me aq burime natyrore si yni.

Ajo, që po i lodh njerëzit, është se do të duhet afat jo i vogël kohor, ku për fat të keq status quo do të mbetet dhe do vegjetojnë dhe do pasurohen sërish  ata që kanë pasur lidhje me komunizmin duke e përdour kinse luftën kundër tij.

Drejtimi politik i pas ’90  që përcaktoi jetën politike të vendit ka shumë gjynahe për Shqipërinë dhe kjo i atribuohet të gjithë pjesës së politikanëve. Për patetikët nuk ka vend, që bërtasin tani për dosjet, sepse do jenë sërish mirë duke puthur duar e këmbë të tjera apo duke ndejtur me falënderime për ambasadat e huaja. Por socializmi apo komunizmi (si e quajmë ne sepse janë dy gjëra krejt të ndryshme), dështoi prej vetë sistemit politik dhe ndaj duht parë me kujdes edhe modeli që po ndjekim. Një pjesë e vendeve kanë nisur me kohë të këqyrin të shkuarën e tyre, ashtu si një metodologji e re për dosjet dhe sidomos dëmtimin e madh që u është bërë të kumtohet ashtu si duhet, pret që të realizohet për të qetësuar shumë shpirtra.

Në një farë mënyre, ashtu si e pësoi socializmi mund ta pësojë çdo formë regjimi që mundohet ta mbajë popullin e vet të ngërthyer në debate artificiale dhe shterpë. Dhe, socializmi e mori goditjen më të madhe pikërisht në atë që mëtonte kinse për vlerat e barazisë, drejtësisë dhe solidaritetit. Ndaj, Regani përdorte parabola për ta përshkruar një falsitet, kurse ne duhet të bëhemi seriozë për një kaluar, që na ngërthyer keq dhe luan me ne me kaq cinizëm…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 20/08/2022 05:20

    Lakmia per pushtet ka qene,eshte dhe do mbetet fatkeqsia ne karakterin,mendesine,sjelljen dhe qendrimin shqiptar,pavaresisht kornizes ideologjike komuniste apo antikomuniste. Shoqeria shqiptare duhet te ndryshoj mundesine e saj per pushtetin,duke e vlersuar jo si perfitim per vete,por si nje sherbim per shoqerine.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë