1769287087_sruooo.jpg

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka shprehur mirënjohjen për pjesëmarrësit, duke thënë se sot ata ‘tronditën themelet e narkoshtetit të Ramaduros’.

Po ashtu Meta teksa e cilësoi protestën e opozitës si madhështore, u ka bërë thirrje policëve, të cilët i quajti shërbëtorë të përulur të kriminelëve, që të ndalin dhunën e pretenduar prej tij ndaj protestuesve.

Meta vijoi më tej duke thënë se Policia shumë shpejt do të japë llogari deri më një për atë që ai e cilësoi si terror kriminal ndaj protestuesve.

Në përfundim Meta shkroi se qeveria Rama është drejt rrëzimit nga pushteti dhe sipas tij, i ka ditët e numëruara.

Postimi i Metës:

Mirënjohje nga zemra mijëra qytetarëve të lirë, të ndershëm dhe patriotë, që tronditën sot nga themelet Narkoshtetin e Ramaduros duke rikthyer shpresën për Lirinë e shpejtë të Shqipërisë!

Shqiptarët dhanë sot një mesazh të qartë force, demokracie dhe vendosmërie për të mbrojtur me çdo çmim lirinë, dinjitetin dhe Atdheun tonë.

Protesta madhështore tregoi në shesh se populli është shumicë absolute përballë një pakice narko-mafioze, që i vjedh dhe ju ka grabitur të ardhmen e tyre!

U bëj thirrje narko-policëve, shërbëtorë të përulur të kriminelëve, që të ndalin urgjentisht rrëmbimet mafioze dhe dhunën ndaj protestuesve paqësorë, dhunë që nuk ka kursyer edhe gazetarët e mediave shqiptare.

Kjo Narkopolici shumë shpejt do të japë llogari deri më një dhe një për një për terrorin kriminal ndaj protestuesve.

Përballje pa kthim!

Ky regjim i kalbur ka mbaruar dhe i ka ditët e numëruara!

FITORE!


Lajmi kryesor:

PD 3 orë protestë, breshëri molotovësh drejt Kryeministrisë, militantët përplasje e gurë drejt policëve te Kuvendi! 11 efektivë të lënduar! PAMJE me dron