Regjisori Anagnosti kthen sytë
nga letërsia..."Koburja nga Evropa"

Regjisori Anagnosti kthen sytë<br />nga letërsia...
TIRANE- Dhimitër Anagnosti, regjisori i njohur shqiptar, pas shumë veprave kinematografike më në fund i kthen sytë nga letërsia. Ai ka publikuar romanin e tij të parë të titulluar “Koburja nga Evropa”, botuar nga “Naimi”. Promovimi i romanit “Koburja nga Evropa” i Anagnostit u organizua dje paradite në mjediset e bar-restorant “Piazza”-s. Për vlerat e këtij romani folën studiuesja Floresha Dado, shkrimtari Nasho Jorgaqi, Shaban Sinani, etj, duke e cilësuar romanin e parë të regjisorit si një vepër të denjë për letërsinë shqiptare.

Ndonëse subjekti zhvillohet në atmosferën e turbullt të Shqipërisë së viteve ’20 të shekullit të kaluar, trazuar nga luftërat ballkanike dhe prania e ushtrive të huaja, në thelb romani “Koburja nga Evropa” është një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të parealizuar, e cila duke e pasur burrin prej vitesh në mërgim, një ditë përfundon në krahët e një ushtari italian që shërben në Himarë. Pikërisht pas kësaj ngjarjeje vjen tragjedia.

Vorbulla e gjykimeve dhe paragjykimeve do të përfshijë familjet nën krushqi, fshatin, për të shkuar pastaj si kumt i mbushur me stisje imagjinare deri në qytetin evropian të Lionit (Francë), ku punojnë e robtohen burri dhe vëllai i kësaj gruaje fatkeqe, të dy miq dhe shokë të ngushtë. Dhe “nyjen” do e marrë përsipër ta zgjidhë jo burri i gruas, por vëllai i motrës. Ai, edhe pse e ka njohur modelin europian të sjelljes dhe bashkëjetesës, edhe pse e ka shkelur edhe vetë besnikërinë bashkëshortore, do ta ndëshkojë motrën në stilin tradicional shqiptar.

Studiuesja e letërsisë Floresha Dado shprehet se “Dhimitër Anagnosti shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit, ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë. Qasjet frojdiane mund t’i japin shpjegim dialogut të brendshëm, të çoroditur, marrëdhënieve të dhimbshme me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë”.

Me tej Dado thekson se, jo vetëm subjekti e bën tërheqës romanin e Anagnostit, por sipas saj “Ajo çka e bën të rrjedhë, të gurgullojë stilin rrëfimtar është edhe fakti tjetër: krahas rrëfimit të drejtpërdrejtë, si dhe pleksjes së tij me përroin e rrëmbyer, që trondit së brendshmi personazhin, vijnë, në ndonjë moment, edhe notat e një lirizmi poetik si jehonë e lirikës popullore mbi bukurinë e femrës”.

Gjatë promovimit shkrimtari Nasho Jorgaqi dhe studiuesi Shaban Sinani janë shprehur edhe rreth faktit se romani “Koburja nga Evropa” mund të ngjallë shumë diskutime lidhur me boshtin kuptimor të tij: a është ai një roman për dramën që solli kurbeti në jetën e shqiptarëve, dje, apo dhe sot? Apo filozofia është më e thellë, lidhur me pushtetin e instinktit mbi vetëdijen e njeriut, në situata specifike? Florehsa Dado shrehte kontretisht rreth ketyre diksutimeve se “Lexuesi është i lirë ta përjetojë si t’i vijë.

Letërsia e vërtetë, që nuk e ka vlerën thjesht tek volumi, por te filozofia që përcjell në mënyrë metaforike, ka aftësinë ta fusë atë në kurth. Sido që ta përjetojë, lexuesi ka të drejtë. Shkrimtari e hap veprën pikërisht për ta futur atë në kurthin e vet. Ky është emocioni i vërtetë artistik, që Dhimitër Anagnosti e sjell befasishëm në prozën e sotme”. 

Regjisori Anagonsti, këtë herë si shkrimtar me ngjarjet e këtij romani duket se kërkon të evidentojë më tepër brishtësinë e qenies njerëzore që mund të thyhet për arsye më të thella që lidhen me dilemat dhe motivet bazë jetësore dhe jo me faktorë të jashtëm.

Regjisori i njohur, Dhimitër Anagnosti, gjatë karrirës së tij është vlerësuar me titujt më të lartë, “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe “Nderi i Kombit” më vonë për kontribute në kulturën shqiptare, veçanërisht në kinematografi. Ndërkohë krijimtaria e tij artistike si skenarist e regjisor është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Korrupsioni, Rama: Prej 10 vitesh nuk është më luftë arnash, kemi gabuar e jemi zhgënjyer

Korrupsioni, Rama: Prej 10 vitesh nuk është më luftë arnash, kemi gabuar e jemi zhgënjyer