TIRANE - Në universitetet të cilave Ministria e Arsimit u hoqi licencën, një nga shkeljet e konstatuara ishte mungesa e regjistrave elektronike dhe regjistrave të cilët plotësohen me dorë. e gjendur për ballë kësaj situate abuzuese, këtë vit me anë të një udhëzimi të ministres Lindita Nikolla u është kërkuar të gjitha institucioneve private dhe publike që të pajisen me regjistra të cilët njihen vetëm nga Ministria e Arsimit.

Këto regjistra, përveçse do të jenë të unifikuar do të kenë të përcaktuar që në fillim se për cilin program studimi do të përdoren. Po kështu, institucionet duhet të përdorin edhe regjistrin elektronik i cili duhet të ketë përpuethshëmri maksimale me regjistrin i cili plotësohet me dorë. “Universitetet të regjistrojnë të gjithë studentët e rinj duke nisur nga viti akademik 2014-2015 e në vazhdim në formë të shkruar (me dore) në regjistrat që do të tërheqë IAL-ja, si dhe në format elektronik sipas formatit të përcaktuar” thuhet në udhëzimin e MAS, i cili ka përcaktuar edhe formatet e regjistrave. Sipas MAS, universitetet duhet të specifikojnë emërtimin e saktë të programit të studimit për të cilin kërkon të pajiset me regjistër.

Ndërkohë një tjetër element i sigurisë së menduar tashmë, do të jetë edhe vulosja e çdo faqe prej regjistrave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve si dhe vendosja e numrave rendorë në çdo faqe, në mënyrë që të mos ketë mundësi abuzimi. Një tjetër pikë e rëndësishme e udhëzimit është ndalimi i korrigjimeve në regjistra, edhe kur ai kryhet personat përgjegjës duhet të mbajnë një proces- verbal për të argumentuar korrigjimin e kryer. “Në regjistër nuk mund të bëhen korrigjime, fshirje, shtesa apo zëvendësime të dhënash.

Për çdo ndryshim, i cili duhet të jetë i mirëarsyetuar, lidhur me sa më sipër, mbahet procesverbal i cili firmoset nga punonjësi i autorizuar, kryesekretarja dhe dekani, që përmban datën, arsyen, dhe shoqërohet me një fotokopje të fletës përkatëse të regjistrit para kryerjes së ndryshimit, me vulën e fakultetit, si dhe fotokopjen e fletës së regjistrit pas ndryshimit të kryer, të vulosur” përcakton udhëzimi. Sa i takon plotësimit të tij, sekretaritë mësimore për çdo student duhet të plotësojnë deri në 42 specifika të ndryshme që nga numri rendor, numri i matrikullimit, dega e studimit, të dhëna mbi identitetin e tij e deri në momentin e tërheqjes së diplomës, apo edhe arsyeve se përse një student ka vendosur të ndërpresë studimet.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja (print) dt.27 Shtator 2014

Redaksia Online
Shqiptarja.com