Është miratuar këtë të hënë projektligji për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që do t'i dërgohet Kuvendit në nisjen e sezonit të ri parlamentar.
Për këtë, do të krijohet një regjistër unik i shtetasve dhe adresave që do t’u krijojë mundësinë emigrantëve që të kenë akses për shërbimet shtetërore direkt nga shtëpia e tyre.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se ky projektligj është premisë për garantimin njëherë e mirë të së drejtës së votës për emigrantët.

“Duke i regjistruar, duke ditur ku jetojnë krijojmë premisën kryesore për të garantuar që shtetasit shqiptarë të kontribuojnë për jetën politike në vend, të kontribuojnë për klasën politike në vend, të kontribuojnë për fatet e vendit, duke vendosur fatet e të ardhmes nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së votës. Një premtim të cilin e trashëgojmë prej kohësh por që është kthyer në një angazhim konkret dhe hapa konkretë të kësaj qeverie për të garantuar njëherë e mirë të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë,“ tha Tahiri.

Ai po ashtu u bëri thirrje emigrantëve që të kontribuojnë në këtë proces.

“Thirrja ime, për qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë është: vëmendje, iniciativë dhe ndihmë për të bërë ç‘është e mundur që këtë proces ta çojmë deri në fund me sukses. Ajo që kërkohet sot nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë është të regjistrohen. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkohet prej tyre që të japin informacionin e tyre kur të kontaktohen nga strukturat shtetërore,” apeloi Tahiri.

Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera do punojnë për të ndërtuar të gjithë diapazonin e sistemit dhe të shërbimeve që do jepen për emigrantët.

Deklaratë për shtyp e ministrit të Punëve të Brendshme, Ditmir Bushati:
Siç e tha dhe Ministri i Brendshëm, ne sot kemi miratuar në qeveri këtë nisëm legjislative të cilën shtresojmë që shumë shpejt Kuvendi do ta mbështesë. Wshtë një nisëm mjaft e rëndësishme, jo thjesht për evidentimin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, por mbi të gjitha është tregues i qartë i vullnetit politik që ka qeveria jonë, mazhoranca jonë, për t’i kthyer mbrapsht borxhin që ka Shqipëria ndaj shtetaseve të vet që kanë kontribuuar për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit gjatë këtyre 25 vjetëve.
Por ky nuk është thjesht një akt i veçuar i qeverisë shqiptare. Po kaq e rëndësishme do të jetë dhe 2016-ta për sa i përket shërbimeve konsullore, të cilat falë vullnetit të qeverisë shqiptare dhe falë një fondi mbështetës, në fund të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të jenë të dixhitalizuara, për të rritur më tej transparencën ndaj bashkëkombësve tanë, për të kufizuar dhe evituar në maksimum rastet abuzive të shpërdorimit të detyrës në ofrimin e shërbimeve, të cilat janë edhe sot e kësaj dite për fat të keq prezentë. Kjo qeveri është e vetëdijshme që gjendja nuk është më e mira e mundshme, apo ajo çka ne dëshirojmë. E gjithashtu përmes dixhitalizimit të shërbimeve konsullore që do të mbyllet si proces gjatë këtij viti, ne synojmë të ndihmojmë edhe procesin e identifikimit dhe evidentimit të shtetasve shqiptar kudo ku ato jetojnë. Për të shkuar gradualisht drejt jetësimit të të drejtës së votës dhe marrjes pjesë në vendimmarrjet kryesore  në Shqipëri.

Po kështu, sot qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen me BERZH-in, për investime masive në bujqësi dhe zhvillimin rural. Është marrëveshja e parë që një qeveri e rajonit apo shtet i rajonit ka me BERZH-in, në këtë natyrë dhe në këtë gamë çështjesh.

Bëhet fjalë për krijimin e miratimit të një mekanizmi kombëtar që do t’i krijojë mundësi aktivizimi të kapitalit të bankave të nivelit të dytë për tre vitet e ardhshme deri në 300 mln euro. Garant për këtë kapital dhe për këto investime në bujqësi dhe në fushën e zhvillimit rural, do të jenë qeveria shqiptare dhe BERZH-i, me marrëveshjen që është firmosur sot.

Pra, kjo nuk është një marrëveshje në kuptimin formal të fjalës diplomatike, apo që është objekt i së drejtës ndërkombëtare, është një nga ato marrëveshje të rëndësishme, që ne presim mbështetjen e shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë, për t’i hapur rrugë krijimit të mekanizmit kombëtar të garancisë, ku të gjithë palët do ta ndjejnë veten të realizuar.

Nga njëra anë investitorët në bujqësi, bankat e nivelit të dytë që do të aktivizojnë kapitalet,  qeveria shqiptare dhe BERZH-i, të cilët do të qëndrojnë garant të investimeve që do të realizohen tre vitet e ardhshme në Shqipëri.

E ritheksoj, kjo është marrëveshja e parë që BERZH-i firmos me një nga vendet e rajonit tonë që është përkatësisht vendi ynë dhe është një marrëveshje e cila do të nxisë jo vetëm një zhvillim të qëndrueshëm, në bujqësi, por nga ana tjetër, synojmë që përmes kësaj marrëveshjeje të rrisim eksportet, të rrisim punësimin dhe kësisoj të zvogëlojmë hendekun që ekziston ndërmjet rajonit tonë dhe vendit tonë dhe kërkesave që duhet të plotësohen dhe në fushën e bujqësisë si një fushë shumë e rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian. Prandaj, në emër të qeverisë shqiptare, për të dy nismat që ne miratuam sot, shprehim besimin që Kuvendi i Shqipërisë do t’i mbështesë në një afat sa më të shpejtë në mënyrë që të fillojnë dhe të prodhojnë efekte konkrete në praktikë.


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)