TIRANË - Në ditët e para të janarit të vitit 2016 do të nisin tryezat publike për reformën në drejtësi për të refelektuar dhe për të gjetur konsensusin në vijim të rekomandimeve nga Komisioni i Venezias. Këto tryeza u paraprinë nga një takim i përbashkët i ekspertëve të nivelit të lartë nga forca të ndryshme politike dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë. Pasditen e së martës u mblodhën përreth dy orë në Kryesinë e Kuvendit ekspertët Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi si përfaqësues të partisë Socialiste, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi nga Partia Demokratike ndërsa ministri i Drejtësisë ka caktuar dy ekspertët Ilir Rusmali e Krenar Loloci.

Në një deklaratë për mediat pas takimit përfaqësuesi i opozitë, Enkelejd Alibeaj, shprehu rezerva për reflektimet e hedhura për diskutim pas propozimeve të Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme për zbatimin e reformës në drejtësi.

“U ndodhëm përpara një befasie që në tryezat e grupit të ekspertëve u hodh një draft i amendamenteve kushtetuese i përgatitur jashtë këtij grupi ekspertësh, siç duket replikuar edhe njëherë historia proceduriale e mëparshme ku një grup ekspertësh përgatisin draft amendamente sipas optikës së tyre që në këtë rast nuk është optika e të gjithëve, nuk është gjithëpërfshirëse dhe kjo është arsyeja kryesore që zgjati dy orë. Por, ajo që është më e rëndësishme është pikërisht kjo gjë, në fakt nuk është se i shërben një lloj sinqeriteti, një lloj konsensusi teknik mes teknikësh apo po të doni një lloj konsensusi politik që produkti nga ky moment e tutje, konvertimi i të gjitha rekomandimeve të Komisioni të Venecias të bëhet nga të gjithë ekspertët, të majtë dhe të djathtë. Kjo ishte befasia më e madhe që realisht nuk e prisnim. Është ajo çfarë kishim kërkuar gjithmonë, barazi mes palëve dhe tjetra, që brumi mbi të cilin të përpunohet draft amandamentet kushtetuese të jetë ky, dokumenti i Komisionit të Venecias nga paragrafi i parë deri tek paragrafi i fundit të merret në analizë të imtësishme nga të gjithë ne”, deklaroi Alibeaj.

Takimi i cili u zhvillua me dyer të mbyllura monitorohet nga OPDAT dhe Euralius.

Pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drjetëse, kryetarët e të gjitha forcave politike të maxhorancës dhe opozitës dhanë dakortësinë për të ndjekur rekomandimet e këitj insititucioni. 

Në janar ekspertë të këtij komisioni do të mbërrijnë në Tiranë, për të ballafaquar sugjerimet e tyre me ato reflektime që ekspertët partiakë dhe ata të ministrisë së drejtësisë do të arrijnë të bëjnë. 

​Në muajin shkurt do të mbërrijë në Tiranë komisionari për zgjerimin, Knut Fleckenstein dhe eurodeputeti Eduard Kukan. Të dy politikanët e Brukselit, do të mbërrijnë për të dhënë dorën e fundit negociatave politike që do të vendosin përfundimisht përmbylljen e reformës në drejtësi. 

Redaksia Online
(U.S/Shqiptarja.com)