TIRANË- Viti 2024 ka shënuar rekord për turizmin me 11,7 milionë vizitorë të huaj që vizituan vendin tonë, me një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023. Kryeministri Edi Rama ka ndarë shifrat në Facebook, duke thënë se kjo dëshmon se Shqipëria nuk është thjeshtë kurioziteti i momentit, por ka shtruar rrugën në rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e e një oferte serioze e të diversifikuar në sektorin e turizmit.
"11,7 milionë vizitorë të huaj ose 15% më shumë se viti 2023, e bën vitin 2024 një tjetër vit rekord që na dëshmoi se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por ka shtruar për së mbari rrugën e saj në rritjen e qëndrueshme në shifra, në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj", shkruan Rama.
Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca apo Britania e Madhe dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta e ka afruar më shumë vizitorë prej tyre.
“Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vetëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”, shkruan Rama.
Rama thotë se vetëm në 9 muajt e 2024, Shqipëria ka gjeneruar 3.8 miliardë euro.