Nënkomisioni për Administratën Publike zhvilloi një seancë dëgjimore me zëvendëskryeministren Senida Mesi, lidhur me procesin e rekrutimeve dhe punën e realizuar në Administratën Publike. Kryetari i këtij nënkomisioni, Alket Hyseni theksoi rëndësinë e reformës së administratës publike ku pa këtë reformë nuk mund të ketë një zhvillim normal të jetës shoqërore të vendit, ashtu sikurse s’mund të ketë dhe integrim.

Gjatë prezantimit, zëvendëskryeministrja foli për përmbushjen e vizionit të qeverisë shqiptare për administratën publike, për procesin e ristrukturimit të institucioneve të varësisë në ministri, me qëllimin dhe fokusin për të pasur një administratë publike profesionale të depolitizuar, të aftë dhe të qëndrueshme.

“Duke qenë se reforma në administratën publike është një nga pesë prioritetet në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për këtë arsye merr një rëndësi edhe më të veçantë”, u shpreh Mesi

Kryetari i nënkomisionit Alket Hyseni, në fjalën e tij, sa i përket reformës në administratë, siguroi mbështetje për realizimin e këtyre objektivave të vendosura për përmirësimin dhe reformimin e saj.

“Jo më kot në të gjitha raportet e Komisionit Evropian i kushtohet një rëndësi të madhe administratës publike, performancës së nëpunësit publik, mënyrës sesi rekrutohet nëpunësi publik dhe shërbimi ndaj qytetarit me profesionalizëm dhe përkushtim. Është një reformë ligjore që po vazhdon me përmirësimin e një sërë ligjesh, me përafrimin e tyre më Bashkimin Evropian, dhe një sërë ligjesh të reja. Kjo reformë është strukturore dhe patjetër që është edhe integruese, kështu që jemi të detyruar ta bëjmë këtë reformë në kuadër të kushtëzimeve apo etapave të ngarkuara nga organizmat ku ne synojmë të aderojmë.”, theksoi Hyseni.