Që pas publikimit të aktiviteteve të ndaluara për zyrtarët e lartë politikë në funksion të fushatës zgjedhore, qytetarët kanë vazhduar me denoncimet e tyre në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mes 19 denoncimeve të qytetarëve është dhe deputeti i PS Alket Hyseni. Qytetari ka publikuar në faqen e KQZ një foto të datës 6 janar ku shfaqet Hyseni me disa oficerë të policisë së shtetit.

 “Asnjë pikë e legjislacionit shqiptar nuk i jep te drejte deputeteve te thërrasin ne takim e te kërkojnë llogari policisë së shtetit. Rasti konkret përbën shkelje te dispozitave ligjore dhe një sinjal negativ për zgjedhjet dhe rolin e Policisë në to, ndaj është në interesin e vetë KQZ-së te reagoje për distancimin nga praktika te tilla dhe ndalimin e tyre ne te ardhmen.”

Ndërsa një tjetër shqetësim, për një tjetër qytetar është bërë maska e kryeministrit Rama me siglën e PS.

“Kryeministri përdor siglën e PS ne aktivitete zyrtare shtetërore, gjë qe automatikisht e bën aktivitetin me natyre partiake. Sigla e PS është përdorur ne çdo dalje te kryeministrit ne aktivitete me fonde shtetërore, ne Tirane, Vlore, Shijak dhe Durrës”-thuhet në denoncim.

Që nga miratimi i vendimit të KQZ për të ndaluar publikimin e disa aktiviteteve në funksion të fushatës zgjedhore, LSI ka bërë 16 kallëzime për kryeministrin, ministrat dhe kryebashkiakët.