Relacioni sekret: Shokët në Vjenë, na thanë se; nga të sëmurët që vijnë këtu për kurim, nuk ka…/ Problemet e përfaqësive diplomatike, në ’76-ën

Relacioni sekret: Shokët në Vjenë, na thanë se; nga të sëmurët që vijnë këtu për kurim, nuk ka…/ Problemet e përfaqësive diplomatike, në ’76-ën

Kooperativa në kohën e komunizmit

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1976, ku ndodhet një dosje (me letra, relacione, udhëzime, telegrame, shënime, raport-informacione, etj.), ndërmjet përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me problematikën që ekzistonte në ato përfaqësi diplomatike dhe çështje të  ndryshme, që dilnin herë pas here, si me personelin e ambasadave, ashtu dhe me detyrat dhe punën që u ishte ngarkuar atyre. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument, që i përket datës 20.3.1976, me një raport-informacion nga të dërguarit e Ministrisë së Punëve të Jashtme në ambasadat e Vjenës dhe Stokholmit, të cilët informojnë eprorët e tyre, lidhur me problemet e shumta që kishin ngritur titullarët e këtyre dy përfaqësive, në takimet që ata kishin pasur me ta. Midis të tjerash në dokumentin në fjalë, thuhet: “Kritikuan zvarritjet që janë vënë re nga ana e ministrisë, për problemin e kuadrit. Dhimitër Karanxha, ka ndenjur dy vjet i transferuar dhe kur e ngriti Sekretari i Organizatës Bazë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministria e Jashtme bëri një telegram, ku thoshte se: “Dhimitri të kthehet në atdhe brenda dy ditëve”.

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ekipi i Ministrisë së Punëve të Jashtme që ishte dërguar në ambasadat e Vjenës dhe Stokholmit, për sektorin e Jashtëm të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me problematikat në ato dy përfaqësi diplomatike

 MBI DISA PROBLEME QË NA NGRITËN SHOKËT E PËRFAQËSIVE NË VJENË DHE NË STOKHOLM

Gjithashtu mund të lexoni

“Përse tre kriminelët më tipikë, Aranit Çela, Rrapi Mino e Zylyftar Ramizi, që pas ’92-it u dënuan me vdekje, gjetën strehim politik, pikërisht në Perëndim…”?! /Refleksione të historianit dhe diplomatit të njohur

“Të përktheje letërsinë e realizmit socialist, ishte aty-aty me vuajtjet në burgun e Burrelit, por më pëlqen Kadareja, poezitë e Arapit dhe…”/ Dëshmitë e poetit e përkthyesit, që bëri 19 vite burg

Në Vjenë.

Gjendja e përgjithshme e kolektivit, është e mirë dhe ka unitet e disiplinë në punë. I kanë dhënë rëndësi edukimit të shoqeve të cilat, janë aktivizuar në çështjet teknike dhe të propagandës. Ngritëm me forcë nevojën e kompletimit të kuadrit të përfaqësisë. E kanë kërkuar në rrugë partie e shtetërore, dhe jo vetëm që s’janë kompletuar por, as nuk ju është dhënë përgjigje nga sektori i kuadrit të Ministrisë. Për këtë problem, shoku Perlat u shpreh kështu: “Në rast se kjo gjë vazhdon gjatë, unë nuk do jem në gjendje që të drejtoj përfaqësinë, pasi nuk kam eksperiencën e duhur. Në përfaqësi janë punë të llojeve të ndryshme. Duke pasur ngarkesë të tillë ne, jemi munduar që të bëjmë pak nga të gjitha, por s’jemi të kënaqur. Disa gjëra, ngelen pa u bërë. Tek disa të tjera, nuk arrijmë që të thellohemi shumë në to. Edhe për problemin e ndjekjes së lëvizjes marksiste-leniniste, jemi deficitarë”.

Kritikuan zvarritjet që janë vënë re nga ana e ministrisë për problemin e kuadrit. Dhimitër Karanxha, ka ndenjur dy vjet i transferuar, dhe kur e ngriti Sekretari i Organizatës Bazë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministria e Jashtme si për inat, bëri një telegram, ku thoshte se: “Dhimitri të kthehet në atdhe brenda dy ditëve”. Kjo, ju është dukur shenjë nervozizmi nga ana e Ministrisë. Veç kësaj, ata harxhojnë shumë kohë me të sëmurët që ju shkojnë. Ministria e Shëndetësisë, ka dërguar një pacient për operacion, në një kohë kur ai ishte i sëmurë me grip dhe kështu ai qëndroi dy muaj në Vjenë dhe pasi u kurua për grip, i’u nënshtrua operacionit. Po kështu një pacienteje tjetër, mjekët austriakë i kishin thënë që të shkonte përsëri pas 4-5 muajsh por ajo, shkoi pas një viti e gjysëm dhe kështu, kura ju fillua nga e para pasi, ajo nuk kishte më efekt. Për këto dy raste janë bërë shpenzime të mëdha që sipas shokëve të ambasadës, duhen ç’dëmtuar.

Ngritën problemin që në radhët e të sëmurëve që kanë qenë për kurim, nuk ka asnjë punëtor ose kooperativist. Ka vend për të parë, për njerëzit që shkojnë atje për kurim. Thanë se herë pas here, ngrenë probleme në organizatën bazë por, asnjëherë nuk marrin përgjigje për to. Të paktën të merrnin një përgjigje, një herë në tre muaj. Ndodh që komunistët i ngrenë disa herë këto probleme dhe atëherë kur nga Komiteti Qendror nuk marrin përgjigje, kalojnë në indiferentizëm. Duhet më tepër dinamikë thanë ata, në raport me marrëdhëniet me Sektorin e Jashtëm të Komitetit Qendror dhe Organizatat Bazë të këtyre përfaqësive. Dhe një telegram që vjen nga sektori ose qendra, na mobilizon. Për problemet e tregtisë, shprehën mendimin se mos ka hyrë një tendencë për të qenë brenda me shokët e Tregtisë së Jashtme. Ka një korrespondencë shumë të madhe, që shpeshherë është e pajustifikueshme. Ka p.sh., telegrame që konfirmojnë biseda telefonike. Dhe kjo ngjan sikur organet e Tregtisë së Jashtme, kanë frikë e ngurrim.

Për këto probleme shokët e këtij sektori, i’a komunikuan me shkrim Zv/Ministrit të Tregtisë, shokut Marko Xega. Shoku Perlat Çaushi, tha se Ministria mendon se: puna në ambasadën tonë në Vjenë, ka një rënie pas largimit të shokut Sokrat Plaka. Këtë e motivoi, me një telegram që jua kishte dërguar Ministria, disa ditë pas largimit të ambasadorit. Këtë gjë ata nuk e kishin pritur mirë, pasi rënia e punës nuk duket në disa ditë. Shoku Perlat, tha se ka kërkuar disa herë që të vijë në Shqipëri por kjo gjë, nuk i është realizuar. U ngritën gjithashtu probleme të tilla, si p.sh., për lyerjen e shtëpive të personelit të ambasadës të cilat, kishin 5 vjet pa u lyer si dhe çështjen e ngrohjes. Kur këto probleme u ngritën në Sektorin e Jashtëm, i’u thanë që t’i zgjidhnin me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Disa miqve që patën nga Komiteti Qendror, ju premtohen gjëra, por që nuk realizohen. Filmat që i dërgojnë këtu, janë të dobët dhe nuk i shfaqim dot. Filmat me luftë dhe ushtarakë këtu, nuk i preferojnë. Zakonisht filmat këtu, i duan ose në gjermanisht, ose në anglisht, pasi gjuhën franceze nuk e zotërojnë.

Ka shumë kërkesa për materiale në gjermanisht, por ndërmarrja e librit, nuk i përgjigjet këtyre kërkesave. Kosovarët, kërkojnë materiale dhe libra në shqip, por nuk kanë. Dhanë mendimin se në ambasada, duhet të ketë shumë të dhëna të reja, për edukimin, shtypin, artin, kulturën, sportin, shëndetësinë, taksat, etj., pasi ka shumë kërkesa për këto punë dhe nga ambasadat nuk është niveli i duhur.  Nga Berlini Perëndimor, ka një kërkesë për xhirim filmash. Libretin e kanë bërë por, shokët e Komitetit Qendror s’na janë përgjigjur. Nuk kuptohet si duhet ky problem sepse, në televizion ka në plan të bëhet një emision 20 minutash për Shqipërinë. Ne na intereson që këtë emision, ta bëjë ndonjë mik i Shqipërisë, sepse atë mund ta bëjë dhe ndonjë armik i ynë, që ne nuk na intereson. Komiteti na dërgoi që të hapnim ekspozitën e arteve që u bë në Paris për 15 ditë, gjë që ishte e pamundur. Pra këto gjëra, duhet të mendohen më mirë. Propozuam që të na dërgohen më shpesh artefakte të antikitetit e mesjetës, për të cilat ka interes dhe jo filma, dhe ekspozita fotografike.

Në Stokholm.

Vlerësuam shkëmbimin e mendimeve me shokët e aparatit. U angazhuan për një thellim të mëtejshëm të stilit të punës. Shokët ishin të preokupuar për punën dhe e cilësuan me vend kritikën, për t’u marrë më mirë me informacionin (Jani, Ivziu, dhe Muhameti). Për cilësinë dhe sasinë e burimeve ku merret informacioni, thanë se ka vend për përmirësim. Si në organizatë ashtu dhe në kolektiv, ka unitet. Materialet që ju kemi dërguar për lëvizjen, i quajtën të pakta. Nxorën detyrën që të mos mbajnë kontakte vetëm me shokët e partive marksiste-leniniste, por edhe me shokët e bazës. Këtë punë, theksuan se do ta shtrojnë në mbledhjen e organizatës bazë. Problemet e tregtisë janë në protokollet e kësaj organizate. Punë e mirë, është bërë dhe me aktivizimin e shoqeve. Punë e mirë është bërë dhe në drejtim të propagandës pasi, janë pakësuar artikujt me përmbajtje armiqësore ndaj vendit tone, në favor të atyre miqësore. Janë mbajtur afër miqtë suedezë dhe po synojmë që të zhvillohet një simpozium për propagandën. Kanë vërejtje për materialet propagandistike që ju shkojnë me vonesë. Komiteti të mbajë parasysh se, ne jemi për zhvillimin dhe shkëmbimin e planeve kulturore me Suedinë. Nga këto vende, miqtë që vijnë në Shqipëri, shkruajnë artikuj pozitivë. Propozuam që t’ju dërgohen në anglisht shkrime të vogla tematike për çështje të caktuara. Në vendet nordike, kërkohen shumë pllakatet prandaj, të shihet mundësia e dërgimit të tyre. Filmat i kërkojnë të shkurtër dhe me përkthim pasi, ato që j’u kanë shkuar, nuk ishin të tillë.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve, do të shkojë sivjet ose vitin tjetër në Gusht. Në këto vende, nuk flitet rusisht prandaj të shikohet mundësia e shpërndarjes së botimeve në gjuhën ruse. Përdoren shumë diapozitivat dhe do të ishte me efekt, dërgimi i tyre. Të përkthehen librat suedezë në gjuhën shqipe. Për këtë, do t’ju njoftojmë. Revista “Hosteni” pëlqehet shumë në vendet nordike, dhe të shikohet mundësia e dërgimit të dy vetëve, për të mësuar gjuhën shqipe. Vlerësuan ndihmën e Sektorit të Jashtëm dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por theksuan se kjo ndihmë duhet thelluar akoma dhe më tepër. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë