Relike e 1876, një shpatë
nga Kryengritja e Mirditës?

Relike e 1876, një shpatë<br />nga Kryengritja e Mirditës?<br>
Abaz Perati, njëri nga koleksionistët dhe tregtar i licensuar i antikave, ka qenë shumë i kujdesshëm në mbledhjen a armëve të të gjitha llojeve, sidomos të atyre të dy apo tre shekujve të fundit: jataganë, dyfekë, kobure, gjyle, sidomos shpata të kavalerisë së fundit të shek XIX, shpata perse, madje edhe damaskine, e pra pa dalluar lloin, gjendjen, apo krahinat se nga vinin. Dhe kishte një të mirë të madhe: ai nuk ndërhynte në “rigjenerimin” e tyre, siç bëjnë rëndom në Pazarin e Krujës, duke u hequr autenticitetin, e madje ndonjëherë edhe duke i sajuar.

Nga kjo pikpamje për atë që bleje në dyqanin e Abazit kishe sigurinë e plotë të një sendi të pafallcifikuar. Shkoja shpesh herë dhe vizitoja thesarin e tij jo vetëm me qëllim kortezie, por për të hequr kuriozitetin e rënies në një gjah të zgjedhur. Mirëpo çmimet në etiketat e ngjitura më krijonin ndjesinë e frenimit të dritës së kuqe në semaforët e kryqëzimit të rrugëve. Sidoqoftë ndonjëherë edhe merreshim vesh.

Në një nga këto vizita më tërhoqi vëmendjen një shpatë e ndryshkur e tipit jatagan pa dorezë dhe pa këllëf. Si e katandisur ne fatin e mizerjes e kishin lënë në një qoshe, ku nuk shëmtonte koleksionet më të fisme, që të mbushin kuletën. E mora në duar pa neveri. Përvoja më ka mësuar që t’u a di sekretet e fshehura, ato shpesh herë të japin një thesar, madje mjaft të madh për njohësit e vlerave reale, që hedhin çmimin me katapultë. Duke e vëzhguar me kujdes pashë disa shenja intriguese në vendet më të rëndësishme. Nuk e zgjata, aq më tepër nga që m’u ofrua një ulje e mirë prej 20%.

Do të jetë e mërzitshme të rri e të përshkruaj ndërhyrjen restauruese dhe ato që bëra për konservimin e saj dhe po mjaftohem duke thënë se gjithshka shkoi shumë mirë, pastaj shkalla e dëmtimit është tjetër gjë dhe të imponon dorëzimin.

E dhëna më e rëndësishme që doli nga pastrimi ishte kartrixhi, kutisëza në formë paralelopipedi tejet të zgjatur në trupin e shpatës, në të cilën kishte një datë: viti 1876. E drejta dyshuese për këdo është: pse vit dhe jo një shifër? Sepse përgjatë trupit të shpatës mund të mos kishte asgjë, ose të aplikoheshin motive floreale, të shkruheshin emra, lutje fetare dhe vite. Viti 1876 lidhet me kryengritjen e Mirditës. E rrallë!!!!!

Por le të vazhdojmë me ato që na intersojnë në këtë shpatë. Dekoracioni në të dyja anët e trupit të saj është i njëjtë, i krijuar me vija të bëra me një daltë ndonja 7-8 mm e gjërë, me pika dhe me një daltë të harkuar thuajse në gjysëm rrethi. Edhe viti është shkruar po me këtë lloj dalte. Nga ana e mbrapme është i njëjti dekoracion, por pa vit. Kanalet e gjakut janë vetëm sa për të thënë.

Dikur ka qenë një jatagan i fismë. Në të tilla raste doreza ishte prej fildishi ose prej kocke të bardhë, nga ato tip “bisht dallandysheje” dhe lidhej me trupin nëpërmjet të një dekoracioni prej argjendi të larë me ar. Një sy i stërvitur mund të dallojë në trupin e shpatës gjurmat e një punimi të tillë. Mirëpo nuk dallojmë shenjat e ndonjë zbukurimi të mundshëm dhe as vetë Zoti nuk do të mundëte ta gjente një gjë të tillë, kaq e dëmtuar është sipërfaqja, madje vende-vende edhe është gropëzuar. Sidoqoftë ka qenë punuar me një çelik cilësor, që dallohet nga tingulli kur e godet lehtas me një metal tjetër.

Ku është prodhuar? Nuk e dimë, por mund të bëjmë paralelizma.

Disa vjet më parë bleva për 800 lekë në Pazarin e Krujës një shpatë, një rrangullinë të vërtetë, nga ato që po t’i shohësh në rrugë, i shtyn me këmbë. Dyshova që në fillim për diçka që mund të fshihej nën trashësinë e ndryshkut. Dhe vërtet, mbas restaurimit doli një kambanare me kryqin sipër dhe me vitin 1831, të shkruar po me një daltë me majë të harkuar, njëlloj si në rastin e shpatës së vitit 1876. Zbukurime të tjera të pikëzuara shtriheshin përgjatë trupit të saj. Edhe nga ana tjetër po e njejta gjë, por pa vitin. Viti 1831 nuk është viti i prodhimit, por viti kur ranë bushatllijtë e Shkodrës. Pra, një shpatë që lidhjet me ngjarje historike. Shitësi më tha se ajo ishte blerë diku nga Lezha. Po ta shohësh me kujdes do të konstatosh se dikur ajo ka qenë një jatagan i fismë, që vërtetohet nga disa dekoracione gjarpërueshe në kurrizin e shpatës. Me kohë jatagani është sharruar, me sa duket për t’u përshtatur në luftimet trup me trup, ose për luftimet në muret e kalave. Doreza duhet të ketë qenë prej briri, ose druri, edhe në këtë rast në formën e “bishtit të dallandyshes”, siç e kanë jataganët. Çeliku ka qenë i një cilësie të mirë. Dallohet nga tingulli që lëshon gjatë përplasjes.

Pra në të dyja rastet kemi elementë identifikues që përputhen. Do ta lëmë origjinën e jataganëve fillestarë nga përshtaten këto shpata. Jo vetëm se nuk na intereson në rastin tonë, por edhe se origjina e jataganëve është disi e ngatarruar dhe edhe literatura nuk e përcakton, duke u mjaftuar me një origjinë diku nga punishtet e Perandorisë. Me që është rasti po e shpjegojmë edhe kuptimin e fjalës jatagan. Është një fjalë e përngjitur, e formuar nga dy fjalë dhe ka kuptimin “një mjet i drejtë shumë perdorimësh”. Jatagani ishte armatimi kryesor i jeniçerëve. Ishin jeniçerët që e futën këtë fjalë në Ballkan, prej nga u përhap pastaj në të gjithë Evropën.

Që këtu kemi origjinën e parë të këtyre dy shpatave, të cilat janë prodhuar diku në punishtet e Perandorisë. Pastaj erdhën këtu. Si? Gjithshka mbetet në zymtësinë e hamendësimit. Ato kanë elemntë tashmë të dëmtuar, që na bëjnë të mëndojmë se në rininë e tyre kanë qenë jataganë ceremonialë, apo dekorativë. Me kohë janë dëmtuar dhe u kthyen në shpata luftarake. Ky transformim është bërë këtu, në trojet tona. Ka një ngjashmëri punimi në këto dy shapata, jo vetëm origjina dhe përshtatshmëria, por veglat me të cilat është bërë transformimi dhe dekoracioni. Në se ajo e vitit 1831 vjen diku nga Lezha, edhe kjo e vitit 1876 lidhet me krahinën e Mirditës, fqinjë më Lezhën. Pra diku aty ka patur një punishte, apo kovaçë, që adoptonte, apo prodhonte shpata.

Kjo çështja e prodhimit të armëve në Shqipëri është mjaft e debatuar, madje akoma rrëmujë nga mendimet e pasistemuara, janë në tronditjen e shoshitjes dhe kësaj nuk mund t’i shmanget edhe ky shkrim.   

Që armë janë prodhuar këtu, këtë na e thotë Nopça. Ai përmend Prizrenin, Janinën, etj. Por nuk jep hollësira. Më shumë hollësi jep Abedin Çaushi kur flet për prodhimin e armëve në Elbasan. Por zejtarët nuk kishin fatura apo rregjistra për të patur meritën e studimit shkencor. Dhe dokumentet janë gurët me të cilët ngrihet kështjella e historisë. Të tjerat janë hamendësime, që kanë fatin e restaurimit, ndërpriten aty ku fillon fantazia. Për prodhimin e armëve në Shqipëri ka botuar një studim edhe Riza Drishti. Por etnografët debatojnë shumë për këtë çështje, duke pranuar prodhimin me “kooperim” vetëm të atyre armëve për të cilat ka dokumente faktikë të pakundërshtueshëm, siç janë negativat e derdhjes, pjesët e papërfunduara, etj. Puna në laborator më ka hapur një mundësi vështrimi më konkret, që bazohet ne teknologjinë e prodhimit. Por nuk e kam menduar akoma për botim. Sidoqoftë mua më lind mendimi: prodhim i plotë i armëve, apo i pjesshëm? Apo punishte të mirmbajtjes? Për të meremetuar ato të dëmtuarat po, e po, i kemi dy raste kur u është mbathur tehu i konsumuar, ndonëse pa e ditur se ku është realizuar ky “restaurim”.

Kjo nuk është për të kënaqur të dyja palët në diskutim.Duke i u kthyer rastit të shpatave. Kemi dy kategori: ato të prodhuara për luftë dhe ato dekorative. Ato luftaraket duhej të ishin të forta për të përballuar ngarkesën e luftës. Për prodhimin e tyre nuk duhej ndonjë mjeshtëri dekoruese, por një punë e mirë kovaçi me përvojë, që t’u ipte fortësinë. Në kohrat e kaluara seicili mashkull ishte i armatosur, pra ishte një luftëtar. Sa të tillë kishin trojet tona? 100000? 200000? Besoj se jo më pak. Në se sicili do të kishte dy shpata, atëhere punishtet që prodhonin shpata kishin një shitje të siguruar. Në të tilla raste patjetër që zeja e prodhimit të këtyre armëve do të lulëzonte. Kur flitej për prodhimin e armëve, a mos vallë ishte fjala për të tilla prodhime, pra përshtatje? Sidoqoftë të dyja shpatat që u morën në diskutim janë të përshtatura nga shpata dekorative, në luftarake dhe padyshim që kjo është bërë në punishtet e specializuara të prodhimit të armëve të ftohta, që kanë funksionuar në ato anë. Pa shiko, shiko!, Këtë çështje në favor të prodhimit të armëve në Shqiperi e ka trajtuar edhe Medi Bushati. Përmendet fshati Spathar në afërsi të Shkodrës dhe mbiemri Spathari, që lidhet me shpatat. Në fshatin Hajmel ka patur pirgje zgjyre nga kovaçanet e prodhimit të armëve të ftohta. Kam shkuar vetë atje, por kam parë pirgje dheu në të cilat po të rrëmoje gjeje zgjyrë hekuri. I kemi analizuar nga pikpamja e prodhimit metalurgjik dhe rezultojnë pozititve.

***

I gjithë ky debat arsyetimesh nuk do të kishte vlerë të plotë në se nuk do të kishte në sfond kryendgritjen e Mirditës të vitit 1876.

Prej kohësh në trojet tona formëzohej lëvizja kundër pushtimit shekullor aziatik. Shpërthimet antiturke nëpër Ballkan, sidomos në Malin e Zi dhe në Serbi tronditën edhe Shqipërinë. Porta e lartë u mund.

Historianët, duke u shtyrë në kohë, thonë se në 14 tetor 1873 u zhvillua në Orosh kuvendi aq i dëgjar me po atë emër. Ndërsa nga Naraçi ku ishin mbledhur në muain dhjetor të po atij viti, ndër të tjera, “Kapedanat, me popullin e Mirditës” i kërkuan Sulltanit që të kthente në atdhe nga internimi djalin e Bib Dodës, pra Preng Bibë Dodën. Ata donin një qeverisje sipas traditës stërgjyshore. Ishte koha e trubullimeve të mëdha. Jo vetëm Mirdita, por edhe krahina të tjera zbraznin armët. Në gusht 1876 Porta premtoi dhe realizoi kthimin në Shkoder të djalit të udhëheqësit të shquar. Por këtë e bëri më tepër për të shmangur rrezikun e një aleance të Mirditës me Malin e zi. Rrethanat bënë që shumë shpejt prijësi i ri ta braktiste Shkodren dhe të shkonte e të bashkohej me kryengritësit mirditorë.

Jehona e kryengritjes se Mirditës doli pertej kufijve të perandorisë dhe u dëgjua edhe në Evropë. Dy ishin shtetet më të interesuara për të, Rusia që donte të zgjeronte ndikimin e saj në Ballkanin perëndimor ku mbizotëronte ndikimi austro-hungarez dhe Italia, e pafuqishme, që kërkonte të shfrytëzonte çdo rast për të vështirësuar rivalen e saj veriore në këtë zonë. Madje qarqe politike me influencë në Itali përhapën parullën: “Ballkani – ballkanasve!” Duke shfrytëzuar arbëreshët ata inkurajuan edhe komitetin me emër “Lidhje për çlirim dhe vëllazërim të popujve të Gadishullit Ballkanik” për të përhapur idenë e krijimit të disa shteteve ballkanike, natyrisht edhe të shtetit shqipar, që do të formonin në të ardhmen një federartë. Ndërsa Viena u mundua ta pengonte ngjarjen e Mirditës, e cila mund të sillte situata të rrezikshme për të.

Në atë kohë mendimi shqipar i kishte të gjitha nuancat e patriotizmit, duke filluar nga çiltërsia e pasionit atdhetar. Kjo ndjenjë flakëriu dhe ndriçoi më tepër në Shkodër. Atje u mblodhën dhe filluan veprimtarinë një grup patriotësh që u shkrepëtinte syri, si Zef Jubani, Preng Doçi, Lorenc dhe Pjeter Gurakuqi, etj. Ata mendonin se kryengritja duhej te merrte karakter politik, drejtimi i së cilës do të ishte hullia e pavarësisë dhe për këtë edhe u munduan. Largpamësia e situatës kërkonte forcë luftarake, pritej përballja me një perandori, pavarsisht nga përkujdesja e startegjisë. E për këtë duhej zgjeruar kryengritja përtej elementit katolik, duke krijuar lidhje dhe duke afruar pranë saj përfaqsues të popullsisë muslimane në Malësi dhe në Shkodër. Në se do të bëhej një kryengritje e përgjithshme dhe këtë e favorizonte edhe situate ndërkombëtare, Porta do të detyrohej të paranonte krijimin e një principate shqiptare autonome, por nën sovranitetin e sulltanit. Ky do te ishte një hap i parë. “Duke vepruar ngadalë, do ta shpëtosh situatën” , thotë poeti latin me origjinë greke, Enius.

Grupi i Shkodrës nxiti Preng Bib Dodën që të haronte planin e krijimit të principatës së Shqipërisë veriore me qendër në Mirditë, e cila do të duhej të kishte përkrahjen evropiane.

U krijuan lidhje edhe me vendet fqinje. Grupi i Shkodrës shfrytëzoi komitetin arbëresh në Kozenca, me anë të të cilit u lidh me qarqet demokratike revolucionare në Itali. Ndër të tjera u këshillua edhe aleanca me sllavët e jugut, si popuj që i bashkonte i njëjti fat pushtimi. Madje pati edhe veprime konkrete kur prifti Preng Doçi shkoi në Cetinjë për të biseduar me burrat e shtetit. Princi i Malit të Zi dha sigurinë për financime dhe furnizime me armë. Por më e rëndësishmja ishte deklarata se Mal i Zi nuk kishte pretendime ndaj trojeve shqiptare.

Kurioziteti për këtë ngjarje kaq energjike do të shtynte këdo edhe tek botimet zyrtare të studiuesve shqiptarë. Në Historinë e Shqipërisë të vitit 1965 do të lexonim ndër të tjera: “Përpara botës u ngrit tani çështja shqiptare”- kështu shkruante në këtë kohë nga Shkodra dipllomati rus Jastrebov. Lëvizja në Mirditë, në krye të së cilës qëndronte Preng Bibë Doda, filloi të fitonte përkrahje gjithnë e më të gjerë në Malësitë e Veriut. Me 27 dhjetor, një kuvend i madh, i mbledhur në Shënpal të Mirditës, lidhi besën për kryengritje. Mbledhje të tilla u bënë në javët e mëvonshme edhe në Kthellë, në Pukë dhe në Malësinë e Lezhës. Shpresat e kryengritësve ishin varur, sipas shprehje së Jastroblevit, “tek gjëmimi i topave në Danub”, dmth tek mundësia e një lufte ruso-turke.

Por vendimi i Preng Bibë Dodës për të filluar në shkallë të gjerë nga veprimet kryengritese qe vonuar shumë dhe u muar në janar 1877, kur Mali i Zi ishte në gjendje armëpushimi dhe nuk kishte ende shenja për shpërthimin e luftës midis Rusisë dhe Turqisë”.

Kështu, Kryengritja e Mirditës ishte një fishekzjarr në qiellin e errësuar të Shqipërisë, pa mundur të kthehet në shpërthim kozmik. Ndërsa udhëheqësin e saj, Preng Bibë Dodën, nuk e shpëtoi nga plumbat e pusisë të vitit 1919, asnjë nga meritat e shquara. 

[gallery]24873[/gallery]

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë