Ekonomisti Edvin Prençe dhe agjenti imobiliar Orgest Beti kanë diskutuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv lidhur me rënien e euros dhe ndikimin e protestave që po zhvillohen në Tiranë në turizëm.
Gjatë fjalës së tij, ekonomisti Prençe e cilësoi rënien e euros ‘pandemi ekonomike’, teksa tha se ky fenomen do të ketë një ndikim të ndjeshëm në ekonomi.
Sipas tij, kursi i këmbimit e ka kaluar vijën e kuqe, teksa bëri thirrje për marrjen e masave nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, për t’i dhënë zgjidhje këtij fenomeni.
Prençe shtoi se rënia e euros është një kosto në vetëvete dhe sipas tij, për këtë shkak sektori i manifakturës ka pësuar një rënie 2-shifrore, duke rrezikuar mbylljen e vendeve të punës dhe ekonominë vendase në tërësi.
“Po ndodh ajo që kursi i këmbimit po pëson... unë e quaj pandemi ekonomike. Mbivlerësimi i lekut nuk duhet ta shohim si zhvillim ekonomik. Treguesit e tjerë e kanë treguar. Pandemi ekonomike sepse e ka kaluar me kohë vijën e kuqe. Efektet e saj po ndihen dhe do ndihen në vazhdim. Në aspektin personal mendoj se do të ketë një rënie edhe më të ndjeshme të euros në muajt në vazhdim. Edhe inflacioni ka filluar të rritet ndjeshëm. Kalimi i vijës së kuqe është që nuk po flitet më vetëm për një kurs normal këmbimi, por dekadën e fundit rënia e kursit të këmbimit ka kaluar 30.1%. Manifaktura ka pasur një rënie 2-shifrore që kërcënon mbylljen e vendeve të punës dhe ekonominë shqiptare. Kursi i këmbimit është një kosto në vetëvete”, tha mes të tjerash Prençe.
Lidhur me ndikimin që protestat që po zhvillohen në Tiranë kanë në turizëm, ekonomisti Prençi tha se është i papërfillshëm.
Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria nuk duhet të bazohet vetëm te sektori i turizmit, pasi sipas tij, ky sektor është i limituar në muaj.
“Unë dua ta shoh në aspektin ekonomik. Mendoj se protestat kanë qenë shumë qytetare dhe nuk mendoj se kanë pasur ndikim negativ, pavarësisht se mund të shiten në atë mënyrë. Prodhimi i Brendshëm Bruto ka një rënie të dukshme. Frika më e madhe është që Shqipëria po kthehet në importues dhe ka një rritje të deficitit tregtar. Shqipëria s’mund të jetë Kroacia që shet shërbimin e turizmit. Mos të harrojmë që turizmi është i limituar në muaj. Ajo që i ka munguar Shqipërisë sot, është ekonomia e qëndrueshme”, shtoi Prençe.
Nga ana tjetër, Orgest Beti pranoi se ka një ndikim të protestave që po zhvillohen në Tiranë, në turizëm.
Por Beti theksoi se turistët, pavarësisht vëmendjes ndërkombëtare që kanë marrë protestat, janë të bindur në vetëvete se Shqipëria është një vend i sigurt ku ata mund të pushojnë.
“Ka një stepje të turistëve për të ardhur në Shqipëri për shkak të protestave. Fakti që protestat janë të zëshme, ku disa nga mediat më të mëdha ndërkombëtare i kanë publikuar, nuk mund ta mohoj ndikimin e këtyre protestave në turizëm. Protesta në vetëvete është një mjet demokratik. Unë këtu në Sarandë, Dhëmi, Jalë kam parë 2 kategori njerëzis. Një pjesë vërtetë kanë qenë të shqetësuar për protestën. Unë personalisht duke u shpjeguar... Turistët me të cilët kemi diskutuar janë të bindur se Shqipëria është një vend i sigurt. S’mund t’i mohojmë shifrat e ministrisë, por s’mund të themi që kjo situatë ka ardhur për shkak të protestave”, tha mes të tjerash agjenti imobiliar, Orgest Beti.
Lidhur me rënien e euros kundrejt monedhës vendase, lekut, Beti tha se ka një perceptim publik se ky fenomen do të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, duke e thelluar edhe më tej kursin e këmbimit.
“Ka një perceptim publik se euro do të vijojë rënien”, theksoi agjenti imobiliar Orgest Beti.
Komente










