TIRANE-Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vdekur 53-vjeçari me inicialet S.S. në autostradën Tiranë-Durrës, gazetari i Report Tv, Arsen Rusta zbuloi të tjera detaje nga vendi ku ndodhi aksidenti.
 
Nga furgoni kanë zbritur tre persona, ndërsa dy prej tyre kanë arritur që të kalojnë autostradën, 53-vjeçari është përplasur për vdekje.
 
Ai është përplasur në xhamin e parë të makinës së deputetit duke humbur jetën në vend, ndërsa për 30 minuta u bllokua qarkullimi.
 
Ngjarja ka ndodhur përballë tregut ushqimor, ndërsa pritet ekspertiza auto-teknike për të zbardhur shpejtësinë me të cilën ka qenë duke lëvizur deputeti i PDIU, Aqif Rakipi.
 
Pak metra nga vendi i aksidentit ndodhet një mbikalim, por tregtarët jashtë kamerave të Report Tv shprehen se nuk i shërben atyre, pasi është larg, ndërsa cdo ditë ata kalojnë në autostradë nga të dy anët.
 
Në fakt shkelja fillon që te drejtuesi i furgonit, i cili edhe pse e ka të ndaluar që të ndalojë për të marrë apo zbritur pasagjerë në autostradë ka shkelur ligjin duke ndaluar dhe zbritur pasagjerët në një xhep.
 
E ndërsa vijojnë hetimet, Prokurori i Përgjithshëm i ka drejtuar një kërkesë Parlamentit për arrestimin e deputetit, që shkaktoi aksidentin me vdekje mëngjesin e ditës së sotme.