Report Tv riktheu festivalin e 11-të që frikësoi diktatorin, çfarë ndodhi mbrëmë dhe surprizat sonte në 20:30

47 vite më pas, arti bashkon në një përqafim muzikor të kaluarën e të tashmen, për t’i rrëfyer publikut në nga ngjarjet më të bujshme të artit në diktaturë. I zhvendosur nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit ku u jetësua në vitin 1972, Festivali i 11-të u rikthye mbrëmjen e djeshme në sallën e BunkArt, përmes ekranit të “Report tv” për të gjithë telespektatorët. Artisti Bujar Kapexhiu merr si dikur timonin e spektaklit e përpiqet të krijojë po të njëjtën atmosferë, edhe pse dama e artit Edit Luarasi nuk është në krah të tij, Marsela Çibukaj  e veshur në fustan të bardh, të njëjtë si i Edi Luarasi dikur, bën që prania e saj të ndihet, përmes kujtesës, mirënjohjes. Nga ana tjetër veshja, skenografia, ndriçimi, madje edhe fjalët kapen dorë për dorë për të ngacmuar të njëjtat përjetime si 47 vite më parë. Por kësaj here emocionet duket se janë më të forta. Festivali i 11-të krahas peshës së viteve mbart dhimbjen e vendimeve të kobshme të Plenumit të Katërt.

 “Asnjë nuk mund ta imagjinonte që pas Plenumit të 4 të Komitetit Qendror,Mihallaq Luarasi,regjisor i festivalit do burgosej. Edi Luarasi,bashkëshortja e tij do dërgohej në riedukim. I njëjti fat edhe për Gaspër Çurcin dhe prezantuesin e festivalit Bujar Kapexhiu. Mjeshtri Aleksandër Lalo do hiqej nga skena dhe do dërgohej në Kukës Qe këngëtari Sherif Merdani do burgosej,që këngëtari Francesk Radi do dërgohej për riedukim në Fushë-Harrëz,Dorian Nini, Justina Aliaj e cila këndoj dhe shumë e shumë këngëtarë të tjerë nuk do shihnin më skenën e festivalit për shumë vite me radhë”, thotë Çibukaj.

Por sa më shumë shtrëngoheshin “prangat” për artin,  aq më shumë duket se vlonte tek artistët dëshira për të krijuar, ndaj ky festival që i rikthen në skenë, vjen si një grusht i fortë ndaj mizorisë së diktaturës. Çdo këngë që këndohet gati gjysmë shekulli më pas, duartrokitjet e zjarrta për atë plejadë artistësh, e lënë të turpëruar sistemin komunist, për qëndrimin që mbajti ndaj artit që buron nga shpirti. Çifti Luarasi, simbol i asaj përpjekje festivalore për t’iu qasur kulturës e artit perëndimor, meriton më shumë vëmendje.  “Do të doja që mos të largohem nga kjo skenë, pa dëgjuar një duartrokitje të fortë për regjisorin e famshëm edhe të talentuar Mihal Luarasi”, thotë Kapexhiu.

Qe e lehtë për publikun e asaj kohe të dashuroheshin me ato ngjyra, me ritmin, me veshjet, tekstet e guximshme. Impakti i parë  ndaj festivalit ishte ngazëllimi, shpresa për një zbehje të dogmave e kjo u reflektua edhe në shtyp. Por kafshata e lirisë, që i ka hije artit të vërtet qe e hidhur për bishën dikaturë, dhe sa hap e mbyll sytë ajo do të fillonte sulmet e njëpasnjëshme.

 “Kush mund ta imagjinonte që këto 20 këngë do të lexoheshin si një kërcënim për themelet e regjimit komunist. Kush mund ta mendonte se të gjithë elementët e këtij festivali do të cilësoheshin si tendencioze për stilin e qartë  perëndimor”, shprehet Marsela Çibukaj.

Operatori Beqir Derhemi sjell dëshminë e tij, vëzhgimet pas syrit të kamera të ngjarjes në paskuinta, ndërsa  zëri i Liljana Kondakçi ndihet i pacenuar ndërsa mrekullon sallën me  “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”.

Në këtë laborator shpirtëror që hedh grepin për të ngacmuar memorien, nuk mungon as zëri i këngëtarëve më të mirë të skenës si Eranda Libohova apo Altin Goci. Më të fortë betejën kundër  harresës e bënë në Natën e parë edhe të rinjtë, si Bledi Polena apo Tiri Gjoci.  Këngët si “Përshëndetje” e Petrit Dobjanit, “Vajza edhe kompozitori” e Suzana Qatipi, apo “Cila stinë të pëlqen” e Valentina Gjonit edhe tek “Duart e tyre” të interpretuar dikur nga Sherif Merdani, ngrohën sallën, emocionuan

E siç do të thoshte kantautori Alban Skënderaj bënë edhe njëherë të besojmë se, “ende ka shpresë”.  Muzika, fjalët e tij i bëjnë homazh atyre artistëve që krijuan e guxuan në kohë të errëta.

 “Ky është një event shumë interesant sidomos për brezin tonë, mua prindërit më kanë fol shumë, se si këngët u bën hit jo për një vit, por për gjithmonë. Këta artistë janë heronj, ndoshta edhe martirët e vërtetë të muzikës shqiptare, prandaj si të tillë duhet kujtuar edhe respektuar gjithmonë”, shprehet kantautori Alban Skënderaj.

Ky kalvar këngësh, emocionesh që troket në kujtesë e ideuar dhe organizuar nga gazetari Carlo Bollino vijon rrugëtimin e tij për natën e dytë, sot në orën 20.30, plot surpriza përmes valëve të ReportTv dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Risjellja e Festivalit të XI 47 vite pas në Bunk'art 1 u mundësua nga sponsori gjeneral, Bankers Petroleum.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot