Qeveria shqiptare ka dalë kundër dy nismave ligjore të deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili ndryshoi legjislacionin për zonat e mbrojtura dhe krijoi mundësi të reja për zhvillimin e aktiviteteve turistike dhe investimeve në këto territore. Këshilli i Ministrave i ka përcjellë Kuvendit mendimin e tij kundërshtues për dy projektligjet e propozuara nga deputetët Redi Muçi dhe Ina Zhupa, të cilët kërkojnë rikthimin e garancive të mëparshme për mbrojtjen e mjedisit.
Në dokumentin shtatëfaqësh që shoqëron vendimin, qeveria argumenton se kërkesat për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura nuk mbështeten në prova të mjaftueshme shkencore, teknike apo juridike, ndërsa një pjesë e pretendimeve të opozitës janë shqyrtuar dhe rrëzuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.
“Këshilli i Ministrave vlerëson se argumentet e paraqitura në mbështetje të të dyja nismave nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme juridike e teknike për të justifikuar shfuqizimin e ligjit nr.21/2024”,- thuhet në përfundim të dokumentit.
Një nga argumentet kryesore të qeverisë lidhet me pasojat juridike që mund të prodhojë shfuqizimi i ligjit, veçanërisht për lejet, autorizimet dhe procedurat administrative që mund të jenë zhvilluar gjatë zbatimit të tij. Sipas Këshillit të Ministrave, projektligjet e opozitës nuk përcaktojnë qartë se çfarë do të ndodhë me aktet e miratuara deri më tani dhe nëse shfuqizimi do të ndikojë mbi marrëdhëniet juridike ekzistuese.
“Në asnjërin prej projektligjeve nuk përcaktohet në mënyrë të shprehur regjimi juridik që do të zbatohej pas hyrjes në fuqi të tyre, veçanërisht lidhur me dispozitat e ndryshuara të ligjit nr.81/2017, ‘Për zonat e mbrojtura’, si dhe me trajtimin e procedurave administrative apo marrëdhënieve juridike që ndodhen në proces/në vijim e sipër”, theksohet në mendimin e qeverisë.
Ekzekutivi paralajmëron se shfuqizimi pa dispozita kalimtare mund të krijojë pasiguri juridike, ndërsa kërkon që çdo ndërhyrje e mundshme të identifikojë konkretisht dispozitat që synohen të ndryshohen.
Një tjetër pikë e rëndësishme e dokumentit lidhet me zhvillimin e turizmit në zonat e mbrojtura. Qeveria kundërshton argumentin se lejimi i aktiviteteve turistike në këto territore përbën automatikisht cenim të mjedisit, duke theksuar se çdo projekt duhet të vlerësohet individualisht.
“Klasifikimi turistik i një strukture nuk përbën në vetvete provë të ndikimit të ulët mjedisor dhe nuk mund të zëvendësojë vlerësimin e posaçëm të vendndodhjes, përmasave të zhvillimit dhe ndikimeve të mundshme kumulative mbi mjedisin dhe ekosistemet përkatëse”, thuhet në dokument.
Në përgjigje të pretendimeve të opozitës për papajtueshmëri me standardet evropiane, Këshilli i Ministrave argumenton se legjislacioni i Bashkimit Evropian nuk vendos ndalim absolut për çdo aktivitet ekonomik brenda zonave të mbrojtura.
Një pjesë e veçantë e mendimit i kushtohet edhe situatës mjedisore në zonën e Pishë Poro–Nartës, ku është planifikuar edhe ndërtimi i një resorti që nxiti protestat kundër qeverisë, e përmendur në relacionet e nismave të opozitës si argument për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore.
Qeveria vlerëson se rastet konkrete të dëmtimit të mjedisit duhet të shoqërohen me analiza shkencore që provojnë lidhjen ndërmjet ndryshimeve ligjore dhe pasojave të pretenduara.
“Nga pikëpamja teknike, një ‘situatë’ mjedisore nuk mund t’i atribuohet drejtpërdrejt ndryshimit të kuadrit ligjor pa një analizë të dokumentuar të faktorëve shkakësorë, përfshirë kushtet hidrologjike, përdorimin e territorit, presionet ekzistuese dhe ndikimet individuale e kumulative të projekteve”, argumenton Këshilli i Ministrave.
Por argumenti më i fortë juridik i qeverisë lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 31 korrikut 2025. Në mendimin e saj, qeveria kujton se Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar më parë kërkesën e një grupi deputetësh për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 dhe, me vendimin nr. 45, ka rrëzuar pretendimet për cenimin e Kushtetutës dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Klikoni këtu për të parë dokumentin e plotë










Komente
Komento