TIRANË- Delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar, emra të cilët u bënë publik për herë të parë pak para nisjes së Kuvendit. Procesi i numërimit nis në orën 20:00 në selinë blu. Berisha lë jashtë figura të vjetra me kontribut të vyer në parti, dhe fut mes kandidatëve dhëndrin e tij të bashkëpandehur në SPAK, dhe sjell risi, reperin Stresi.
***
Rudina Hajdari, vajza e dhjetoristit Azem Hajdari, i lë vendin e saj në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, vëllait të vogël, i cili mban emrin e babait. Azem Hajdari, është në mesin e 457 kandidatëve të propozuar nga partia, për të qenë anëtar i Këshillit. Për këtë, do duhet të marrë votëbesimin e 1416 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD, në hollin e pallatit të Kongreseve improzuar si qendra votimi.
Gara zhvillohet për 200 vende në Këshill, organi më i lartë vendimmarrës në PD. Për herë të parë kandidon për tu përfshirë në politikën aktive të opozitës, vajza e presidenti të ndjerë Bujar Nishanit, Fiona Nishani. Mes trashëgimtarëve të figurave të rëndësishme në themelimin e Partisë Demokratike, të cilët nuk jetojnë më, në listën e kandidatëve, garon sërish, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi.
Në listën e gjatë të pretendentëve, e cila mbeti sekret deri në orën e fundit përpara votimit, kishte dhe persona që e gjetën veten kandidatë, pa e ditur.
Juristi i njohur, Jordan Daci, reagoi publikisht për të njoftuar se nuk ka dhënë pëlqimin e tij dhe se nuk është anëtar i Partisë Demokratike, një sqarim i domosdoshëm ky sipas tij, në kushtet kur aktualisht po kandidon për një tjetër funksion, të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ku përfshirja politike, do ishte në dëm të tij. Por, pas reagimit të tij, PD u detyura të thotë se nuk bëhet fjalë për juristin Daci, por për një tjetër anëtar të partisë.
Sali Berisha kërkon të fusë në Këshillin Kombëtar të partisë, edhe dy ish-të dënuar, avokatin Besart Logu të gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme, dhe Spiro Kserën, ish-ministër ish ministër i Punës në qeverinë Berisha, i dënuar nga Gjykata e Tiranës për abuzim me fondet e destinuara për komunitetin rom.
"Në tërësi janë kandidatura të propozuara nga degët. Kësaj here një specifikë e veçantë ka qenë se kandidaturat kanë ardhur nga degët dhe në qoftë se e vutë re ju, u votua sipas qarqeve", tha Berisha.
Berisha mban në këshill dhëndrin e tij, të bashkëpandehur nga SPAK në aferën Partizani, Jamarbër Malltezi, ish-drejtuesin e Policisë, Agron Kuliçaj, apo dhe ish-kruyekomunarin e Lazaratit Dasho Aliko, dhe largon ndër figurat historike në PD, si Arben Imami, Aldo Bumçi, apo Voltana Ademi, kryebashkiakja e fundit demokrate në Shkodër.
Surprizë është dhe lënia jashtë këshillin e Andi Mustafai, djali i ministrit të jashtëm Besnik Mustafaj në qeverinë Berisha, i cili drejtoi departamentin e ekselencës në PD dhe ishte fytyra e fushatës mediatike të PD-së në parlamentaret e 2020-ës.
Nga këshilli ikën dy artistë si aktori Julian Deda e regjisori Robert Budina, por Berisha i zëvendëson, me një reper, djalin e ish-truprojës së tij, Sali Lushaj, Stresin.
Delegatët në Kuvendin e PD-së votuan me ngritje dore edhe ndryshimet në statutin e partisë, në të cilën thuajse zhbëhen të ashtëquajturat primare.
Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, i cili është dhe djali i ish-truprojës së SalI Berishës, synon të zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ndërsa vazhdon të publikojë këngë që kanë në thelb dhunën, Stresi thotë se me zgjedhjen e tij si funksionar i lartë i PD-së, ka si qëllim përfaqësimin e të rinjve.
“Kemi ardhur këtu sot me një mesazh shumë të qartë për rininë, jam këtu, Kam marrë iniciativën vetë. Jemi më fuqishëm se kurrë”,- thotë Lushaj.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ‘spastruar’ listën e vjetër të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke hequr na përbërja e vjetër dhe duke mos rikandiduar një sërë figurash nga radhët e demokratëve.
Në një krahasim të listave dhe përbërjes së vjetër të Këshillit Kombëtar, bie në sy fakti se jashtë janë lënë rreth 38 demokratë, të cilët nuk janë përfshirë në listën e re të kandidaturave të propozuara për t’u votuar nga Kuvendi Kombëtar I PD.
Nga radhët e PD bie në sy largimi i Aldo Bumçit, Andi Mustafait, Arben Imamit, Bujar Kapexhiut, Julian Dedës, Robert Budinën etj. Në listë nuk do të jetë më as Rudina Hajdari, por Berisha ka propozuar si kandidat djalin e Azem Hajdarit, i cili mban emrin e të atit të ndjerë. Prej kohësh, Hajdari ka qenë e distancuar nga PD dhe shpesh ka artikuluar edhe kritika në drejtim të lidershipit.
Jordan Daci, juristi i njohur, thotë se emri i tij në mesin e kandidatëve që do të votohen sot në Kuvendin e PD për Këshillin Kombëtar të partisë, është vendosur pa dijeninë e tij.
Ai thekson se nuk është anëtar i Partisë Demokratike dhe kërkon që emri i tij të hiqet nga lista dhe të mos i nënshtrohet votimit, një sqarim i domosdoshëm ky sipas tij, në kushtet kur aktualisht po kandidon për një tjetër funksion, të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ku përfshirja politike, do ishte në dëm të tij.
"Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë. Duke ruajtur respektin për çdo qytetar apo strukturë që mund të ketë vlerësuar emrin tim, si dhe duke falënderuar cilindo propozues që mund të ketë vepruar me mirëbesim, më duhet të shprehem qartë se nuk pajtohem me përfshirjen e emrit tim në këtë proces dhe kërkoj që ai të mos konsiderohet si shprehje e vullnetit tim personal, profesional apo publik.
Aktualisht, zgjedhja ime institucionale dhe profesionale është e lidhur me kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, i qëndroj me përgjegjësi të plotë parimeve kushtetuese të pavarësisë, paanësisë, integritetit dhe mospërfshirjes në veprimtari politike, të cilat janë thelbësore për çdo kandidat që synon t’i shërbejë vendit në një funksion të tillë të lartë kushtetues. Ky sqarim nuk synon të krijojë debat publik, polemikë apo keqkuptim politik, por vetëm të shmangë çdo interpretim të pasaktë mbi pozicionin tim. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e këtij procesi politik, dhe emri im nuk duhet të përdoret apo të interpretohet si shenjë përkatësie, mbështetjeje apo angazhimi partiak. Do të vijoj me seriozitet, përulësi dhe përgjegjësi rrugën institucionale të kandidimit për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, nëse organet përkatëse të emërtesës do të më besojnë këtë detyrë, do t’i shërbej Republikës së Shqipërisë vetëm mbi bazën e Kushtetutës, ligjit, pavarësisë dhe interesit publik", shkruan Daci.
Por, pas reagimit të tij, PD u detyurua të thotë se nuk bëhet fjalë për juristin Daci, por për një tjetër anëtar të partisë.
“Dua të sqaroj diçka në lidhje me kandidimin e avokatit Jordan Daci në listën e Këshillit kombëtar. Nuk bëhet fjalë për avokatin, por për një tjetër person, anëtar dhe kontribuues në PD, që ka të njëjtin emër dhe të njëjtin mbiemër”, u shpreh Ivi Kaso gjatë punimeve të Kuvendit.

Arkimed Lushaj, djali i ish-truprojës së Sali Berishës, Sali Lushaj, garon sot për një vend në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Reperi i njohur Stresi ndodhet sot në Pallatin e Kongreseve, aty ku dhe do të zhvillohet Kuvendi i PD, i shoqëruar nga babai i tij dhe personave të tjerë të afërt.
Vetë Arkimed Lushaj ka reaguar në rrjete sociale duke thënë se qëllimi i kandidimit të tij për në Këshillin e PD është përfaqësimi i të rinjve.






