TURQI- Report Tv sjell pamjet ekskluzive nga operacionet e kërkim shpëtimit të ekipit shqiptar që ndodhet në Turqi pas tërmetit tragjik që la pas mijëra viktima. Siç shihet edhe nga videot, ekipi shqiptar po asiston në një ndërtesë të rrënuar për të bërë të mundur nxjerrjen e personave, pasi ende nuk janë shuar shpresat për të gjetur të gjallë.
Nga Turqia, në lidhje live për Report Tv komandanti i ekipit shqiptar të emergjencave Endrit Cengu tha se ndodhen 24 orë në terren. Deri më tani ekipi shqiptar ja arritur të shpëtojë një fëmijë nga rrënojat, ndërkohë që prej disa ditësh kanë zhvilluar operacionet në një ndërtesë 8-katëshe të rrënuar. Fatkeqësisht nga ajo ndërtesë u nxorën 23 viktima.
“Ndodhemi na Malatya. Operacionet janë zhvilluar çdo ditë 24 orë pa ndërprerje. Ditën e parë sapo dislokuan në Turqi, nën rrënojat arritëm të nxirim një fëmijë 4-5 vjeç. Pastaj për 8 ditë me radhë u stacionuam në një objekt 8-katësh, por u nxorën 23 viktima”, tha ai për Report Tv.
Temperaturat e ulëta thotë Cengu se kanë vështirësuar shumë punën në terren.
"Gjatë natës temperaturat arrijnë në minus 15 gradë, e vështirëson jashtëzakonisht shumë. Situata është shumë më e rëndë, tërmeti ka qenë shumë më i fortë, rrënojat që kemi parë nga ne kanë qenë totalisht të rrënuara. Objekti nga 8 kat ishte shndërruar në 1 kat”, vijoi ai.
Cengu sqaroi se grupi i kthyer sot në Shqipëri që asistoi në kërkimet në Turqi ishte një grup vullnetar. Ai theksoi se asnjë nga forcat e kërkim shpëtimit të dërguara nga Ministria e Mbrojtjes nuk është larguar nga Turqia. Aktualisht janë 73 forca të kërkim shpëtimit dhe mjekë që po asistojnë në operacionet e kërkim shpëtimit në Turqi.