Reportazh/'Çezma e Lekës',televizioni
që transmetonte dasmat e fshatit

Reportazh/'Çezma e Lekës',televizioni<br />që transmetonte dasmat e fshatit
Dikur një televizion, sot një dhomë e mbuluar nga pluhuri i harresës. Jashtë saj qëndron Faik Shako, ish- pronari i këtij televizioni, tashmë i moshuar, rreth të 70-ave.

Teksa fillon të tregojë për periudhën e tij të suksesit në televizion, siç ai vetë e quan, hedh sytë nga kamera, bashkudhëtaren e vetme në atë kohë, por kamera nuk i bindet më të zotit. Dhe Shakos nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta tregojë vetë historinë, edhe pse pak me vështirësi në të folur pasi vitet kanë kaluar.

Gjithçka ka nisur rreth 20 vite më parë, në 1996, në fshatin Bradashesh të Elbasanit. Në atë kohë, atje ka ekzistuar një televizion që transmetonte dasmat, organizimet e fshatit, muzikë popullore, por edhe filmat e kohës, sipas kërkesa të vetë banorëve. Çdo gjë nisi nga një kamera e dhuruar nga pronari në Maqedoni, atëherë kur Shako punonte si kovaç.

“Djali i pronarit kishte një kamera të cilën ma fali mua më pas. Me thënë të drejtën s’më zinte gjumi natën, se jam pak qejfli për këto gjëra. Pasi erdha nga Maqedonia punova me të, dasma e parë ka qenë e vëllait të një shoku, pastaj bëra punë goxha, mora një kamera tjetër. Me atë kam hëngër bukë. Pasi u plaka ia trashëgova djalit të vajzës, nipit tim Mariglenit”- shprehet Shako.

Në raftet e dhomës, e cila nuk është më e madhe se 12m2, janë të stivosura me shumë kujdes kasetat e dasmave, më tej një mikrofon i vjetër, poshtë tij fisha, aparatura dhe në krah të tyre qëndron protagonistja e dhomës, kamera “Panasonic”.I përfshirë nga krenaria Shako tregon se ai i përshtatej vazhdimisht evoluimin të kohës dhe teknologjisë, duke zëvendësuar vit pas viti kamerat me ato të modeleve të fundit.

Ndoshta atëherë, entuziast dhe pasionant nuk i kalonte aspak në mendje se një ditë edhe kamerës së fundit do t’i vinte koha që do të mbetej thjesht një kujtim në raft. Një kujtim që nuk ishte e thënë të trashëgohej brez pas brezi, bashkë me pasionin për televizionin. Fati nuk donte që çifti Shako të kishte djalë, megjithatë dëshira e tij për të parë pasionin duke marrë jetë tek dikush tjetër, e bëri atë që të mundohej shumë për t’ia transmetuar djalit të vajzës, Mariglenit.

Teksa po ngjiteshim në çatinë e shtëpisë, 70- vjeçari hodhi menjëherë sytë nga kodra dhe me gishtin tregues veçoi antenën e vogël transmetuese të televizionit “Çezma e Lekës”, e cila qëndronte përbri antenës së Televizionit Shqiptar. Ish- pronari, siç njihet nga banorët e zonës, na thotë se emri i televizionit nuk është vendosur rastësisht, ai ka një histori.

“Shumë pranë shtëpisë, ndodhet një çezmë e ndërtuar kohë më pare dhe sipas legjendës,pranë kësaj çezme jetonte një grua që quhej Lekë, emrin e së cilës mori dhe televizioni”- u shpreh Shako.

Nuk kishte dëgjuar kërkesën e kryetarit të komunës për t’ia vendosur televizionit emrin “Bradashesh”, ashtu si vetë fshati, që ndodhet në hyrje të Elbasanit. Sipas tij, një televizion i ngritur nga dëshira dhe puna e tij personale nuk kishte pse të kishte një emër të vendosur nga kryetari i komunës.
Kryefjalë e ditës për të ishte televizioni.

Përveç dasmave, që shpeshherë filmoheshin nga ai vetë, por edhe nga kameramanë të tjerë të fshatit, të cilët kishin dëshirë të transmetonte te “Çezma e Lekës”, programacioni ishte i mbushur edhe me muzikë popullore e filma. Për të pasuruar edhe më tej arkivën, që të mos refuzonte asnjë kërkesë të bashkëfshatarëve të tij, Shako merrte rrugën e gjatë drejt Tiranës dhe adresë të vetme kishte Televizionin Shqiptar, ku pajisej me filmat dhe muzikën e kohës. Edhe pse pronari i “Çezmës së Lekës” nuk fitonte pothuajse asgjë, shpeshherë i duhej të përballej me pakënaqësitë e bashkëfshatarëve, në rastet kur kërkesat përkonin në të njëjtin orar.

“Ai që donte jepte 1000 lekë, ndërsa të tjerët jo dhe nuk kishte ndonjë gjë se unë televizionin e bëra për qejfin tim”- sqaron 70-vjeçari.
Pavarësisht të gjithave, atij asnjëherë nuk i mungoi mbështetja e tre vajzave të tij dhe bashkëudhëtares së jetës. Dhe kjo sigurisht që e nxiste më tepër për të vazhduar.
Mbase Faiku asnjëherë nuk e kishte menduar që emri i tij dhe emri i televizonit do të bëheshin të njohur për zonën rreth e rrotull brenda pak kohësh. Kur televizioni arriti të kapte sinjal përtej Bradashesit, në fshatrat Shion, Balldre dhe Katundiri, ‘fama’ e tij filloi të përhapej edhe në Elbasan.

“Faik Shako është burrë zotëri. Atë që ka bërë ai, nuk besoj se do ta bënte njeri tjetër”- shprehet Agim Garunja, me profesion shofer, duke admiruar iniciativën që mori ai vite më parë. Por si çdo gjë e bukur, edhe “Çezma e Lekës” zgjati shumë pak, vetëm gjashtë vjet. Pamundësia për të paguar taksat bëri që antena e TVSH-së të mbetej e vetme atje lart në mal, pasi “shoqja” e saj e vogël nuk mund të ekzistonte më.

“Unë nuk fitoja shumë, pothuajse siç ju thashë nuk fitoja asgjë, dhe normalisht nuk kisha para që të paguaja taksat. Prandaj më mire zgjodha ta mbyllja. Banorët e fshatit u mërzitën shumë, por nuk kisha zgjidhje tjetër”- thotë Shako dhe fytyrës së tij plot rrudha nga vitet, i shtohet dhe një hije trishtimi.

Thonë se shpresa vdes e fundit, e mesa duket edhe pasioni. Pensionisti Shako jeton ende me dëshirën për të rilindur ‘krijesën’ e tij. Do që emri i tij të mos harrohet. Ashtu siç është trashëguar deri tani,brez pas brezi, legjenda e çezmës së Lekës, ashtu të trashëgohet edhe “legjenda” e Faik Shakos, kovaçit që bëri televizion.

faik shako
 (Faik Shako, ish-pronari i televizionit)


Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit