REPORTAZH/Ksamili mes
rrënimit dhe shpresës

REPORTAZH/Ksamili mes<br />rrënimit dhe shpresës
KSAMIL - Drini, 34-vjeçar, është djali më i ftilluar i Ksamilit. Fjala “i ftilluar” është përdorur në zhargon, sepse, duhet të thuash se Drini, apo Pipuli, siç i thërrasin të gjithë në zonë, është njeriu që në Ksamil di gjithçka për gjithçka që ndodh. Të paktën kjo është përshtypja që të lë të mendosh, kur e takon në momentin e parë. Nëse kërkon të gjesh një plazh të veçantë, Pipuli është aty të të thotë se ku gjendet. Por edhe nëse kërkon të hash ushqim të mirë, Pipuli prapë është i papërtueshëm. Nëse kërkon të akomodohesh diku në Ksamil, atëherë, nëse nuk e ke numrin e Pipulit, do të thotë se nuk ke zgjidhur asnjë punë.

E gjithë kjo parantezë për të treguar bisedën më të fundit me Drinin, tashmë jo në nick-name. Në Ksamil kanë filluar prishjet e ndërtimeve pa leje. “Dreqi e mori, thonë banorë dhe pushues, po këta, tani e gjetën të fillojnë prishjet, kur është kulmi i fushatës së turizmit? Dhe kur në ajër ndihet historia se rradha do t’i vijë dikujt për t’u shkatërruar, e për më tepër, kur gjumi i banorëve, atyre që kanë ndërtuar pa leje, është prishur. Të frikësuar deri në palcë se çfarë do t'u ndodhë me atë dreq shtëpie, që e kanë ndërtuar me shumë mund, por që në fund të fundit e kanë zaptuar. Kanë zaptuar pronën dhe tokën e të gjithëve ne, atë të përbashkëtën.

prishje e ndërtimeve pa leje në Ksamil me logo

(Në foto: Prishja e disa ndërtimeve pa leje në Ksamil)

Na kanë rrëmbyer plazhin, dhe një ndër më të bukurit në gjithë bregdetin e jugut. Ja psh, të vjen “plasja” të shkosh te Pema e Thatë në Ksamil. Para 13 vjetësh, aty kishte veçse një kioskë. Pas 15 vitesh, një zonë e shpërfytyruar dhe e shkatërruar deri në ekstrem. Një buldozer me një kovë të madhe është e vendosur aty edhe sot. Njerëzit, nga njëra anë “shëlluhen” në diell dhe shijojnë detin. Nga ana tjetër, fëmijët e tyre, i hypin buldozerit dhe hidhen prej andej drejt e në det. Askush nuk kontrollon asgjë. A thua se mania e të bërit të një kioske, apo një ndërtimi, apo vendosjes së disa shezlongëve plazhi, në kundërshtim me cdo rregull, është kthyer në standard.
“Unë kam lindur këtu, të thotë Drini me zë të plotë. I shoh të gjithë. Të gjithë kanë ndërtuar”.
 
Po ti Drini ke ndërtuar?
Po kam ndërtuar edhe unë një shtëpi. Banoj në të.
 
Po si jetohet në Ksamil?
Po ja, ata që janë vendalinj, sepse unë kam lindur këtu, jetojnë me liqenin. Të tjerë me punëra të vogla. Gjatë sezonit, ka edhe dhoma që japim me qira. Kjo është ajo me të cilën jetojmë të gjithë në këto momente. Të paktën deri tani.

Po mirë Drini, çfarë flitet në Ksamil për prishjet?
Po ja cfarë të të them. Të gjithë janë të frikësuar. Të gjithë e kanë një merak.
 
Po pse e kanë me merak? A kanë leje ndërtimi për godinat e tyre?
Jo, nuk kanë leje. Shumica janë në proces legalizimi. Kështu na u tha. Pagesat e para të gjithë i kanë bërë. Tani presim të përfundojmë pagesat e tjera në pritje të VKM.
 
Po mirë Drini, nga Ksamili janë të gjithë ata që kanë ndërtuar?
Jo. Ka shumë të ardhur. Nga e gjithë Shqipëria….
 
                                                                        ***
 
E pra, të ndalojmë pak momente. Ksamili, perla e jugut të Shqipërisë është e ndërtuar nga fillimi. Nuk ka shumë gjëra për të cilat duhet të mendosh. Një mendje të thotë që të marrësh Rruspën e të rrafshosh gjithcka. Ta kthesh në gjendjen e vet të mëparshme. A është e mundur kjo në këtë moment? Jo. As bëhet fjalë. E siç do të shohim në rrëfimin e prishjeve të ditës së djeshme, një person, vetëm për të shpëtuar ndërtimin e vet, kishte future brenda banesës bagëtinë. Mendo të rrinin njerëz.
 
prishje e ndërtimeve pa leje në Ksamil 2 me logo
(Në foto: Prishja e disa ndërtimeve pa leje në Ksamil)

Kështu, kemi të bëjmë me një problem të madh social. Në banesa, qoftë edhe pa leje janë vendosur banorë. Ka shumë të ardhur nga Tepelena, nga Berati, Konispoli, Përmeti, Lezha, Tropoja, Dibra, Kukësi…Nga nuk kanë ardhur…E kush nuk e do detin. Aq sa mendon: po unë, pse nuk e zaptova një copë tokë që në vitin 2000?

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama e ka bërë të qartë: Do të vendoset rregull në territor. E ka thënë edhe në një intervistë në median e huaj: “Duam ta bëjmë territorin e  bukur”. Gjithçka fillon nga prishjet. Pra dhe “prishjet” e objekteve pa leje duhet të jenë të bukura.
 
Facebook, mbushet plot me foto të prishjes së ndërtimeve pa leje. Komentet e njerëzve në to janë të shumta, pa masë. Ka shumë që mendojnë: “tani e gjetën?
 
Nuk e linin dot pas sezonit turistik? E pse duhet të bëhen aksione të tilla në mes të sezonit? Pse duhet të bëhen me fushata?”

prishje e ndërtimeve pa leje në Ksamil 3 me logo
(Në foto: Prishja e disa ndërtimeve pa leje në Ksamil)

Një fadromë, një furgon policie, dy a tre makina civile i vijnë anës Ksamilit. Ditën e djeshme, ishte vendosur të bëhej prishja e 20 objekteve. Ka vështirësi. Ashtu sikurse ka edhe ankth. Njerëzit që do të goditen nga komuna e Ksamilit, kanë marrë dokumenta dhe letra paraprake se duhet ti prishin vetë godinat që kanë ndërtuar në kundërshtim me cdo lloj rregulli. Por kanë qëndruar me shpresë deri në fund. Derisa në mëngjesin e djeshëm, panë fadromat dhe policinë përballë objektit që duhet të shkatërrohet.
 
PRISHJET E OBJEKTEVE

Sigurisht, për të prishur diçka që është ndërtuar me shumë mund, është e vështirë. Njeriu që e ka dhënë urdhërin, ose është “i pashpirt” ose ka vendosur që ta nisë këtë detyrë nga hallexhinjtë. Ky është perceptimi, por jo e vërteta. Në hartën e përpiluar nga Komuna e Ksamilit, objektet që janë vendosur të prishen, janë ato që kanë dalë si kërpudha pas shiut pikërisht këto dy muaj. Njerëzit në Ksamil janë bërë të zgjuar, kuptohet, ata që kanë zaptuar tokat dhe nuk kanë nisur asnjë process legalizimi. Kështu, kanë shftytëzuar hamullinë e zgjedhjeve për të ndërtuar disa baza betoni dhe mbi to kanë vendosur disa tulla betoni gati si kioska për të thënë se kjo është “tokë e xanun”.

Kështu ndodhi dje, sepse, njëri nga pronarët e objekteve ishte Nikolini. “Do ju q… nënën të gjithëve, do ju pjekim në hell”. Bërtiste në kupë të qiellit për një ndërtim 2 metra të gjerë dhe tre të gjatë, të këtij lloji elektoral, ndërkohë që kova e fadromës me një të goditur hodhi në tokë gjithë ndërtesën. Që do të thoshte se kishte fare pak kohë që kishte ndërtuar. Policët aty vërdallë e marrin djalin dhe përpiqen ta qetësojnë. Duke i thënë se është një vendim i komunës. I zoti, që me letra nuk ishte ai, por që nga reagimi dukej se ishte e tij, vazhdonte të bërtiste se nga policët të parët, e deri tek Edi Rama, “do t’i piqte në hell”. Fadroma vazhdonte punën me shembjen. Banorët përreth kishin kuriozitet të shinin skenën. Makinat e plazhistëve tek tuk ndalonin të shihnin se çfarë po ndodhte ndërsa skena sa vinte e  bëhej qesharake.

prishje e ndërtimeve pa leje në Ksamil 4 me logo
(Në foto: Prishja e disa ndërtimeve pa leje në Ksamil)

“Mirë ia bëni, thoshte një xhaxha vendali, - kanë ndërtuar këto dy muaj. Para dy muajsh kjo barake këtu nuk ishte. Ja ma sillni atë kryeministrin këtu dhe t’i tregoj unë se çfarë ka ndodhur në Ksamil. Pse e kanë bërë këtë kasaphanë”. Banorët e vërtetë të Ksamilit, ata të vjetrit, lumturohen kur shohin se në territor kërkohet të vendoset rregull. Prishjet, të paktën 20 godinat e ditës së djeshme, “xhanëm i thënçin godina”, janë ato që janë ndërtuar për dy muaj. As në fotografimin ajror nuk janë të skicuara. As kjo qeveri në ikje nuk mund t’i legalizonte. Nuk do të merrme mundimin në asnjë sekond për të parë sesa shumë prishet rregulli, rendi e shkelet ligji në këtë vend.

Kryeinspektori i urbanistikës Albani është aty për t’i paraprirë aksionit. E më duhet të them se shefi i urbanistikës, ai njeriu që duhet t’i kishte evidentuar këto godina që ditën e parë e të mos i linte për tu ndërtuar ishte aty. Atyre që po u prishen baraket janë të nervozuar. S’duan të pyesin për shtet, rend apo ligj. Të tjerët thonë se radha nuk u ka ardhur dhe ndoshta nuk u vjen. Ndërsa shumë të tjerë, ata banorët e vërtetë, ndër 12 mijë banorë që kanë mbetur në Ksamil thonë se duhet të prishen të gjitha këto “kioska” që kanë mbirë vend e pa vend, vetëm se kanë gjetur një copë tokë.

Besniku është kryetar i komunës, i përket PS dhe u zgjodh pas zgjedhjeve të majit 2011 për herë të parë. Me profesion mësues gëzon respekt në zonë. Aq sa fitoi zgjedhjet. Por edhe ai e ka të vështirë ndërsa flitet për heqjen e objeteve që janë ngritur këto dy muaj, thjesht nga hamullia e fushatës zgjedhore. “Eshtë një procedurë e vështirë. Sigurisht që duhet të bëhen. Ju duhet të kuptoni, nuk ka fonde. Nuk e merr dot një fadromë për prishjet. Por edhe paratë për të pastruar inertet. Ne jemi një zonë turistike”, thotë kryetari i komunës, i cili në përgjithësi është shumë mbështetës për procesin.

prishje e ndërtimeve pa leje në Ksamil 5 me logo
(Në foto: Prishja e disa ndërtimeve pa leje në Ksamil)

Në fund të fundit, Edi Rama, ka vendosur ta nisë nga vetja, që do të thotë, ka vendosur të nisë nga prishja e godinave pa leje në zonat që janë në administrim nga pushtetarët vendor të Partisë Socialiste. “Aksioni duhet të bëhet. Duhet të ketë shenja të qarta të vendosjes së rendit dhe ligjit. Nuk mund të ketë hamulli” duket se është aksioma e tij e “përkthyer” nga njerëzit që monitorojnë procesin në terren. Njerëz që në fund të fundit, nuk shohin dot plazhin, veçse territorin.

“Eshtë sezon” ngulmon kryetari i cili e ka marrë përsipër këtë barrë e përgjegjësi. Por, nuk është faji i ndokujt që Edi Rama kërkon të nis punën menjëherë, duke e ditur se nesër nuk ka kohë.
Prishja e 20 objekteve pa leje vazhdon pa asnjë përplasje. Pa asnjë trazirë. Sigurisht me shpërthime inati si ajo e Nikolinit me “djegien në hell”, por ndoshta kjo është normale. Të gjithë e dinë që ligji dhe rregulli do të vendoset në komunën e Ksamilit për ta kthyer në parametra. Situata shkon aq qetë, aq sa duket e pabesueshme se në gjithë Ksamilin ka vetëm një polic. Ndërkohë që forcat e policisë që mbështesin aksionin vinë nga komisariati i Sarandës.

Edhe aty ka pasur probleme tre ditë më parë. Disa lavazhe të ngritura vetëm këto kohë duket se kanë prishur rehatinë e disa pronarëve që I disponojnë. Aty kishte edhe më shumë konflikt. Por në Ksamil po ndodh ndryshe.
Afrohem e bisedoj me një “pronar” të një godine që po prishej. Ai vinte nga Tepelena dhe njërin krah e kishte të vendosur në allçi. Emrin nuk do ta tregojë por i shkëputa një foto gjatë aksionit të prishjes së godinës së tij.
 
Përshëndetje, jam gazetare. Godina juaj po prishet sot. E keni me leje?
Po të ishte me leje s’do prishej.
 
Po mirë, pse e keni ndërtuar pa leje?
Po të gjithë kanë ndërtuar. Kemi ardhur nga Tepelena. Mora këtë tokë këtu dhe dua të ndërtoj dhe unë.
 
Po pse këtu dhe jo diku tjetër, psh në Tepelenë?
Po ja, për më shumë të ardhura. Çtë bëj në Tepelenë…

Ironike, njeriu që ruante prishjen e objektit të vet, nuk ishte një djalë dosido. Kishte një makinë fuoristradë me targa të Tiranës, që më la të kuptoja se nuk qëndronte as në Ksamil e as në Tepelenë. Kishte ardhur vetë i katërt për të parë prishjen e godinës së tij, dhe i kërkonte fadromës që ta shembte nga anët për të marrë llamarinën që kishte vendosur përsipër. Mu kujtua duke mbajtur shënime të evidentoja një fakt: të gjitha objektet që shembeshin, kishin si çati disa llamarina që mund ti gjesh me 50 mijë lekë të vjetra në treg. Që të përforconte idenë, se të gjitha ishin godina provizore,    që këta njerëz kanë dashur të fotografohen nga sipër për ti përfshirë në procesin e legalizimit.
 
EPILOG

Sot për sot, prishjet e godinave pa leje në bregdet janë të evidentuara nga çdo njësi vendore dhe janë më së shumti ato që janë ngritur këto dy tre muaj hamulli të zgjedhjeve. Që nga Ballkoni i Llogarasë e deri në Ksamil, ky grafik është ndjekur të paktën në këto dy apo tre javë të aksioneve të prishjeve masive. Nga shtatori, kur qeveria e re të marrë detyrën, pritet të ketë një strategji për menaxhimin e bregdetit. Sikurse e ka thënë edhe vetë Edi Rama, aty ku janë të shëmtuara dhe që nuk shkojnë absolutisht me territorin do prishen, aty ku janë objekte sociale, pra shtëpi banimi, nuk do të ketë prishje të godinave. Të paktën, do të ketë një plan dhe jo një situatë kaotike sikurse kjo që prezantohet sot në Ksamil. Kushdo duhet të kuptojë se të paktën një herë ky vend do të bëhet, pa thënë se pse ia prishe dikujt dhe jo dikujt tjetër.

Bie muzgu. Ditë e lodhshme nga një skaj në një skaj tjetër të Ksamilit. Dy miqtë e mi që kanë ardhur me pushime në Shqipëri nga Hollanda, Lenci dhe Luani më ftojnë për një gotë verë. Më dëgjojnë gjithë kërshëri teksa u tregoj për ditën që kalova, për mungesën e plazhit, diellit dhe ujit, dhe pasionin më të cilin u flas se kam shpresë se ne shqiptarët do të bëjmë vendin tonë.

Lenci ka ikur që në vitin 1996 nga Shqipëria. Pas një fytyre gazmore, plot dritë, me një të qeshur të përhershme, aty te lokali i Edit duke pirë një verë të mirë greke më tregon se ka të paktën 13 vitet e fundit që vjen në Ksamil dhe se nuk e braktis asnjëherë, me të mirat e të këqiat e veta. Eshtë absolutisht i përfshirë në zhvillimet që ndodhin në vendin ku u lind e ku u rrit, por që rrethanat e detyruan të largohet përfundimisht nga Shqipëria. Dhe ma mbylli gojën përfundimisht kur më mbajti gati gati një fjalim që më la pa fjalë: “dëgjo Anila, çdo shqiptar në këtë vend, i ka shërbyer Shqipërisë më shumë sesa gjithë politikanët që kemi.

Eshtë e vërtetë se ka shumë shqiptarë që nuk kanë lënë gjë pa bërë, janë marrë me punë të pista, me punë të ndershme, me punë kurajoze, kanë pasur probleme nga më të ndryshmet. Kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë shumë nga vetja dhe nga familja e tyre. Në fund të fundit, kanë sakrifikuar më të madhen, atë të qenurit në vendin e tyre. Kanë sjellë miliona e miliarda euro e dollar në Shqipëri, aq sa ky vend do të ishte bërë njëmijë herë. E kanë vuajtur shumë. Mallkuar qofshin ata politikanë që nuk shohin gjithë këta njerëz që kanë bërë shumë sakrifica, për veten por edhe për vendin.

Nuk e di nëse ky vend do bëhet kështu…” e mbyll ligjëratën, duke më lënë pa fjalë dhe duke menduar sesa e sa emigratë shqiptarë kanë mbajtur për vite e vite me radhë ekonomine shqiptare dhe asnjëherë kjo gjë nuk u është shpërblyer. I kërkoj leje Lencit që këtë gjë ta citoj në gazetë. Ta shkruaj dhe ta mendoj se është vërtet kështu. Iu riktheva imagjinatës së Ksamilit. Këtu kasaphanën e vërtetë e ka bërë vetëm Gjergj Bojaxhi, ndërsa prishi 274 objekte nga të gjitha anët. Rrënojat janë akoma aty pa u pastruar sepse komuna nuk ka lekë.
 
Lenci, a mund ta shkruaj unë këtë që sapo më the?
Po Anila, mund ta shkruash.

Por në fakt, a është ky realiteti që duhet të jetojmë të gjithë? Ndërsa humb shpresa e ekzistencës së shtetit, e ku paligjshmëria kërkon të kthehet në standard. Kjo e para duhet të ndryshojë.

Shkrimi u botua sot në gazrtën Shqiptarja.com (print) 26.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë