REPORTAZH/ “Baba Tomorri”
700 milionë lekë kurbane 

REPORTAZH/ “Baba Tomorri”<br />700 milionë lekë kurbane 
Ç’të bëjë fukara mavria,
I mban sytë nga Perëndia...


BERAT - Duke ngjitur Malin e Tomorrit për kremtimin e festës bektashiane të Abaz Aliut, personi që na shoqëron, në dukje i varfër e i veshur keq, i thotë këto vargje me gjysëm zëri, si një strofë popullore që e ka dëgjuar dhe është përcjellë gojë më gojë gjatë viteve te pelegrinët e gushtit për në Baba Tomorr. Për rrugën mirë është të thuash të qëndrojë në gjendjen që është, ekzistuese, e shtruar vetëm me çakull, pa asfalt. Në të kundërt, radha e mijëra e mijëra pelegrinëve që vizitojnë atë vend në festën rituale të përvitshme nga datat 18 deri 22 gusht, sidomos me makina, do të krijonin një kaos që nuk mund të ketë polici trafiku ta mbajë. 

Në majën 2379 metrave të Tomorrit, gjendet një teqe e vogël, e rregulluar vitet e fundit ku gjenden dy varre. Më të vjetrit të mësojnë disa prej të dhënave të ritit bektashi.  “Të kesh fat, duhet të vish tre herë rresht në këtë vend. Të falesh, të bësh kurban, të hedhësh lekë, e nëse ke njerëz të sëmurë, nëse nuk i merr dot me vete, patjetër të marrësh një rrob të tyren, ta vendosësh në ndonjë nga varret që janë aty, ose të marrësh fotografi e t’i lësh pranë varreve”, thotë roja i teqesë në majën e Tomorrit. 

“Ka shumë nga ata që janë shëruar nga sëmundje që nuk kanë gjetur derman në vende të tjera, edhe në mjekë. Eshtë vend i shenjtë, është vend i mirë. Më mirë akoma, nëse bëhet kurban”. 
Riti pagan, bektashi në rastin konkret, tregon se njeriu që bën kurbanin, lyhet me gjak në ballë. E po ashtu të gjithë ata që kanë futur lekët për të bërë kurbanin. Pasi lyen ballin me gjakun e kurbanit, duhet që kurbani të zhvishet. Lëkura lihet te ai që ka bërë therjen, ndërsa kurbani merret nga personi që e bëri. Sipas rregullit të rrëfyer aty sipër, shpatulla e qingjit mbahet nga i zoti që bëri kurban, ndërsa pjesa tjetër e mishit falet. Falet te familjarë apo miq të afërt, aty në ato familje, ku ti kërkon të çosh mirësinë që ke marrë nga bërja kurban në teqenë e Abaz Ali, në majën e Tomorrit.

Roja e Teqesë në majë ankohet se çdo vit njerëzit mendojnë se në datën 22 duhet që brenda teqesë të bëjnë kurban. “Këtu bëhet lumë gjaku moj bijë dhe nuk e pastrojmë dot. Kemi hapur vende të posaçme, por njerëzit janë të fiksuar që ta nxjerrin këtu kurbanin. Megjithatë, këtë vit do e administrojmë më mirë”. 
Sipas statistikave, në datën 22 gusht, kur është edhe dita kulmore e festimeve, vit pas viti në analizë parashikohen të shiten 7000 qengja.

Me një llogari të thjeshtë, aq sa i blemë edhe ne, një grup njerëzish që u nisëm nga Tirana për të ndjekur këtë rit të përvitshëm, një dele a dash, apo qingj, varion nga 80 mijë lekë të vjetra një 18 kilësh, tek 120 mijë lekë të vjetra për një qingj a dele 26 kile. Nëse do të llogaritet me 100 mijë lekë të vjetra mesatarisht, atëherë, për 7000 krerë bagëti të imta, tregtia e përgjithshme shkon në 700 milionë lekë të vjetra që jepen për tre ditë për të gjithë barinjtë e zonës. 
Në teqenë e ndërtuar poshtë, dhe që nuk është në majë, janë bërë vendet e posaçme për të therur bagëtinë e imët, në mënyrë që procesi të mos kryhet vend e pavend. Tregtia vlon, duke i hequr shenjtërinë vendit të mirë të bektashinjve. Ka parrulla gjithandej që janë vendosur nga kryegjyshata e bektashizmit se vendi është i shenjtë dhe nuk mund të përdoret për tregti. Por banorët e zonës, nuk duan tia dinë për këtë. Ata vazhdojnë të therin e pjekin kundrejt pagesave të majme të të gjithë pelegrinëve që i kanë marrë masat që të mos e bëjnë dysh llafin kur bëhet fjalë për vendin e shenjtë. Jo vetëm llafin, por edhe paratë, që derdhen lumë.

Kampingjet nuk ngrihen në majë, aty ku është teqeja kryesore: E para, sepse nuk ka shumë vend, dhe e dyta, sepse është shumë, shumë ftohtë. Gati 1000 metër poshtë majës, pra diku në lartësinë 1400 metra, disa fshatarë të atyre zonave, kanë ngritur tenda dhe kanë vendosur drurët, gati për ti djegur e për ti bërë prush për të pjekur qingjat. Njerëzit mblidhen pas zjarreve dhe fillojnë e festojnë në pritje të pjekjes së gjësë së therur. 
Po mirë, pse jeni kaq të varfër ju që punoni këtu? E pyes një mesoburrë 45 vjeçar me mustaqe, që ka ardhur familjarisht aty në këtë kohë dhe ka ngritur një çadër për të pjekur mishin.

“Po nuk ka të bëjë me pasurinë ky vendi i shenjtë. Ky më shumë është për të shëruar të sëmurët. Dhe ne ç’a halli kemi pasur për sëmundjet, nuk kemi pasur probleme. Jemi të gjithë shumë mirë”. 
Argumenti nuk ecën fare, ndërsa sheh se gjithë familja është e vendosur në një kasolle pa asnjë kusht minimal, edhe pse jemi në mes të një mali të lartë. 
Klodi është 33 vjeçar. Ka ikur nga Shqipëria që 14 vjeç e jeton në Gjermani. Ka ardhur për herë të parë në ritin e përvitshëm të Tomorrit për festën e shenjtë të Abaz Aliut, e ndërsa dëgjon bisedën që zhvillojmë thotë: Po ç’t’i shohë zoti? Çfarë e mire? Nuk e sheh që e kanë kthyer në biznes këtë festë të shenjtë? Si mund të ketë mirësi për të gjithë këta që duan vetëm të zhvasin nga festa?

Dhe në fakt kështu ndodh: sepse duhet ta kesh xhepin plot për të qenë atje sipër. Se 100 mijë lekë do të shkojë qingji, po 5000 lekë të vjetra i do ai që bën therjet, 10 apo 15 mijë lekë i do ai që do t’i pjekë; po ca lekë do i lësh nëpër varre sepse thonë se të ecën fati dhe është mirë dhe ja ku minimalisht do të harxhosh te 150 mijë lekët me një të rënë të lapsit. Ndoshta për këtë arsye, ka shumë varfëri te të gjitha familjet që janë afër këtij vendi të shenjtë. Ndoshta tregtia, është kthyer në makutëri. 
Banorët e atyre zonave të flasin për Zalon. Eshtë njeriu që e menaxhon aktualisht teqenë në Baba Tomorr. “Si nuk e njihni Zalon ju? Po atij asnjë televizion nuk i ka bërë derman. Ai është njeriu më i pasur, ka vila dhe shtëpia ngado” thotë një tjetër banor i atyre anëve.

Zaloja sipas tyre, shumë nga lekët që hidhen aty, nuk i çon në Kryegjyshatë, por i mban për vete, dhe për këtë arsye, banorët shprehen se ai është shumë i pasur. Por ka pasur të tjerë që kanë bërë mirë në këtë vend. “Baba Shaban Dervishi. Ai ka qenë shumë i mirë. Ai e ringriti këtë vend në ’90-ën” thonë ata. 
Përpara se të ngjitesh në teqenë kryesore, apo zyrat kryesore pa shkuar në majë, gjendet një teqe e vogël. Eshtë vendi ku nuk lejohet të ndizet qiri brenda teqesë (por që të gjithë e ndezin nga një qiri) dhe brenda vendit është një gjurmë kali, ku presupozohet se ka kaluar baba Aliu me kalin e tij.

Legjenda e përcjellë gojë më gojë dhe e treguar nga banorët e zonës të thotë se baba Aliu ka ardhur nga Qerrbelaja dhe ka qëndruar në Majën e Tomorrit. Madje, këto ditë shpirti i tij pritet të kthehet dhe mund të ndodhë në datat 20, 21, apo 22 gusht. Banorët e zonës thonë se kur kalon shpirti i Abaz Aliut, një flakë e përçon gjithë majën e malit dhe zhduket në fund në majën e Tomorrit, aty ku është edhe teqeja kulmore e Abaz Aliut. “Unë vetë e kam parë” thotë mesoburri 45 vjeçar që më tregon historinë ndërsa është duke pjekur kurbanin që sapo kemi therur për ritin pagan të baba Tomorrit. Turbja e vitit 1620 dhe me vonë teqeja e vitit 1916, preken çdo vit nga pelegrinët e shumtë që vijnë e vizitojnë vendin.

Nuk janë vetëm shqiptarë brenda vendit. Kosovarë, maqedonas, shqiptarë të Malit të Zi, emigrantë që kanë ardhur në Shqipëri nga vendet evropiane apo nga kontinenti i largët, por edhe turistë, shumë turistë nga Franca, Gjermania, Italia, Çekia etj, vijnë e vizitojnë këtë vend të shenjtë më së shumti duke tërhequr pas vetes rulotat që kanë marrë për të qëndruar rreth e qark Shqipërisë.
Tradita nuk humbi në komunizëm.

Si çdo fe tjetër, bektashizmi nuk u lejua në 50 vitet e diktaturës komuniste. Por kur flitet për vendet e shenjta, banorët e zonave, tregojnë se edhe regjimi më i egër komunist në gjithë botën, pra ai i diktatorit Enver Hoxha, nuk ia ka dalë mbanë për të mbyllur këtë vend të shenjtë, apo për të mos lejuar qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë ta vizitojnë dhe të kërkojnë shpëtimin për problemet e hallet e tyre. 
“Në kohën e Enverit, teqeja poshtë, aty ku janë gjurmët e kalit të Abaz Aliut, nuk u prish dot” rrëfen për shqiptarja.com, 45 vjeçari që vazhdon të luajë hellin për të pjekur mishin e bërë kurban.

“Kështu, tre herë vajti ekskavatori për të shembur muret e teqesë, dhe të treja herët ekskavatori mori flakë, u dogj. Nuk ia dolën dot ta shembnin atë vend të shenjtë dhe e lanë, nuk u morën më me atë punë”, rrëfen ai. 
Duke qenë se ka qenë banor i zonës, mban mend disa gjëra. Një ndër to ka qenë kur xhaxhai e merrte me vete dhe e çonte në teqe, dhe në përgjithësi në disa vende të shenjta në Malin e Tomorrit. “Gjeje plaçka të hedhura. Gjeje, jelekë, kanatiere. Xhaxhai hidhte ndonjë lek të vogël në vendet e shenjta. Më pas me pjesën tjetër të lekëve, blente karamele, dhe na i shpërndante ne fëmijëve, si një gjë të mirë, për të na kapur mirësia” thotë 45-vjeçari. 

HISTORIKU PËR TOMORRIN

Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930-ën, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se në besimet e tjera. Sot në Tomor praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit, kultit pagan, qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha fetare, pra kulti i krishterë. Këtë nuk e dëshmon vetëm tradita gojore për ekzistencën e kishës së Shën Mërisë në mal të Tomorit dhe për peligrinazhin e besimtarëve ortodoksë nga data 15-25 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit. Po sipas M. Hasluck, bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Për t’i dhënë prestigj shkencor e thellësi historike këtij miti, ata iu referuan trashëgimit antik. Toponimin “Tomaros” ose “Tamari” a “Tmari”, që del tek Straboni dhe tek Plini Secundi (Talar) si mal pranë Dodonës, pra si mal i shenjtë, ata e lidhën pa asnjë mëdyshje me Tomorin e Shqipërisë. Kështu, kulti i Tomorit u shndërrua në kultin e malit, ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. "Shqiptarët e moçëm, - shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, - besonin në hyjninë, dhe në mal të Tomorrit ish- falëtore e tij, që thuhej Dodonë".

Faltorja e Dodonës, sipas antikitetit, ndodhet në rrëzë të malit Tomor dhe nuk ka lidhje me fetë aktuale në Shqipëri, por lidhet drejtë përsëdrejti me fenë pellazge shqipfolëse, ose fenë e gjuhës së perëndive, e vërtetuar edhe me mbishkrime shqipe që 2500 vjet para Krishtit.
Homeri dhe shpjeguesit e tij të mëvonshëm thonë se Dodona vjen nga kohët që nuk mbahen mend. Por Homeri "mban mendë shumë mirë" qytetërimin e Knosos 2000, para Krishtit, gjë që do të thotë se Dodona vjen nga mijëvjeçari i tretë Para Krishtit.

Historiani grek, Straboni, thotë se, "në kohët më të lashta e gjith zona përreth Tomorit ishte shumë e banuar. Kurse sot, aty popullsia është rralluar, por megjithatë duken disa ndërtesa të rrënuara. Faltorja e Dodonës e cila gjendet "stis propodhes tu vunu Tomar" (gjendet në rrëzën e malit Tomorr)... Në veprat e tij Herodoti, shekulli II, era jonë, e vizitoi Dodonën, qendrën e pellazgëve. Eduard Lear i ardhur në Berat, 155 vjet më parë, kur pa malin e Tomorit u shpreh se, “Tomori është mal mbretëror, ky mal është si një sokrat madhështor”. Ky olimp i shqiptarëve, i cili përmendet në “Iliadë” nga Homeri tetë shekuj Para Krishtit, me emrin Tomaros, i tillë ngelet edhe sot.

Duke u bërë kurban në teqe në majë të malit me logo
(Në foto: Duke u bërë kurban në teqe në majë të malit)

Godina e teqesë poshtë malit me logo
(Në foto: Godina e teqesë poshtë malit)

Darka në malin e shenjtë me logo
(Në foto: Darka në malin e shenjtë)

Ndalohet tregëtia, por tregëtia vazhdon me logo
(Në foto: Ndalohet tregëtia, por tregëtia vazhdon)

Lëndina e qengjave që presin të theren me logo
(Në foto: Lëndina e qengjave që presin të theren)

Makina duke ardhur në teqe me logo
(Në foto: Makina duke ardhur në teqe)

Duke bërë kurban me logo
(Në foto: Duke bërë kurban)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.08.2013


Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës