Reportazh/Në Theth…me Lilin që
çon dritën e diturisë në kullat e gurta

Reportazh/Në Theth…me Lilin që<br />çon dritën e diturisë në kullat e gurta
Mësuese Lili është një rreze drite që mbërrin deri dhe në kullat më të largëta të veriut. Ajo ka sy të bukur të shkruar, që i rrëmbushen me lot sa herë përmend emrat e nxënësve të saj.

Ajo ka zë të ngrohtë e shpirt të bukur. Udhëton shtigjeve në diell e dëborë për të mbërritur tek nxënësit e saj të veçantë, të izoluar mes malesh, të cilët mezi e presin.
Është mëngjes herët, në Shkodër, kur e takojmë Liljana Luanin.

Me theksin e bukur shkodran ajo flet me batuta dhe shpejt ne mësojmë se është pikërisht Lili, mësuesja  që do të na shoqërojë në udhëtimin tonë në Theth, atje ku fëmijve të atij fshti magjepsës, falë Fondacionit të Vodafone Albania po ju dhurojnë një shkollë të rikonstruktuar, ku më në fund mund të bëjnë mësim normalisht.

Lili është një prej personazheve të përfshira në fushatën “Me gjithë zemër” që Vodafone Albania ka nisur në këtë 15 vjetor të saj.

Nuk e kisha parë spotin e ri, ku mësuese Liljana përshkonte çdo ditë kilometra pa fund për të shkuar pranë nxënësve që kanë nevojë për të.

Por sot, ajo do të kryejë bashkë me ne një prej itenerareve të saj. Me Lilin dhe një grup të zgjedhur do të udhëtojmë drejt Thethit, ku disa djem e vajza të kompoanisë Vodafon punojnë prej afro një muaji për të shndërruar shkollën e shkatërruar të Thethit në një ambjent modern shkollimi dhe interaktiv për të rinjtë.

Ajo shkollë ka një histori të hershme që e lidh me personazhin tonë. Liljana ka mësuar aty të shkruajë e të lexojë. Aty ka të afërm të gjakut të saj. Aty ka parë se në vite të vështira shkolla gati është mbyllur fare. Aty ka parë dëshirën e fëmijëve që duan të mësojnë anglisht që të mund të komunikojnë lehtësisht me turistë të huaj që vijnë në fshat. Ajo parasjë mes alpeve ka nevojë për komunikim, për dije dhe emancipim…
 
Drejt Thethit…

Teksa lëmë pas Shkodrën e fshatrat e parë përreth saj, peisazhet e këtij mëngjesi shtatori sa vijnë e bëhen më dehëse. Gjelbërimi duket sikur ka përfshirë gjithçka poshtë një veli magjepsës nga pemët tek bari i lëndinave të buta dhe i shtrin krahët deri në majat e maleve përrreth.

Udhëtojmë dhe kjo ndjesi e pazakonte na shoqëron përgjatë një lugine  që duket sikur s’ka fund, si të ishin dhjetra parajsa të vogla mbi tokë.
Pothuajse e kemi kaluar Bogën, kur mesuese Lili na thotë se do të ndalet pak të marrë ca shkumësa për fëmijët e Thethit. Kur vjen me shkumësat në dorë i ndrit fytyra nga gëzimi. Me to fëmijët do të shkruajnë për herë të parë në këtë vit të ri shkollor.

 “Ata fëmijë i gëzohen mjeteve mësimore si tu dhuroje lodra apo ëmbëlsira. Besomëni për këtë”, thotë Lili dhe zëri i dridhet nga mallëngjimi.

“Nuk kanë pasur asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve mundësinë të shkollohen e të ndjekin mësimin në kushte të përshtatshme, pa pasur ftohtë, pa ju munguar baza materiale, pa ju munguar kujdesi e nxitja për të mësuar e për të shkëlqyer në jetë”, thotë Lili.

Në këto fshatra të thella të malësisë, ku fëmijë ka pak për shkak të lëvizjeve demografike, e ku vështirësitë janë të mëdha për të zhvilluar normalisht mësimin, është me të vërtet një lajm i bukur kur bën të funksionojë si duhet një shkollë.

Liljana e di mirë këtë ndaj mallëngjehet kur flet.

Ne përkundemi mes një ndjesie frike e magjepsjeje tek gjarpërojmë rrugës së ngushtë që të çon në Theth, majë shkrepave që zbresin thikë në humnerat e thella.
Mendojmë për Lilin, dhe banorët e zonës, fëmijë e prindër që e bëjnë këtë rrugë shpesh, jo vetëm në sezonin e ngrohtë kur rikthehen në Theth për tu marrë me turizëm, por edhe në ditët e ftohta, me ngricë e dëborë.

valentina
 (Valentina në klasë të parë)

Çfarë mund ta emocionojë më shumë njeriun se ky rrugëtim që të zhyt në ajrin shërues mes pyjeve me ahe, me peisazhe që të mbushin në çdo grimcë të qenies e të drejton tek një shkollë e vogël mes maleve, ku 21 fëmijë presin të arsimohen?

Tek zbresim për në fshat, në krah të “Shtegut të dhenve”, ku para një shekulli shkelte  e magjepsur Edit Durham, kujtojmë atë rreze drite që ajo kishte sjellë në këtë kënd të harruar, mes banorëve të bukur shtatlartë e me sy blu… dritën e dijes e të emancipimit! I njëjti imazh na vjen ndërmend kur mendojmë misionin e mësuese Lilit! Kjo është ‘lufta’ për dijen, më e shenjta që mund të ekzistojë…
lili
 (Mësuesja Liljana Luani)
 
Në shkollë…

Ndjehet ende freskia e mëngjesit, kur zbresim para shkollës së vogël. Aty një grusht nxënësish çapkënë, vrapojnë e qeshin nëpër oborr. Ata ngatërrohen me djemtë e vajzat e Kompanisë Vodafone Albania, të cilët po përgatisin një ceremoni për përurimin e shkollës së restauruar dhe nisjen e vitit të ri mësimor.

Në një stol përpara hyrjes së shkollës është ulur një vogëlushe me flokët biondë.  Quhet Valentina.
Me dy sy që i shndrijnë si dy smeraldë, ajo vetëm buzëqesh.
Të pëlqen shkolla?- e pyes.
Po është shumë e buku, është e re, -  thotë Valentina duke i renditur dy cilësoret “e bukur” dhe “e re” me nji ngutje e theks ku sundon lumturia.
Në ç’klasë je? -  e pyes dhe ajo thotë se është në klasë të parë.
A i njeh shkronjat?
Po disa i njoh…
Ku i ke mësuar? - e pyes, duke e ditur se në Theth nuk ka kopësht dhe s'mund të zhvillohet as parashkollori.
Mi ka mësuar kushëriria ime që është më e madhe se unë… Dhe nis të më shkruajë disa shkronja që i ka mësuar vetë në shtëpi.
Çfarë do bësh kur të rritesh? - e pyes vogëlushen, duke menduar se ajo e ka një ëndërr për ndonjë profesion, si të gjithë vajzat e moshës së saj. Ajo më sheh me ata sytë e saj si ujra të kaltër gurgullues, heziton një çast, dhe gati belbëzon..." do t'lexoj libra t'bukur"…
Valentina do të mësojë së bashku me fëmijët e klasës së dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë në të njëjtën klasë. Është një klasë kolektive. Ngjitur me të tyren mëson pjesa tjetër e fëmijëve  të klasave 6, 7, 8 dhe 9. Edhe ata në një tjetër klasë kolektive.
Kjo është një zgjidhje që e kushtëzon numri i pakët i fëmijëve në këtë fshat. 21 fëmijë të kësaj shkolle të ndarë në dy klasa, degjojnë mësuesen tek ju shpjegon brenda një ore matematikën nga klasa e parë deri në të pestën. Po ashtu ndodh me çdo lëndë tjetër.
Sidoqoftë ata janë me fat që mund të mësojnë, janë me fat që ekziston kjo shkollë në mes të fshatit. Të paktën nuk përshkruajnë kiklomentra të tërë për të mbërritur në shkollën më të afërt, siç ju qëllon shumë fëmijëve në malësi.
Vitore Çuni, mësuesja e klasave nga e para deri tek e pesta, e cila prej shumë vitesh punon në këtë shkollë, thotë se në vitin 1990 Thethi kishte 1400 banorë. Atëherë sigurisht, askush nuk e imagjinonte një klasë kolektive.
“Sidoqoftë këta janë fëmijë shumë të zgjuar. Mësojnë e vijnë me dëshirë në shkollë. Kanë ëndrra dhe synime të qarta  për të arritur”, thotë mesuese Vitorja.
Sipas saj, për shkak se vitet e fundit është rritur shumë numri i turistëve të huaj,  shumë prej këtyre fëmijëve kuriozë e me vullnet kanë nisur të mësojnë anglisht në mënyrë autodidakte.
“Janë gëzuar shumë kur mësuan se kati i dytë i kësaj shkolle do të kthehet në ambjente ku ata dhe të rinjtë e tjerë të fshatit mund të mësojnë më shumë për turizmin, menaxhimin,  nxitjen dhe tregtimin e produkteve organike të zonës, mund të mësojnë anlisht dhe të argëtohen. Dhe kjo sipas projektit që po zbaton Fondacioni Vodafone Albania do të realizohet brenda një viti”, thotë mësuese Vitorja, duke e parë këtë projekt si një urë të re komunikimi dhe emancipimi për fshatin e saj të bukur.

albi
  (Albi Greva duke uruar mësuese Liljanën dhe mësuese Vitoren)

Një ceremoni, dhurata dhe buzëqeshje…
Pak përpara se të nisë ceremonia e mirëseardhjes në ‘shkollën e re’, të rinjtë e Fondacionit, të ardhur nga Tirana përgatisin dhuratat për nxënësit, çantat me gjithë bazën e nevojshme materiale.
Në këtë kohë takojmë Albi Grevën, drejtorin e fondacionit Vodafone Albania, i cili na tregon fillimisht një varg fotosh të shkollës në gjendjen e mëparshme. “Kështu e kemi gjetur, thotë Albi - dhe tani është shndërruar totalisht”.
Hyjmë brenda shkollës dhe shohim se ndërhyrjet restauruese janë kudo që nga çatia, dyert e  dritaret, korridoret e shkallët,  sovatimet, lyerjet, pajisja me mjetet mësimore e çdo detaj tjetër që i duhet një shkolle.
Shkolla dhe mësuese Lili u zbulua nga kompania Vodafone në një prej atyre rrugëtimeve, të përhershmë, deri dhe në zonat më të thella, për zgjerimin e mirëfunksionimin e rrjetit të komunikimit. Përveç investimeve në sektorin e komunikimeve  elektronike, Vodafone Albania  zgjeron çdo herë e më shumë edhe gjeografinë e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës në shkollë e rrugë si dhe për rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të komuniteteve deri dhe në zonat më të thella  të Shqipërisë.
Rikonstruksioni i kësaj shkolle është një tjetër dëshmi e angazhimit të Vodafonë ndaj çështjeve të përgjegjësisë sociale.
 
Fillimisht do t’i tërhiqte historia dhe pasioni i mësuese Liljanës, një histori mallëngjyese, të cilën të gjithë po e njohin sot përmes spotit të ri të fushatës “Me gjithë zemër”. Pastaj u njohën me nevojën e këtyre fëmijëve të cilët kishin nevojë për një shkollë ku të mos depërtonte era dhe shiu, ku nxënësit të mos kishin ftohtë e të kishin gjithçka ju duhej për të zhvilluar mësimin.
Gjithçka u bë shpejt, në një muaj, sepse të gjithë punuan me gjithë zemër…
E nuk do të mbarojë me kaq. Projekti do të vijojë me shndërrimin e katit të dytë të kësaj shkolle në një qendër edukimi për të rinjtë, me bibliotekë, ambjente trajnimi e përgatitje për të menaxhuar me sukses turizmin e zonës së tyre.
Ndërkohë gjithçka është gati. Fëmijët janë rreshtuar bukur para shkollës dhe dëgjojnë përshëndetjet dhe urimet për një vit të mbarë shkollor si nga përfaqësusit e Vodafone Albania të drejtorisë arsimore e bashkisë së Shkodrës ashtu edhe nga drejtori i shkollës dhe mësuese Lili që ju foli me shumë emocion fëmijëve duke ju kujtuar atyre se rruga e diturisë dhe emancipimit është e vetmja që do t’i çojë drejt suksesit.
Në fund e kanë radhën dhuratat: Çantat e shkollës me të gjithë mjetet mësimore dhe librat. Ata gëzohen si t’u kishin falur botën. 
Ndërsa mësuese Vitorja i drejton nxënësit nëpër klasa, ata rendin shpejt drejt bankave dhe hapin librat e rinj. Dikush shkruan diçka në dërrasën e zezë e një tjetër nis të të vizatojë.
Është një ndjesi e bukur që ka zaptuar atmosferën, mes mirënjohjes e gëzimit. 
   
Në ikje… rrëfimet e Lilit
Më Lilin bisedojmë pak në fund para se ndahemi. Ajo është e gëzuar për fëmijët që do të mësojnë në të njëjtën klasë, ku ajo ka mësuar kur ishte vetë fëmijë. Por mendja vazhdimisht i rri tek fëmijët e përshirë në gjakmarrje. “Udhëtoj tre herë në javë për të dhënë mësim tek këta fëmijë të veçantë në shumë fshatra përreth Shkodrës si në Grudë, Mazrek, etj. Po ashtu edhe në zona më të thella në Tropojë, në Pukë, kudo ku ka fëmijë që kanë nevojë të mësojnë. Përpiqem tu edukoj atyre ndjenjën e tolerancës e të faljes”.  
Ajo punon me kaq shumë pasion dhe për fëmijët e ngujuar. Ngul këmbë se me rëndësi, në këto rrethana të vështira për të gjithë këto familje që kanë probleme me gjakmarrjen është puna e madhe edukuese që duhet bërë me nënat. “Nëna në këto familje ka një rol të madh. Ajo ose i edukon fëmijët e saj me ndjenjën e faljes dhe të tolerancës, ose i edukon me ndjenjën e gjakmarrjes. Po përpiqem shumë të punoj me këto nëna”, thotë Lili, ndërsa kujton se një projekt i bukur e i frytshëm ishte ai në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për trajnimin e 26 nënave nga këto familje në disa kurse me karakter psikosocial e higjenik. “Ato mësuan dhe u trajnuan në tre drejtime, kuzhinë, parukeri dhe rrobaqepësi. Në të njëjtën kohë ato morën trajtim nga psikologë e sociologë… I merrnim çdo ditë këto gra nga shtëpitë e tyre, pasi merrnim leje nga bashkëshortët e ngujuar. I çonim në Shkodër dhe pas kurseve, i kthenim sërish në shtëpitë e tyre. Ishte një eksperiencë e paharrueshme. Sot ato 26 gra kanë më shumë mundësi për tu punësuar, e për ti bërë ballë vështirësive me të cilat përballen familjet e tyre të ngujuara…”.
Lili hesht një çast dhe kujton dy nëna fatkeqe që nuk e përballuan dot gjendjen e rëndë dhe zgjodhën vetëvrasjen. “Ata nuk ia dolën dot. U dorëzuan. Por lanë fëmijët e tyre të ngujuar në një mjerim e fatkeqësi akoma më të madhe. Në njërën familje fëmijët mbetën pa nënë dhe në në familjen tjetër ku i ati ishte vrarë nga gjakmarrja ata humbën edhe nënën e mbetën krejt jetimë. Përballja me ata fëmijë është dramatike. Kanë nevojë për gjithçka, gjithçka…”.
Mësuese Lili ngashëren dhe kujton episode të trishta me këta fëmijë, pastaj kujton dy ish nxënës të saj që i janë vrarë nga gjakmarrja, e dy të tjerë që tashmë ishin në burg…
Më dhemb shpirti për ta… Ç’do të ishin bërë kur të rriteshin, nëse do të jetonin në kushte të tjera? Nëse do të studionin në universitete e jo të përfundonin qelive të burgjeve? Nëse do të bëheshin profesionistë të mirë e jo tu merrej jeta aq barbarisht??? Ja pse them se çelësi është tek edukimi…” psherëtin mësuesja zëëmbël Liljana, teksa përshëndetet me ne.
* * *
Është pothuajse pasdite, kur një rrebesh shiu mësyn Thethin. Rretë vërshojnë nga të gjithë anët si në një vorbull, ndërsa bubullimat ushtojnë nga të gjithë grykat maleve përreth. Është kaq magjepsës Thethi edhe nën shi e bubullima. Por duhet të largohemi, me shpresën se një ditë , shumë shpejt, do të rikthehemi sërish aty në atë copëz parajse mes maleve, ku zoti ka dhuruar gjithçka bujarisht, e njeriut i mbetet të përçojë vetëm mirësinë dhe emancipimin.
 
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg