Reporterët pa Kufi, rekomandime Shqipërisë për të mbrojtur gazetarët dhe të drejtën e informimit

Reporterët pa Kufi, rekomandime Shqipërisë për të mbrojtur gazetarët dhe të drejtën e informimit

Konferenca e organizatës "Reporterët pa Kufij" në muajin prill me shtypin shqiptar

Organizata Reporterët pa Kufi dhe Këshilli Shqiptar i Medias publikuan sot një paketë rekomandimesh për të mbrojtur gazetarët në Shqipëri, për të siguruar të drejtën e informimit dhe një peizazh mediatik të pavarur, pluralist dhe të besueshëm.

Nisma u mor për shkak se, siç vlerëson organizata RSF, niveli i lirisë së shtypit në Shqipëri është një nga më të ulëtit në Europë dhe është përkeqësuar për një kohë të gjatë.

Shqipëria renditet e 99-ta midis 180 shteteve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, që publikoi Reporterët pa Kufi në maj për vitin 2024, dhe e fundit në rajon krahasuar me vendet e zonës së Ballkanit.

Në udhërrëfyesin e publikuar sot gjatë një konference shtypi online propozohet për mbrojtjen e gazetarëve, që Shqipëria të forcojë ligjet për të kundërshtuar paditë abuzive SLAPP ndaj tyre, duke kërkuar që ankesa të kalojë nga një mekanizëm vetërregullues para se të shqyrtohet nga një gjykatë.

“Procesi i anëtarësimit në BE ofron një mundësi unike për Shqipërinë për të përmirësuar ligjin dhe standardet e lirisë së shtypit në mënyrë që të mbështesë në mënyrë efektive gazetarinë e lirë, të pavarur dhe të besueshme në vend”, thuhet në deklaratën e përbashkët të RSF-së dhe KSHM-së.

Në dokument propozohet gjithashtu të rishikohen ligjet për mbrojtjen e konfidencialitetit të burimeve të mediave përballë përpjekjeve të paligjshme për t’i zbuluar dhe viktimizuar ato, si dhe miratimi i një plani kombëtar veprimi për sigurinë e gazetarëve sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës.

Sa i takon pavarësisë dhe pluralizmit të medias dhe mbrojtjes së saj nga ndërhyrjet dhe censura udhërrëfyesi propozon të miratohen masa që mbrojnë pavarësinë editoriale të redaksive veçanërisht nga ndërhyrjet e aksionerëve të medias në konflikte inteesi.

Garanci më të forta për pavarësinë editoriale dhe financiare u propozuan edhe për Radio Televizionin Publik (RTSH), sigurimi i një buxheti të qëndrueshëm dhe procedura të pavarura në zgjedhjen e drejtuesve të tij.

“Rekomandimet synojnë të mbështesin “Dialogun e Strukturuar për Lirinë e Medias”, një procedurë që do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kushtet për të hyrë në BE. Përpjekjet tona, të motivuara nga interesi publik dhe të bazuara në besimin dhe transparencën, tregojnë se edhe në një vend ku liria e shtypit sfidohet në të gjitha nivelet, veprimi i përbashkët dhe i vendosur është i mundur”, tha Pavol Szalai, drejtuesi i zyrës së RSF-së për BE dhe Ballkanin.

Udhërrëfyesi nga RSF dhe KMSH propozon lehtësira ekonomike për qëndrueshmërinë afatgjatë të gazetarisë shqiptare si zbutje tatimesh, kredi pa interes ose heqjen e gjobave për mediat që janë në procesin e Iniciativës së Mirëbesimit JTI. Ndërsa bashkësia e biznesit mund të mbështesë gazetarinë e besueshme duke shtuar reklamat për mediat etike.

“Shqetësimet për situatën dhe besimin në median shqiptare po rriten, sidomos në kushtet e rritjes së autoritarizmit dhe propagandës. Nuk ka zgjidhje të thjeshtë, por pavarësia financiare për median është një pikënisje vendimtare. Vetëm atëherë media mund t'i shërbejë vërtet interesit publik”, thotë Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias.

Në takimin e prillit të kaluar me përfaqësues të RSF-së gazetarët shqiptarë pohuan se janë rregullisht viktima të sulmeve të dhunshme herë fizike, më shpesh verbale si dhe presione për padi.

Po ashtu ata pohuan se mediat janë nën presione ekonomike, çka shton pasigurinë dhe autocensurën në punën e tyre.

Në takim e theksua se tregu mediatik është i përqendruar në duart e një numri të vogël pronarësh, ndërsa është rrënjosur thellë bashkëpunimi i interesave politike, biznesore dhe mediatike, çka ndikonshumë në pavarësinë editoriale dhe në raportimin e gazetarëve./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite