Kur pas luftës së Dytë Botërore, komunistët shqiptarë erdhën në pushtet, pas një palë zgjedhjesh farsë (gjoja demokratike), në dhjetor 1945, shpallën Republikën Popullore të Shqipërisë (Republika e parë), në emrin e së cilës dhe në emër të popullit, filluan masakrën ndaj intelektualëve kundërshtarë idealistë e demokratë, qofshin edhe deputetë.

Më 1976, pas miratimit të Kushtetutës demagogjike të diktaturës së proletariatit, erdhi Republika e dytë, e pagëzuar si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe vendi ynë i shtypur nga një rregjim i pashoq komunist, u trumbetua si vend i zhvilluar socialist, ku pushtetin e ka klasa punëtore, në aleancë me fshatarsinë punonjëse, etj përralla të tilla.

Pas rënies së komunizmit në vendet e ish-Evropës Lindore përmes “revolucioneve” demokratike, nga të cilët, i fundit dhe më i veçanti ishte ai i Shqipërisë, i realizuar nga Ramiz Alia sipas udhëzimeve të Katovicës famëkeqe dhe i cilësuar si “Revolucion i negociuar në tavolinë“, në fund të vitit 1990 e pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991, në vendin tonë lindi Republika e tretë, pa mbiemër, thjesht Republika e Shqipërisë.

Ky moment shënon dhe fillimin e tranzicionit, që filloi të funksionojë me një paketë kushtetuese, pas abrogimit të Kushtetutës 1976. Kështu u vazhdua deri në vitin 1994, kur presidenti i kohës, Sali Berisha, tentoi të miratojë me referendum një kushtetutë që do t’i jepte atij kompetenca të tepërta për të uzurpuar e zgjeruar pushtetin e presidentit, ndonëse Shqipëria ishte dhe vazhdon të jetë një republikë parlamentare.

Siç dihet, përpjekja e ish-komunistit stalinist dështoi me turp dhe vendi vazhdoi të zvarritet pa kushtetutë deri në vitin 1998, kur ajo u miratua e kështu Republika e tretë u konfigurua dhe u plotësua me Ligjin themelor të shtetit. Por duhet thënë se ishte e dobët dhe nuk premtonte (siç edhe rezultoi) një shtet ligjor siç e dëshironim të gjithë.

Të gjithëve na kujtohet qendrimi i ashpër i Sali Berishës (ndoshta jo i PD) kundër Kushtetutës 1998, mospjesëmarrja në hartimin e miratimin e saj e deri në mosnjohjen, si dhe premtimi i bujshëm se, sapo të rikthehej në pushtet do ta bënte vendin me Kushtetutë të re demokratike, sikurse e kemi parë dhe e shohim në këto vite të qeverisjes së tij të flasë në emër të këtij ligji themelor të shtetit dhe ta prekë e arnojë sa herë i nevojitet për interesat e tij personale.

Pas rikthimit në pushtet, më 2005, pasi i kish vënë qëllim vetes për të uzurpuar çdo institucion të pavarur kushtetues dhe vënien e pushtetit në funksion të tij e familjes dhe për më tepër mbi shtetin, në bashkëpunim me kreun naiv të opozitës (për të mos thënë ndryshe) arriti ta ndryshojë Kushtetutën, sipas oreksit e interesave të tij. Kështu na erdhi Republika e katërt, e quajtur ndryshe Republika kryeministrore, që e “armatosi” kreun e ekzekutivit me stërkompetenca deri në omnipotencë dhe vendi po shkon në zgjedhjet e 23 qershorit me “llogaritë” e Berishës, por që nuk do të funksionojnë këtë rradhë.

DREJT REPUBLIKËS SË PESTË

Le ta themi qysh në fillim se, me shfaqjen në skenën politike shqiptare, Fryma e Re Demokratike (FRD), e pozicionuar në Qendrën e Djathtë të spektrit politik, shpalosi programin e saj politik, të cilin, pas diskutimit e debatit brenda partisë dhe me grupet e interesit, e miraton edhe në Kuvendin e saj të Parë, pikërisht në ditën e përvjetorit të parë të lindjes.

Me shqetësimin qytetar për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet shteti i sotëm shqiptar, kur pushteti ekzekutiv (Republika kryeministrore) është barazuar me shtetin, ka uzurpuar të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, FRD ka hedhur në fushën politike e publike të vendit programin e saj realist e gjithëpërfshirës për ndërtimin e një shteti të vërtetë të së drejtës e ligjor, për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur dhe futjen e vendit tashmë në rrugën e një demokracie funksionale perëndimore.

FRD vlerëson se prioriteti kryesor për sfidat e sotme dhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri mbetet reforma institucionale që lidhet me sistemin e përfaqësimit politik, raportet ndërmjet pushteteve kryesore, përsosjen e modelit qeverisës e forcimin e rolit dhe hapsirës vendimmarrëse të qytetarëve.
Sipas FRD, reforma kushtetuese duhet të ecë në dy drejtime themelore. Së pari dhe, në mënyrë të menjëhershme, duhet rikthyer ekuilibri kushtetues i prishur me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 (e thënë ndryshe duhet shembur Republika e Katërt, ajo kryeministrore).

Për rrjedhojë, rishikimi i Kushtetutës për rikthimin e ekuilibrit kushtetues dhe rregullimin e mekanizmave që mbajnë në këmbë ndarjen dhe kontrollin e balancuar të pushteteve do të duhet të jetë uvertura e Parlamentit që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pra, një ndryshim i thellë i Kushtetutës si përpjekje serioze për t’iu përgjigjur kushteve aktuale, antarësimit të Shqipërisë në NATO, proçeseve të pritshme të antarësimit të vendit në BE, janë sfidat e para me të cilat do të duhet të përballet në fillim të funksionimit të tij Parlamenti i ardhshëm.

Fryma e Re Demokratike, si forcë progresiste, do të japë ndihmesën e saj në tempullin e ardhshën të demokracisë, duke ofruar opcionet e saj për të themeluar Republikën e 5-të, që do të funksionojë si një shtet i vërtetë ligjor, për të ringjallur shpresën e humbur të qytetarëve te shteti i sotëm prej letre.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe zgjerimi i të drejtës për të votuar, për të realizuar në mënyrë transparente e praktike parimin kushtetues të barazisë së votës, që u mundëson qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë dhe garanton qendrueshmëri në mirëqeverisje, merr një rëndësi të madhe për ngritjen e themelit të shtetit të ardhshëm shqiptar.

Për këtë, FRD me programin e saj propozon pjesëmarrjen në votim të të gjithë shtetasve shqiptarë me të drejtë vote, kudo që ndodhen, në Shqipëri apo jashtë saj; mundësimin e votimit elektronik në të gjithë vendin, si hap me rëndësi për transparencën dhe efikasitetin e procesit zgjedhor; ndryshimin ligjor për të mundësuar administrimin civil e shtetëror të zgjedhjeve, jashtë ndikimit të partive politike; ndryshimin kushtetues dhe ligjor për të mundësuar zhvillimin e referendumeve kombëtare e lokale, për çështje me interes publik dhe në përputhje me modelet më të mira të vendeve perëndimore.

Gjithashtu FRD e shikon ndryshimin kushtetues për të mundësuar zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës me votë popullore, si mundësi për t’i dhënë kreut të shtetit autoritetin e duhur shtetëror dhe mbështetjen publike si figurë e unitetit kombëtar.

Po ashtu, reduktimin me Kushtetutë të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë, nga 140 në 100 deputetë, FRD e shikon të mundshëm dhe efikas për funksionimin e organit më të lartë të shtetit.

Edhe kufizimin kushtetues që, kryeministri të qendrojë jo më shumë se dy mandate në detyrë dhe uljen e kompetencave të tij të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, FRD i shikon si veprime në dobi të funksionimit të një republike parlamentare të tipit perëndimor. Në kushtet e Shqipërisë një ndryshim i tillë do të ishte garanci për stabilitet dhe do të krijonte kushtet reale për konkurencë të lirë dhe rotacion demokratik.

Papajtueshmëria e funksionit të deputetit me atë të antarit të Këshillit të Ministrave, (kjo, e vjedhur si dhe opcione të tjera programore të FRD nga parti të tjera) do të çonte në forcimin e rolit kontrollues të pushtetit legjislativ mbi atë ekzekutiv.

Edhe ndryshimi kushtetues për të zgjeruar kompetencën e zgjedhjes me shumicë të cilësuar në parlament të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe ndryshimi ligjor për të reformuar financimin elektoral të partive politike e subjekteve elektorale, për të mundësuar transparencë reale periodike sipas kërkesës së Kushtetutës së Shqipërisë, janë për FRD tepër të rëndësishme për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor të aspiruar nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Pjesë e paketës së reformave institucionale të FRD, janë edhe propozime konkrete për ndryshime kushtetuese e ligjore, që prekin një numër të madh institucionesh aktuale shtetërore e publike. Nga këto, reformën antikorrupsion, FRD e konsideron mision historik të saj për sjelljen e një fryme të re në mirëqeverisjen e vendit përmes ndryshimeve ligjore, administrative dhe etike, të cilat do të rrisin përgjegjësinë e politikës ndaj qytetarëve, duke vendosur në krye të axhendës interesin e madh publik.

Në paketën antikorrupsion, FRD parashikon ashpërsimin e dënimeve penale për vepra korruptive të zyrtarëve të çdo niveli, kufizimin për promovim në poste politike e publike, si dhe largimin nga administrata publike të çdo zyrtari të dënuar nga gjykata për vepra korruptive, ndryshimin e proçedurave të emërimeve të zyrtarëve publikë mbi bazën e aftësisë dhe në luftë të ashpër me rastet e konfliktit të interesit dhe nepotizmit.

Dhe në fund (sigurisht jo për nga rëndësia), reforma në sistemin gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e drejtësisë për të rritur transparencën publike, nxitjen e profesionalizmit e pavarësinë nga pushteti politik dhe sidomos lufta ndaj korrupsionit të madh që ua ka ulur së tepërmi besimin te qytetarët, do të përbëjnë shtyllat kryesore programore të FRD në parlamentin e ardhshëm.

NË VEND TË MBYLLJES

Nëse në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, shqiptarëve u janë ofruar vetëm alternativat (jo programore) e dy partive të vjetra, përmes premtimeve të bujshme e pa doganë, shpresojmë më në fund që votuesit shqiptarë tanimë të shërohen nga sëmundja e zgjedhjes së të keqes më të vogël ndërmjet këtyre dy mundësive të diskredituara e përgjegjëse për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Eshtë koha që zgjedhësit shqiptarë të ndahen nga këto dy alternativa të vjetra që kanë funksionuar me moton e vënies së pushtetit mbi shtetin dhe të shikojnë e mbështesin alternativën e re të FRD, që u ofron shtetin ligjor me moton: “Ligji mbi gjithçka dhe të gjithë të barabartë para ligjit”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)