Reshat Kripa: Ne 15-vjeçarët që hidhnin trakte kundër Enver Hoxhës (VIDEO-FOTO)

Tre djem 15-vjeçarë, në Vlorën e vitit 1951, kishin krijuar një organizatë antikomuniste me emrin “Atdhetari” dhe ishin betuar ta luftonin regjimin komunist me armët që ata kishin në dorë: trakte frymëzuese, me thirrje të drejtpërdrejta që synonin t’u hapnin sytë shqiptarëve për rreziqet e komunizmit. Njëri prej tyre Reshat Kripa, sot 83 vjeç e ka rrëfyer historinë e rrallë, në emisionin “Dosja K”.

Siç rrëfen Reshat Kripa, falë këtij aksioni të pazakontë, qyteti i tyre shpesh zgjohej me trakte të ngjitura mureve, ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist. Përmbajtja e tyre ishte aq e guximshme dhe thirrjet aq të drejtpërdrejta sa që askush nuk mund ta besonte se ato ishin vepër e një grupi fëmijësh. Këta tre djem, secili me një histori të veçantë pakënaqësie ndaj regjimit të Enver Hoxhës ishin betuar para flamurit pa yll, se do të frymëzonin një lëvizje të gjerë popullore për rrëzimin e regjimit.

Mbrëmjeve vonë, në lagje të ndryshme të qytetit, ata ngjisnin në mure traktet që i shkruanin vetë me shkronja shtypi për të mos u njohur. Për Sigurimin e Shtetit, kjo ngjarje ishte alarmuese. Hetimet e tyre mund të lidheshin me grupe kundërshtarësh të fuqishëm, por kurrsesi asnjë pistë e hetimeve nuk do t’i çonte tek këta 14-15 vjeçarë. Kjo derisa një natë dikush i zbuloi...

Ishte maj i vitit 1951. Djemtë kishin shpërndarë trakte e bërë thirrje për afro 5 muaj, që nga janari e deri në maj të atij viti. Natën e arrestimit, në hetuesi, Reshat Kripës i kishin kapur edhe një trakt në xhep, të cilin ai nuk kishte mundur ta shpërndante…

Veç kësaj të gjithë traktet e tyre që nga i pari e deri tek i fundit, Sigurimi i Shtetit i kishte arkivuar gjatë ditëve të hetimeve. Pas arrestimit, siç dëshmon Reshat Kripa, të tre djemtë ishin torturuar në hetuesi për më shumë se 6 muaj. Ai tregon se gjatë torturave çuditërisht nuk e pyesnin për traktet dhe aktivitetin e organizatës së tij, por e pyesnin se ku i kishte fshehur babai i tij tregtar, florinjtë.  Tre djemtë u gjykuan në tetor të vitit 1951  nga Gjykata Ushtarake e Durrësit dhe për shkak të moshës minorene, u dënuan nga 5 vjet heqje lirie Reshat Kripa dhe Myrteza Baboçi dhe me 3 vjet Jorgo Basho.

Por çfarë shkruanin kundër komunizmit, këta tre djelmosha, në traktet e tyre? Shkëputur nga dokumentari “Reshat Kripa, djaloshi i trakteve antikomuniste”, po sjellim disa prej këtyre trakteve të guximshme.Trakte të shkruara nga Reshat Kripa në muajt shkurt –maj 1951, arkivuar në dosjen gjyqësore të Myrteza Baboçit, Reshat Kripës dhe Jorgo Beshos, gjykuar në Gjykatën Ushtarake të Durrësit

 ***

Shokë

Duke pasur flamurin kuq e zi të Skënderbeut të ngrihemi që të gjithë të luftojmë për lirinë e grabitur.Të ngrihemi të shpëtojmë nga zgjedha e Hoxhës së vogël dhe xhelatit Mehmet Shehu.Përpara!

Për Shqipëri, për liri për flamurin kuq e zi!

 ***

Vëllezër dhe motra

Zgjohuni prej gjumit të rëndë të robërisë. Shikoni shtypjet që po ju bëhen  prej barbarëve komunist.

Shikoni tmerret, krimet, vrasjet dhe torturat që po bëhen sot në çdo anë të Shqipërisë.

E ardhmja e jonë do të jetë e lumtur në rast se ju ngriheni për të luftuar!

Atdhetari

 ***

Thirrje

Shokë!

Luftoni për liri për jetën e lumtur. Mos kini frikë nga vdekja se pse kush e bën veten për atdhe nuk ka vdekur por ka le.Poshtë Stalini dhe Satelitët e tij, poshtë duhanxhiu Enver Hoxha, poshtë satrapi Mehmet Shehu.

Poshtë partia Pseudo-Komuniste

Atdhetari

***

Thirrje

Shokë Atdhetarë!

Gjer kur do të duroni këtë robëri!

Shikoni jetët e lumtura që po bëjnë vendet e perëndimit.

Përse jo dhe neve të bëjmë një jetë të tillë?

Poshtë partia pseudo-komuniste

Atdhetari

***

Poshtë partia Komuniste.Rroftë nacionalizmi dhe Anglo-Amerikanët mësonjësi jonë.

Poshtë Stalini dhe Enveri dhe këlyshët e tyre

Poshtë komunizmi

Mos u besoni komunistëve, ata ju gënjejnë. Luftoni për liri nëse doni të përqafoni burrin tuaj, djalin tuaj ose vëllanë tuaj në një të ardhme të afërt tek ju, në shtëpinë tuaj në tokën tuaj të lindjes.

Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë, ata vrasin më të mirët nga ne për të na kallur frikën për të na vënë në gjumë por ne nuk ju përulemi këtyre të poshtërve. Vrajini këto mizoret të mallkuar, më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri…

Atdheu është në rrezik. Traktet e atdhetarit do t’ju tregojnë të vërtetën sado e hidhur që të jetë për Shqipërinë tonë e vërteta do të triumfojë!

Vdekje barbarëve pseudo-komunistë...

Atdhetari

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • FATMIRI: 13/02/2019 14:42

    PO ÇA JAN KETA TRIMA QE NA DALIN TANI KAM BER KESHTU E ASHTU FUND E KRYE GENJESHTRA KENI HEDHUR K ....N TIM DHE JO TRAKTE O MASHTRUSA UBETE TRIMA MBASI IKU AI REGJIM SE PO TE ISHTE AKOMA AI REGJIM SDO FIGURONIT SI EMER DHE SFO UNJIFTE KUSH KESHTU MIS NA ÇANI BY**EN ME KETO BUDALLALLEQE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen