VLORE - Një ditë pas rreshjeve të dendura, qyteteti bregdetar i Vlorës është zgjuar i përmbytur në disa nga lagjet kryesore. Kamera e A1 Report është gjendur në kryqëzimin e lagjes 24 Maji, aty ku edhe problemet janë më të dukshme për shkak të bllokimit të kanalizimeve.
 
Qytetarëve të cilët kanë biznese në anë të rrugës i është dashur të largojnë ujin i cili gjatë natës ishte futur në ambjentet e brendshme të subjekteve duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ndërsa në një gjendje edhe më të rënduar shfaqet situata në rrugë, të cilat janë shndërruar në të pakalueshme për njerëzit.
 
Edhe pse ishte premtuar nga vendorët se Vlora nuk do të përballej më me situata të tilla, pamjet e këtij mëngjesi tregojnë të kundërtën.
 
Moti i keq gjatë ditës së djeshme solli edhe pezullimin e lundrimit detar në qytetin e Vlorës, ndërsa disa fshatra patën edhe mungesë të energjisë elektrike.

permbytje vlore
permbytje vlore
(Në foto: Përmbytjet nga rreshjet e dendura)
Foto të tjera



Rrëshqitje dherash në Gjirokastër
Ndërkohë probleme lidhur me motin e keq ka pasur në disa rrethe të vendit, kryesisht rrëshqitje dherash në zonën e Gjirokastrës.

Fryrja e lumit Drino ka shkaktuar probleme më qarkullimin në hyrje të qytetit të gurtë, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren për normalizimin e situatës.



Fier, pezullohet mësimi në shkollën 9-vjeçare, mbushet nga uji
Probleme me reshjet e dendura ka pasur edhe në qytetin e Fierit, teksa si pasojë e mosfunksionimit të kanalizimeve janë regjistruar përmbytje të rrugëve në disa pjesë të qytetit.

Pamjet e fokusuara nga kamera e televizionit A1Report i përkasin shkollës 9-vjeçare “Jani Bocova” në këtë qytet. 



shkolla e permbytur
Uji ka tejmbushur oborrin e kësaj shkolle, çka ka sjellë pezullimin e mësimit.
 
Reshjet, probleme edhe në Durrës
Reshjet e orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë sjellë një sërë problemesh edhe në qytetin e Durrësit.

Mosfunksionimi i rrjetit të kanalizimeve ka bërë që uji të vërshojë mbi rrugë dhe trotuare duke shkaktuar mjaft dëme për bizneset që ndodhen në katet e para të pallateve.

Problematike situata është në zonën e njohur si shëtitorja e vogël, zonën ë e stacionit të trenit dhe lagjet periferike pranë stadiumit “Niko Dovana”