Pas tre vitesh restaurimi dhe rikualifikimi, Muzeu Etnografik i Beratit ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj.
Ndërhyrjet restauruese u realizuan nga Qendra Muzeore Berat në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës. Projekti përfshiu restaurimin e koleksioneve muzeale, konservimin e objekteve arkeologjike dhe trajtimin e veshjeve origjinale etnografike për mbrojtjen e tyre afatgjatë.
Punimet u shtrinë edhe në strukturën e ndërtesës monument kulture të kategorisë së parë. U restauruan çatia, sistemi i kullimit të ujërave, elementet mbajtëse prej druri, si dhe u përforcuan muret dhe dyshemetë, duke ruajtur autenticitetin e objektit.
“Sot kemi kënaqësinë ta inaugurojmë dhe ta hapim për publikun. Ky nuk do të jetë një muze statik, por një muze i gjallë, me aktivitete të vazhdueshme që promovojnë traditën, zejet, folklorin dhe trashëgiminë kulturore. Muzeu Etnografik i Beratit rikthehet si një pjesë e rëndësishme e ofertës turistike dhe kulturore të qytetit”, tha Gonxhja.
Muzeu ruan rreth 1300 objekte që pasqyrojnë kulturën, traditat, zejet dhe mënyrën e jetesës së beratasve ndër shekuj. Me rimuzealizimin, ndriçimin e ri dhe hapësirat e restauruara, ai synon të ofrojë një përvojë më bashkëkohore për vizitorët.
Rihapja e Muzeut Etnografik konsiderohet një investim i rëndësishëm në trashëgiminë kulturore dhe turizmin, duke forcuar më tej rolin e Beratit si një nga destinacionet më të vizituara dhe më të veçanta të Shqipërisë.
Komente











Shume lajm i bukur. Respekt per gjithe ata qe punuan dhe realizuan kete muze frymezues dhe krenarie kombetare.
Përgjigju