Retrospektivë/ Si i zeroi Enver
Hoxha borxhet ndaj të huajve

Retrospektivë/ Si i zeroi Enver <br />Hoxha borxhet ndaj të huajve
TIRANE - Ndaj BRSS, Kinës dhe vendeve të tjera, Shqipëria u ka mbetur në borxh në vlerën e 5,5 miliardë dollarëve. Për t’u çliruar, Hoxha ka kërkuar një mjet thellësisht revolucionar: në vitin 1976, në momentin e izolimit konceptual, Kuvendi futi në Kushtetutë një klauzolë që i ndalonte qeverisë shqiptare, marrjen e çdo lloj borxhi nga jashtë.

Në zbatim të Kushtetutës, të gjitha borxhet e mëparshme, thjesht u deklaruan “nul”. Dhe cilado nga qeveritë e huaja vinte për të reklamuar detyrimet e vjetra, e shihte veten të kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.

Kjo është fraza e cila më së shumti, ngjan se shfaqet për herë të parë dhe me një rëndësi absolute edhe për ditët e sotme, që na përcillet nga një raport i mediave të vendit fqinj në anën tjetër të Adriatikut, në vitin 1984.

Frane Barbieri, një ish-gazetar e analist i të mirënjohurës italiane “La Stampa”, me origjinë kroate, e ka përcjellë le të themi më thellë se të gjithë ish-kolegët e tij, atë që mendonte se po ndodhte me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, duke na sjellë përtej informacioneve, edhe interpretime ndoshta të padëgjuara më parë.

Sigurisht se ai flet në raportin e tij më shumë për valën e fundit të ndëshkimeve që Hoxha kishte ndërmarrë, pasi merr vesh shumë detaje në lidhje me fatin e ish-krerëve të lartë të shtetit nga librat me kujtime që vijonin të botoheshin me ritëm shumë të lartë në vitin ‘84.

Kjo i bën në fakt shumë përshtypje saqë përbën edhe shtysën pse po e shkruante këtë artikull. Vetkuptohet çështjet e tjera ai i zhvendos në plan të dytë, por për ne, nga perspektiva e sotme, pasi kemi dëgjuar e diskutuar kaq shumë për çështjen “Shehu” e “Hazbiu”, “Balluku” e “Jakova”, “Xoxe” e “Ngjela”, “Gega” e “Belishova”, ajo që merr papritur vëmendjen absolute, janë pikërisht frazat e sipërpërmendura që lidhen me një vendim të ditur të ish-regjimit të vjetër, për çështjen e ndalimit me Kushtetutë të borxheve ndaj të huajve, por që në prapavijë, sipas pikëpamjes së gazetarit Barbieri, paskësh pasur në fakt një manovër për të mos njohur e paguar borxhet e trashëguara që shteti shqiptar u kishte marrë sidomos BRSS, Kinës, por edhe ish-vendeve të Lindjes e atyre të Perëndimit. Madje edhe më interesant është kërcënimi që i detyronte borxhdhënësit të “mbyllnin gojën”.

Duke kursyer komentet e tepërta, ju ftojmë të lexoni artikullin e gazetarit të “La Stampa” ( shih: Spettri nel Palazzo di Tirana, 28 janar 1984, fq. 3) nga i cili janë hequr pjesët e vlerësuara jo të rëndësishme nga pikëpamja aktuale.

                                                                            * * *
Zgjidhet misteri pas trimuajsh nga purga e Hoxhës

FANTAZMA NË PALLATIN E TIRANËS
Shefi shqiptar ka kaluar në plumb thuajse të gjithë qeverinë – mbase mbyllet kështu çështja e ish-kryeminstrit “të vetvrarë” Shehu: a ishte i njeti kryetar që vrau “vëllain e madh” gjatë gjatë një darke? – Dy gra në lojë për pushtetin – Ndalohen me ligj borxhet ndaj të huajve - Lindja dhe Perëndimi vazhdojnë të subvencionojnë autarkinë e vendit, duke shpresuar se do të eliminojnë njëra-tjetrën

                                                                        * * *

Në gazetari ndodh rrallë që të bëhesh merak e të merresh me një fakt tri muaj pasi ai ka ndodhur. Por në këtë rast, lajmi duket se hedh dritë në atë pikë sa ia vlen të merresh. Në nëntorin e shkuar, gazeta “Macedonia” e Selanikut raportonte informacione të rrëfyera nga të arratisurit më të fundit nga Shqipëria.

Flisnin për një spastrim të ri në radhët e qeverisë së Tiranës: Ministri i Mbrojtjes Hazbiu, Ministri i Brendshëm, Feçor Shehu, Ministri i Shëndetësisë, Ziçishti dhe njëri ndër shefat e sigurimit, janë shkarkuar nga postet e tyre të larta e më pas janë gjykuar e pushkatuar. Asnjë komunikatë zyrtare nuk e konfirmonte lëvizjen më të fundit të shefit të shtetit shqiptar, Hoxha.

Verifikimi mundi të bëhej, siç ndodh shpesh në rastet shqiptare, me kalimin e kohës. Në tri muaj, zyrtat qeveritare nuk kanë bërë ndonjë përgënjeshtrim të lajmeve të përhapura në Perëndim. Për të zbuluar se “agjentë të huaj” janë eliminuar, të duhet të hapësh me shumë gjasa librin më të ri me kujtime të vetë Hoxhës që doli në qarkullim këto ditë, i 40 ndër vëllimet e tij të deritanishëm.

Librat e mëparshëm kishin ofruar të vetmin informacion dhe interpretimin e vetëm zyrtar të fatit të drejtuersve që kanë shoqëruar të gjitha fazat e historisë socialiste të Shqipërisë. Duke pritur veprën e 41-të, tashmë duket e kompletuar panorama e ngjarjeve të fundit.

SHEHU, NDOSHTA KËRKONTE HAPA MË LIBERALË

Përpos katër funksionarëve të gjykuar, ka të dënuar edhe me 25 vjet burg: Fiqirete Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit dhe drejtoreshë e Shkollës së Partisë; Nesti Nase, ish-Ministri i jashtëm dhe Ziçishti, Sekretar i parë i Partisë së rrethit të Durrësit. Gjithçka tregon se bëhet fjalë për aktin e fundit, sipas të cilit u eliminua numri dy i regjimit, Mehmet Shehu.

"Në një nga librat e tij më të fundit me kujtime, Enver Hoxha përshkruan se si kishte zbuluar në krahun e tij të djathtë një agjent të trefishtë të shërbimeve të huaja; amerikan, sovjetik e jugosllav. Shehu paskësh marrë urdhër nga padronët e tij (dmth nga KGb dhe UDB-ja) për të vrarë Emnver Hoxhën.

I zbuluar në momentin e fundit, gjatë një mbledhje të Byrosë Politike, Shehu do të vetvritej për të mos zbuluar “komplotin e imperialistëve e revizionistëve”. Versioni i përgatiutur në fakt për kanalet diplomatike, është një tjetër: Shehu, që mbante postin e dytë kryesor në hierarkinë udhëheqëse qysh nga viti 1950, qëkurse u likujdua titisti Xoxe, e që kryesonte Këshillin e Ministrave për më shumë se 25 vjet, do të ketë hyrë në kundërshti me Hoxhën, në lidhje me orientimet që preknin politikën e jashtme e atë të brendshme.

Shehu këmbëngulte për një orientim më liberal, një hapje të maturuar pikësëpari ekonomike e kulturore, ndaj vendeve të tjera, dhe në politikën e brendshme, duke ushtruar masa më të lehta represive ndaj qytetarëve..; Hoxha këmbëngulte përkundrazi për autarkinë strikte politike ideologjike dhe ekonomike dhe propozonte një reduktim të të mirave të fundmit të mbetura në përdorim vetjak të shqiptarëve, dukje vijuar me kolektivizimin.

DIVERGJENCAT MES ZONJAVE HOXHA-SHEHU

Në kontrast me dy “vëllezërit e mëdhenj” (siç përdorej dikur) në Shqipërinë socialiste tashmë ishin ndjerë divergjencat mes tyre, .. por dhe ato mes dy bashkëshorteve të tyre. Zonja Hoxha, e cila drejton Institutin e Studiemeve Marksist-Leniniste, këmbëngulte në tezën e të shoqit, sipas të cilës, Tirana kishte mbetur e vetmja qendër revolucionare në botë, depozita ku mbahej monopoli i të vërtetës marksiste; zonja Shehu përkundrazi, këmbëngulte se mendimi shqiptar kishte nevojë për të marrë kontakt me rryma të tjera revolucionare, dhe edhe të mësonte prej tyre.

Diskutimet u mbyllën me ç’duket, me dënimet më të fundit. Për ta provuar këtë, na vjen në ndihmë lajmi se edhe dy djemtë e kryeminstrit të vetvrarë, Shehu, tashmë janë arrestuar e burgosur, respektivisht me 17 e 20 vjet secili. ..Të paktën sipas kujtimeve të Hoxhës, kjo është e katërta valë e madhe spastrimesh që ka përfshirë nivelet e larta të Tiranës zyrtare.

HOXHA-HRUSHOVIT: NE, VRASËS NË EMËR TË MARKSIZMIT!

Në libër Hoxha përshkruan diku edhe dialogun me Hrushovin. Shefi sovjetik i thotë në lidhje me eliminimn e disa drejtuesve të lartë: Ju shqiptarët jeni si Stalini, doni vetëm të vrisni!”. Hoxha pohon me kënaqësi:”Po, vrasim në bazë të marksizëm–leninizmit të gjithë tradhëtarët!”.

Anekdota në fjalë hedh dritë edhe mbi një koncept tjetër të shprehur nga Hoxha në diskutimin e fundmit me përfaqësuesit e popullit të ardhur nga të gjitha anët për t’a uruar për 75-vjetorin e lindjes: “Themi dhe konfirmojmë se jemi i vetmi vend në botë që ndërton socializimin”. Që i përgjigjet konceptit, të pakonkurrueshëm në Shqipëri, sipas të cilit, volumi i socializimit i korrespondon cilësisë së dhunës së aplikuar në ndërtimin e tij.

SËMUNDJA E HOXHËS DHE PASARDHËSI

Lajmet mbi sëmundjet e Enver Hoxhës nuk janë konfirmuar. Zgjatja e valës së fundit represive si dhe agresiviteti e këmbëngulja me të cilën i eliminoi drejtuesit që praktikisht mbanin në dorë levat e pushtetit, bëjnë që në të njejtën kohë të përgënjeshtrohen thashethemet mbi shëndetin e tij, por edhe të tregohet se shefi karizamtik po përgatitet për të lënë pas pasardhësin. ..Mbetet të shohim se si do të mbijetojë një vend i cili përpos burgosjes së qytetarë të vet, është i vetëburgosur në përballje me pjesën e mbetur të botës.

BORXHI SHQIPTAR, 5.5 MILIARDË DOLLARË

Ndaj BRSS, Kinës dhe vendeve të tjera, Shqipëria u ka mbetur në borxh në vlerën e 5,5 miliardë dollarëve. Për t’u çliruar, Hoxha ka kërkuar një mjet thellësisht revolucionar: në vitin 1976, në momentin e izolimit konceptual, Kuvendi futi në Kushtetutë një klauzolë që i ndalonte qeverisë shqiptare, marrjen e çdo lloj borxhi nga jashtë. Në zbatim të Kushtetutës, të gjitha borxhet e mëparshme, thjesht u deklaruan “nul”.

Dhe cila nga qeveritë e huaja vinte për të reklamuar detyrimet e vjetra, e shihte veten të kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Një shantazh që ka funksionuar perfekt me të gjithë, në lidhje me ata që pas Hoxhës duan të jenë prezentë në Tiranë.

TË GJITHË, NË RRJETËN E HOXHËS

Përkundrazi, si Lindja ashtu dhe Perëndimi, duke hyrë në lojën e Hoxhës, i kanë siguruar kredi të reja në forma të kamufluara duke improvizuar këmbime me një qeveri, e cila në princip nuk njeh dhe nuk ruan rregullat e vjetra tradicionale të tregtisë ndërkombëtare.

Të gjithë janë të gatshëm të mbështesin këtë ekonomi të brishtë autarkike: Franca, Italia dhe Gjermania, Jugosllavia dhe të gjitha vendet komuniste të Lindjes, pa dallim. Është tërhequr vetëm Kina, vendin e së cilës pothuajse menjëherë po duan ta zenë BRSS dhe aleatët e tij: KNER-i, (Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke) në fakt mbulon nga viti 1980, 45,2 për qind të këmbimeve të brendshme shqiptare (megjithëse edhe pa u zgjidhur akoma problemi i borxheve të vjetra me to). Interesi i qeverive të ndryshme për Shqipërinë e tejklalon mosinteresimin që Hoxha dëshiron të kultivojë në përballje me botën.

AUTORI

Kush është Frane Barbieri?

Frane Barbieri (1923 - 1987) një gazetar e publicist kroat, i angazhuar në gazetën vendase "Vjesnik" në vitet 1951-1953, në rubrika të shumta. Shkroi artikuj, korrespondenca e analiza mbi vendlinjen dhe vendet e tjera, duke u angazhuar si bashkëpunëtor edhe me gazetat e mirënjohura italiane "Il Giornale" dhe "La Stampa".

Në fund të viteve ’70 dhe vitet ’80, vihet re një aktivitet i konsiderueshëm i tij në lidhje me korrespondencat e analizat për vendin e shqiptarëve dhe situatën politike e të ardhmen e saj në gazetat italiane. Në vitet ’80, ai arriti të nderohej edhe me marrjen e çmimeve gazetareske për kontributet e tij. Vdiq në Torino, në vitin 1987.

HAPI I RADHËS

Çfarë mbetet më për t’u spastruar?

Në Sofie .. i kanë kushtuar shumë vëmendje interpretimit të komenteve të gazetave shqiptare, pikësëpari atyre që drejtohen kundër Jugosllavisë. Kështu iu është dhënë shumë hapësirë protestave shqiptare ndaj manovrave ushtarake jugosllave në Maqedoni, të cilat zhvillohen po aq larg Shqipërisë, sa edhe ndaj Bullgarisë.

Për çdo rast madje është sjellë në vëmendje edhe “Traktati i miqësisë dhe i Bashkëpunimit mes Shqipërisë e Bullgarisë“ (i vetmi i pashfuqizuar nga Tirana pas prishjes me aleatët lindorë). Nga Praga pastaj ka mbërritur një ftesë në formë urimi për përmirësim marrëdhëniesh dhe rigjallërimin e raporteve “vëllazërore e socialiste”, çuditërisht pak ditë pas një kritike të dhunshme shqiptare që përkujton ndërhyrjen sovjetike në Çekosllovaki.

Më të angazhuar në këtë operacion duket megjithatë se janë vietnamezët. Ambasadori i Hanoit ishte i vetmi që ka marrë kontakt direkt me Enver Hoxhën. Gazetat e partisë kanë dhënë lajm për herë të parë, duke vënë në dukje mbështetjen e ngrohtë të shokut Enver në luftën e Vietnamit kundër pushtuesve të huaj (aludimi është qartazi ndaj Kinës).

Janë hapat e parë të një loje të vogël e delikate, që premton pasoja edhe të mëdha e të pallogaritshme. Shqipëria e Hoxhës deri sa të jetë “I vetmi vend socialist në botë“ që do të krijojë shqetësime; do të bëhej njëri ndër vendet e shumta të bashkësisë socialiste që do të trazonte bazamentet edhe kështu të brishta të Ballkanit e Mesdheut.

Për të njohur evoluimin e lojërave të ndërlikuara shqiptare, do të duhet me gjasa të pritet një valë e re spastrimesh të krerëve të lartë. Gjithnjë, nëse Enver Hoxha do ketë lënë më gjë pa pastruar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.03.2103

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor,  OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore