Politikanët në Shqipëri po duken edhe më të gëzuar për fitoren e Magyar, sesa vetë hungarezët?! Një sërë politikanësh e shikojnë reaksionin zinxhir para syve dhe madje kjo që ndodhi në Hungari, do të ndodhë medoemos edhe në vende të tjera dhe madje në Ballkan e në Shqipëri! Ndër ta, një ngazëllim i madh ka kapur politikanë të ndryshëm të opozitës, të cilët kulmojnë me z. Sali Berisha për fitoren e konservatorit-liberal hungarez. Si zakonisht, Tritan Shehu një nga politikanët më të vjetër të PD-së e ka theksuar në postimin e tij, duke nënvizuar të Djathtën që zë si spektër partia TISZA, anëtare e PPE-së, “për konservatorizmin social, familjen e Evropës së Bashkuar”. Nuk ka qëndruar më pas, kolegia e tij, ish-Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali që ka reaguar madje edhe më shpejt, por në një prizëm tjetër. “Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur”, shkruan ligjvënësja socialiste.

Në fakt, optimistët nuk e kanë parë me aq kujdes se nga nisi rrugëtimi i tij. Nuk ishte se Magyar ndryshonte shumë nga Orban deri pak muaj më parë, por pushteti i pamat i kryetarit të tij, nisi t’i mërzitej dhe t’i sfidohej, kur ai, si politikan dhe individ duke ia parë dobësitë vendosi t’i dilte përballë. U mbush më karburantin e lodhjes së hungarezëve për pushtetin e gjatë autokratik të Orbanit dhe sidomos një sistemi të gjerë të pasfidueshëm në shërbim të tij. Dhe, fjalia e Maguar në momentin e shkëputjes, mund të shërbejë si nisje, për ata që duan të sfidojnë në vendet e tyre dhe në Shqipëri. “Unë e di si funksionon sistemi”, i kumtoi ai publikut, kur nisi rrugëtimin, duke mos e ndarë veten me këtë sistem, por duke propozuar për ta ndryshuar, atëherë kur sistemi ishte më i fortë se kurrë.

Nuk është rasti i dy funksionarëve të lartpërmendur, sepse i pari dhe kur donte ta sfidonte pushtetin e PD-së dhe arriti ta bënte deridiku nën drejtimin e partisë së z. Pollo, u kthye sërish nga u nis me besnik se kurrë (!); ashtu si zonja Spiropali që as nuk do të belbëzonte nëse do të vazhdonte të ishte në postin e kryediplomates shqiptare. Nuk do harrohet stigma që kryeministri drejtoi ndaj dikasterit të saj, duke lavdëruar vetëm zonjën dhe portierin\en (!) dhe heshtja e saj që nuk pati as kurajën më të vogël ta ngrinte zërin në respekt të brezave të tërë diplomatësh që kanë punuar e punojnë për Shqipërinë e Kosovën dhe pa u ndjerë…për të mëdhenjtë si Rama & Co.

Ndërsa kandidonte kundër regjimit të krahut të djathtë të Orbán, zyrtar i të cilës ishte, Maguar kuptoi se nga do ta niste aventurën e tij: shmangu partitë tradicionale të sa Majtës dhe të Djathtës, sepse njësoj si në Shqipëri zhgënjimi me to ishte i madh. Ashtu si tek ne, kur me të Majtën në Shqipëri (përfaqësohet nga PS) për shkak të konsumimit të pushtetit, kurse e Dyta (e mban fuqinë PD-ja) për shkak se nuk do të ndryshojë.

Jo më kot, ndërsa opozitës dhe PD-së ia dha mundësia disa herë të sfidonte dhe të rinovonte ndryshimin në zgjedhje lokale, ajo gati i braktisi, kurse Maguar në zgjedhje më potenciale si ato evropiane, duke përdorur platformë moderne kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, arriti me TISZA-n e tij (Partia e Respektit dhe Lirisë) të fitonte gati 30% të votave në zgjedhjet evropiane, duke siguruar madje shtatë eurodeputetë dhe duke iu bashkuar komunitetit të Partive Popullore Evropiane (PPE) të Qendrës së Djathtë.

Në ditët tona, ai ka kuptuar edhe vokacionin ndaj Brukselit, duke mos iu bindur verbërisht kryeburokracisë së hirtë të BE-së, por duke e cilësuar veten dhe duke sfiduar si një “konservator sovran”. Një akt, nga i cili asnjë individ shqiptar në politikë nuk e percepton, duke pasur parasysh dobësinë e vendit tonë ndaj të huajve dhe rolin e tyre. Jo më kot, ne ndryshuam dhe Kushtetutën, që të na ndihnin ata në Vetting (!). E më shumë akoma, në Shqipëri lajmet marrin pjesën më të madhe edhe për një veprim të thjeshtë të Brukselit, ndërsa politikanët tanë përpiqen o ta nxijnë vendin e tyre kur janë në opozitë në korridoret e BE-së; o të rendin të kenë sa më shumë prezencë të zyrtarëve të saj në foto me liderët e BE-së, për të justifikuar rrugën evropiane.

Magyar nuk është se do t’ia shtrojë udhën Brukselit, paçka ngazëllimit të madh të BE-së, i cili është i justifikuar me atë rrugë që bëri Viktor Orban. Kryeministri i ri do të vazhdojë të jetë i thartë në të ardhmen, sa i përket emigracionit, një politikë që nuk e ndan shumë nga paraardhësi i tij. Edhe ai ka premtuar të mbështesë kontrollet e rrepta kufitare dhe kufizimet e tjera për ta.

Ndërkohë që BE-ja, e cila është gjithë sy e veshë për mënyrën sesi do të funksionojë djali plëngprishës, ka mundësi që tashmë të lirojë kredinë për 90 miliardë eurosh të bllokuar për Kievin, pasi Magyar ia premtoi këtë hap. Ashtu, si atij i duhet të ndihë një kohezion ndryshe social, krejt ndryshe nga Orban për atë që kërkon BE-së për sundimin e ligjit. Shpërblimi: Tashmë Hungaria mund t’i marrë 6.4 miliardë eurot në fondet e rimëkëmbjes, gjë që do ta nxiste ekonominë e Hungarisë dhe do ta shtynte më tej fitoren e tij. Ndërsa Shqipëria është e varur dhe nga humori më i thjeshtë i BE-së dhe politikat e saj.

E sa për politikën tonë, krahasimi është i pamundur edhe më larg. Berisha ka pushtet të plotë te PD-ja dhe rruga sërish drejt poltronit të kryetarit është thjeshtë procedurë rutinë. Kurse, modelin hungarez, që ua përcolli kolegëve për ndihmën e inteligjencës artificiale mbetet shumë old fashion.

Kryeministri Rama është nga ana tjetër një figurë de jure moderne, ku integrimin e ka qëllimin kryesor duke e personalizuar deri në absurd (“Shqipëria 2030 në BE! Vetëm me Edin dhe PS”) dhe me një estetikë politike mbresëlënëse, por me një pushtet gati ushtarak te PS. Shteti modern i tij, sot, bashkon mungesën e zërit vërtet alternativ në parti (në një aktivitet ua kujtoi këtë pa cinizëm vartësve por thartë), propagandën e pamatë dhe një administratë ku ngadhënjimi i mediokritetit të arsimuar është pushtet. Rama mbetet një administrator i mirë, për kushtet e PS-së dhe logjikën ku e ka çuar të Majtën që tashmë flet vetëm me zërin e tij, por i dobët në performancë.

Këtu është edhe pika e tij më e dobët. Atje, ku kërkohet një bilbilfryrës, si Peter Maguar, tek Partia e tij nuk mund të gjendet askush, në kohën dhe vendin e duhur, atje vazhdohet akoma me simbolika politike dhe metafora, gjë që do të thotë se ndryshimi është larg. Në PD nuk ka ose bilbilfryrësit janë të pafuqishëm. Ata që e dinë si funksionon sistemi, nuk flasin se janë të mbathur mirë me privilegje. Ndaj rasti i Magyar, që u ngjit nga roli i bilbilfryrësit mbetet larg për Shqipërinë. Por mbi të gjitha mungon një rol si ai i hungarezit të thjeshtë, që e ngriti armën edhe kundër komunizmit, atëherë kur ishte utopi. Ne, ende nuk e kemi atë individ që e njeh si është sistemi dhe do ta ndryshojë… për bashkëkombasit e tij.