TIRANË- Kësaj radhe kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të publikojë me emra atë që po sulmojnë me review negative bizneset e turizmit në Shqipëri. Shefi i qeverisë ka publikuar një video ku dallohen review-et negative (vlerësimet) për një nga atraksionet më të vizuara në vendin tonë, Kalanë e Rozafës në Shkodër. Janë një grup profilesh online që kanë dhënë vlerësime negative në 24 orët e fundit për shërbimin në një bar te kalaja e Rozafës dhe të gjithë në 'sinkron' kanë vendosur vetëm një yll në review-et që kanë dhënë.

Disa prej profileve dhe vlerësimeve që kanë dhënë

Antonela Balloshi: Restoranti më i keq që kam qenë ndonjëherë në jetën time.

Destan Meta: Ushqimi ishte i ftohtë, shërbimi jo aq i keq. Kur u afrova afër gazhinës kishte erë shumë të rëndë.

Pandi Qirjo: Erre e keqe dhe ambient skandaloz

Carlotta Miku: Shërbim i keq, mos shkoni atje.

Genti Lasku: Ushqimi shum i urryer dhe shum piset si vend

Adis Kaceli: Restoranti mbante erë peshqish të ngordhur. Koha e pritjes: 30-60 min... më shumë

Rama shkruan se me këto komente po shkatërrohet turizmi dhe i bën thirrje Prokurorisë që të veprojë, duke i quajtur komentuesit "dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendi".

“PO ME KALANË E ROZAFËS çfarë keni o patriota apo ta shkatërrojmë sa të mundemi turizmin, se duhet t’i përzemë të huajt dhe të kthehemi tek koha kur hanim njëri-tjetrin ëëë?!

Uroj që prokuroria të veprojë një orë e më parë me këta dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendi”, shkruan Rama.

Një ditë më parë, kryeministri Rama tha se me ndihmën e Google, faqeve të sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh.

Policia tha se identifikoi mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, shumica të reja, nga të cilat gjatë ditëve të fundit jepnin vetëm përshtypje negative për bizneset vendase për të dëmtuar reputacionin online të tyre

Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Skënder Hita paralajmëroi se nëse një aktivitet i tillë provohet se është i qëllimshëm, personat e përfshirë do të përballen me vepra penale, në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.