Deputetja e PS, Briseida Çakërri ishte e ftuar këtë të hënë në ‘Sot Live në Shqipëri’, ku komentoi rreth protestave që po mbahen më shumë se një muaji në kryeqytet. Deputetja thotë se fillimisht protesta nisi me kërkesa qytetare, por pastaj vijoi me politike. Këtë të fundit ajo e shikon edhe si një arsye se përse protesta është tkurrur.
“Protesta nisi me kërkesa qytetare dhe pastaj vazhdoi me politike. Pas kësaj filloi edhe tkurrja. Por politika nuk bëhet në rrugë. Ne i kemi kërkuar që të ulen në tryezë, por ata nuk kanë bashkëpunuar”, tha ajo.
Ndërkohë për Endri Tafanin, gjithshtu i ftuar në studio tha se kërkesat politike janë të pashmangshme.
“Nuk dihet si mund të vijojë protesta. Janë disa gjëra që janë vështirë të parashikohen dhe është mirë që të ketë një zgjidhje para se protesta të degjenerojë. Unë nuk jam dakord me ndarjen kërkesë qytetare dhe politike, sepse nuk bën sens”, tha Tafani.
“Mazhoranca ka në vëmendje të plotë kërkesat e qytetarëve. Në fillim ata i largonin nga mikrofoni përfaqësuesit që merren me politikë”, theksoi Çakërri.
Tafani nga ana tjetër nuk e mohoi se në bulevard ka edhe anëtarë poltikë dhe që kjo protestë mbështetet nga opozita, përderisa kërkohet rënia e qeverisë.
“Aty ka edhe qytetarë por edhe anëtarë të partive politike. Kjo politikë që bëhet në bulevard a mbështetet nga opozita? Patjetër përderisa kërkohet rënia e qeverisë. Mendoj se ata të rinj që dalin aty nuk kanë për ta votuar në të ardhmen Edi Ramën”, tha ai.
Çakërri nënvizoi se njerëzit nuk duhet t’i bëjnë analizë Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama, por të kthejnë sytë edhe nga opozita, që ajo e sheh si shkaktare të tkurrjes së protestuesve.
“Në vend që t’i bëjmë analizë të PS dhe Ramës do të ishte më mirë t’i bëjmë analizë PD ose një partie tjetër. Mendoj se tkurrja e protestuesve në shesh i atribuohet opozitës. Opozita matet me votë ashtu si mazhoranca. Mezi pres të shoh se çfarë vendi do të zënë partitë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, tha ajo.
Tafani ndërkohë shprehet se qytetarët po kërkojnë një Shqipëri të re, dhe sipas tij protesta i ka dhënë efektet e saj.
“Njerëzit janë në mënyrë reflektimi se ku po shkon Shqipëria. Rama e ka humbur gjeneratën Z. Rama nuk ngre dot frymë te këta njerëz të rinj. Po kërkohet Shqipëri e re. protesta e ka impaktin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Protesta e ka dhënë efektin në Vlorë, u çlirua Kakome-ja. Se sa do të jetë ky efekt do të matet me votë”, tha ai.
Sa i përket investimit prej katër milionë eurosh për koncertin e Kanye West, deputetja nënvizoi se fondi i dhënë nuk ishte nga ai i emergjencave.
"Nuk ishte fond i emergjencave, por fond i marrë për ngjarjet e paparashikuara. Investimi u bë për imazhin e Shqipërisë. Atë natë të gjithë sytë e botës ishin nga ne", tha ajo
Tafani e kundërshtoi duke u shprehur se ato lekë mund të ishin përdorur për shëndetësinë.
"Me ato lekë mund të ishin marrë skaner për QSUT. Ne kemi prioritet shëndetësinë dhe arsimin. U dhanë 4 milionë euro për një koncert dhe nuk jepen një million euro për PET Scan për të sëmuërt me kancer. Ta ketë Kosova dhe mos ta ketë Shqipëria", tha ai.
Për review-t negative ndaj bizneseve, Tafani tha se policia nuk ka pse të angazhohet nëse, pronarët nuk kanë bërë kallëzim.
"Ajo është çështje private, nuk ka pse të angazhohet fare policia shqiptare. Nëse policia të angazhohet, bizneset duhet ta kallëzojnë", tha ai.
Ndërkohë deputetja e PS, tha se këto review kanë dëmtuar bizneset, duke theksuar se jemi në kulmin e sezonit turistik.
"Nuk bëhet fjalë për një biznes, por për shumë. Ata janë sulmuar me etiketimin se jeni me qeverinë. Patjetër që do të ndërhyhej, veçanërisht në sezonin turistik. Kështu e mendoni Shqipërinë e re duke e dëmtuar. Nuk është kjo Shqipëria e re", tha ajo.
Komente










