Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas të dhënave se rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet nivelit rekord prej 8 miliardë eurosh.

Sipas Tabakut, kjo shifër tregon se ndërhyrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, përmes blerjes së sasive të mëdha të euros, nuk kanë arritur ta ndalin zhvlerësimin e monedhës europiane. Për deputeten demokrate, kjo dëshmon se forcimi i lekut nuk mbështetet tek ekonomia reale, por lidhet me flukset informale dhe pastrimin e parave.

“Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet 8 miliardë eurove. Kjo është një garanci financiare për vendin, por edhe dëshmi se ekonomia shqiptare nuk është e shëndetshme”, shkruan Tabaku.

Ajo sjell në vëmendje se, ndonëse ekonomia u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit 2026, sektorët prodhues vijuan të dobësohen. Industria dhe energjia ranë me 2.2%, ndërsa bujqësia u tkurr me 0.5%. Sipas saj, rritja ekonomike po mbështetet kryesisht tek administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi.

“Kemi rritje në statistikë, por realisht kemi dobësi në sektorët që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende pune të qëndrueshme”, thekson deputetja e PD-së.

Tabaku paralajmëron se zhvlerësimi i euros po godet drejtpërdrejt eksportuesit, fasonerinë dhe industrinë prodhuese. Bizneset marrin më pak lekë për çdo euro të fituar, ndërkohë që pagat, energjia, transporti dhe taksat vazhdojnë të paguhen në lekë.

Në të njëjtën situatë ndodhen edhe fermerët shqiptarë, të cilët përballen me konkurrencën e importeve nga vende ku bujqësia subvencionohet dhe mbështetet më shumë. Sipas Tabakut, tkurrja e bujqësisë po shoqërohet edhe me zbrazjen e vazhdueshme të zonave rurale.

Deputetja demokrate nënvizon se familjet shqiptare humbasin dyfish: nga dobësimi i bizneseve, vendeve të punës dhe të ardhurave, por edhe nga fakti se euroja më e lirë nuk reflektohet plotësisht në çmimet e konsumit.

“Gati 40% e buxhetit të konsumit të një familjeje shqiptare shkon vetëm për ushqime. Ndërkohë, çmimi tavan i naftës arriti në 191 lekë për litër në qershor. Ky është paradoksi shqiptar: rezerva valutore arrin rekord, ndërsa familja mbetet pa rezervë në fund të muajit”, shprehet Tabaku.

Në përfundim, ajo akuzon qeverinë se ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon ndërtimin, importet dhe privilegjet, në vend të prodhimit dhe konkurrencës.

“Është një model etatist dhe klientelist: socialist në taksa e kontroll, kapitalist vetëm në privilegje. Për sa kohë ky model vazhdon, goditjet mbi ekonominë reale dhe familjet shqiptare do të vazhdojnë”, përfundon Tabaku.