Nga paraburgimi, presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, përshëndeti rezolutën e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, e cila dënoi ndjekjet penale të motivuara politikisht siç evidentohej, ndaj Sali Berishës, Fatmir Mediut, dhe vetë atij.

Përmes një reagimi në rrjetin social, Meta shkruan se rezoluta denoncon pengimin që po i bën Edi Rama vendit drejt Bashkimit Europian, përmes presionit politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët.

Ai thotë se në vendin tonë "pasi arrestohesh dhe pasi shpallesh fajtor si terrorist në kafaz me 5 yje, fillon dhe gjykohesh".

“Mirënjohje të thellë për Bashkimin Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), organizatën globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, për vëmendjen e posaçme ndaj Shqipërisë dhe për miratimin e një rezolute të rëndësishme, e cila pasqyron me realizëm dhe përgjegjësi gjendjen e rënduar dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend.

Falënderim për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për denoncimin e qartë të pengesave që Narkoregjimi i Edi Ramës i ka vënë këtij procesi, përmes kapjes dhe kriminalizimit të shtetit, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës.

Mirënjohje e veçantë për delegacionin shqiptar, të kryesuar nga lideri i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, për përfaqësimin në Forumin e IDU, si dhe për evidentimin e rastit “Meta” si një shembull skandaloz të shkeljes flagrante të lirive themelore, prezumimit të pafajësisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që mishërohen në praktikën kriminale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës, ku dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh", shkruan Meta.


Lajmi kryesor:

Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë miraton rezolutën e propozuar nga PD: Ndjekjet penale ndaj Berishës, Metës e Mediut, të motivuara politikisht