Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Serbinë, në të cilën vlerëson se vendi po ngec në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian për shkak të përkeqësimit në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe përafrimit me politikën e përbashkët të Jashtme dhe të sigurisë të bllokut evropian.
Në rezolutë shprehet keqardhje që detyrimet kryesore të Serbisë, të përfshira në një dokument joformal (non-paper) të nëntorit të 2024, që synonte heqjen e pengesave të mbetura për hapjen e Kapitullit 3, kryesisht nuk janë përmbushur. Në këtë kontekst, PE-ja dënon retorikën nxitëse të Qeverisë së Serbisë ndaj shteteve anëtare që nuk e mbështetën hapjen e Kapitullit 3.
PE-ja thekson se besueshmëria e procesit të zgjerimit duhet të ruhet përmes zbatimit të vazhdueshëm të kushteve të rrepta dhe të drejta, duke njohur njëkohësisht përpjekjet për reforma kur ato ekzistojnë.
Rezoluta rikujton se Serbia deklaron se anëtarësimi në BE është objektiv i saj strategjik, por konstaton se zotimet e shprehura shpesh nuk janë shoqëruar me hapa konkretë. Në dokument thuhet se kjo mospërputhje kërkon një sqarim të qartë të orientimit evropian të Serbisë dhe u bëhet thirrje autoriteteve që me veprime konkrete të dëshmojnë përkushtim të qëndrueshëm ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, si dhe konsistencë në angazhimin për anëtarësim në BE.
“Parlamenti Evropian përsërit se Ballkani Perëndimor, në kontekstin aktual gjeopolitik, ka rëndësi strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së në tërësi. Ai thekson se Serbia, për shkak të madhësisë dhe pozitës së saj gjeopolitike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe dënon përpjekjet e saj për krijimin e sferave të ndikimit dhe aktivitetet që cenojnë sovranitetin e shteteve fqinje”, thuhet në rezolutë.
PE-ja i bën thirrje Serbisë që të dëshmojë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme orientimin e saj gjeopolitik drejt Bashkimit Evropian, përfshirë përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht me masat kufizuese të vendosura për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, PE-ja shpreh shqetësim se Serbia ende nuk është përafruar plotësisht me këtë politikë dhe shpreh keqardhje që niveli i saj i harmonizimit është ndër më të ulëtit mes të gjitha vendeve kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.
Në këtë kontekst, rezoluta përsërit se përafrimi i plotë është një kusht i padiskutueshëm për anëtarësim. Parlamenti Evropian thotë se mirëpret përafrimin e fundit të Serbisë me disa vendime të Këshillit të BE-së, por thekson se një përafrim selektiv nuk është i mjaftueshëm.
PE-ja po ashtu shpreh keqardhje për vazhdimin e marrëdhënieve të afërta dhe thellimin e partneritetit të Serbisë me Rusinë, duke vlerësuar se kjo ngre dyshime për orientimin e saj strategjik dhe dëmton besueshmërinë e rrugës evropiane.
Në rezolutë theksohet se e ardhmja evropiane e Serbisë kërkon një zgjedhje të qartë strategjike dhe se politika e balancimit mes Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë nuk është në përputhje me besimin politik që pritet nga një vend kandidat.
Autoriteteve në Beograd u bëhet thirrje të përmbahen nga mesazhet publike dhe veprimet që janë në kundërshtim me qëndrimet kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Deputetët evropianë shprehin shqetësim për investimet ruse dhe kineze në Serbi dhe ndikimin e tyre në rritje mbi proceset politike dhe ekonomike në rajon. Po ashtu, dënohet ndërhyrja e huaj ruse në Serbi, duke rikujtuar se Serbia përdoret në mënyrë aktive si platformë rajonale për përhapjen e dezinformatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për vazhdimin e forcimit ushtarak të Serbisë, i cili shoqërohet me retorikë gjithnjë e më të ashpër ndaj shteteve fqinje, thellimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes me Kinën, përfshirë stërvitjet e përbashkëta të njësive speciale, zgjerimin e marrëveshjeve strategjike dhe praninë në rritje të teknologjive kineze të sigurisë dhe mbikëqyrjes".
"Dënohet ashpër blerjen e fundit të raketave balistike kineze ajër-tokë CM-400AKG, duke paralajmëruar se një armatim i tillë cenon ekuilibrin rajonal të sigurisë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me vendet anëtare të NATO-s. Një blerje e tillë bie ndesh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ngre pyetje serioze për orientimin gjeopolitik të Serbisë”, thuhet në rezolutë.
Parlamenti Evropian po ashtu dënon faktin që Serbia është shndërruar në një bazë për aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës në Evropë dhe shpreh shqetësim të madh për raportet e besueshme se ajo është bërë një qendër e rëndësishme operative për aktivitetet hibride dhe destabilizuese të Rusisë, përfshirë organizimin e provokimeve, nxitjen e tensioneve etnike dhe fetare në shtetet anëtare të BE-së, si dhe trajnimin dhe dërgimin e individëve për veprime destabilizuese në Evropë dhe në rajonet fqinje.
Autoriteteve serbe u bëhet thirrje që urgjentisht të hetojnë, parandalojnë dhe ndjekin penalisht aktivitete të tilla.
Negociatat e anëtarësimit
Përmes rezolutës, Parlamenti Evropian shpreh keqardhje që Serbia ka shënuar përparim të kufizuar ose aspak përparim në përmbushjen e kritereve në një numër të madh kapitujsh negociues për anëtarësim në bllok.
PE-ja përsërit se negociatat e anëtarësimit mund të përparojnë vetëm pasi Serbia të përafrohet me politikën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe të arrijë përparim të matshëm dhe të qëndrueshëm në fushën e sundimit të ligjit, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së medias, reformës së administratës publike dhe funksionimit të institucioneve demokratike.
Nga Komisioni Evropian kërkohet që çdo përkeqësim serioz të reflektohet në shkallën dhe intensitetin e ndihmës financiare para anëtarësimit.
Parlamenti Evropian përsërit shqetësimin për atë që e cilëson si qasje toleruese të Komisionit Evropian ndaj Serbisë, pavarësisht se thotë e ka pasur përkeqësimit për shumë vjet në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, si dhe ndikimit destabilizues të Serbisë në rajon.
PE-ja i bën thirrje Komisionit Evropian që të mbrojë më me vendosmëri vlerat themelore të BE-së, duke përdorur një gjuhë më të qartë ndaj Serbisë dhe duke vënë qartazi në dukje mangësitë e saj serioze, mungesën e përparimit dhe regresin.
Gjithashtu, Parlamenti Evropian paralajmëron për përpjekje të mundshme të Serbisë për të ngadalësuar përparimin evropian të shteteve fqinje dhe i bën thirrje Beogradit që ta harmonizojë më tej politikën e vizave me listën e vendeve, shtetasve të të cilave u nevojitet vizë për hyrje në BE.
Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për mbështetjen e ulët të anëtarësimit të Serbisë në BE, duke vlerësuar se kjo është rezultat i “narrativit manipulues shumëvjeçar kundër BE-së, të përhapur nga mediat që janë nën kontrollin e autoriteteve, si dhe nga disa zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të partisë në pushtet”.
Serbisë i bëhet thirrje që të luftojë dezinformimin, përfshirë ato që lidhen me agresionin rus kundër Ukrainës, të ndalojë fushatat e veta të dezinformimit të mbështetura nga shteti dhe të promovojë një orientim të qëndrueshëm dhe konstruktiv evropian.
Në të njëjtën kohë, Bashkimit Evropian i bëhet thirrje që të forcojë bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile në Serbi, me qëllim rritjen e rezistencës demokratike dhe luftimin e kërcënimeve hibride.
Miratimi i rezolutës përkon me diskutimet mes shteteve anëtare të BE-së për mundësinë e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, përkatësisht hapjen e Kapitullit 3.
Para votimit, të martën, më 7 korrik, u zhvillua një debat në Parlamentin Evropian, gjatë të cilit komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, shpjegoi rekomandimin e Komisioni Evropian për hapjen e Kapitullit 3 me Serbinë, duke vlerësuar se nuk duhet lejuar që një vend të mbetet prapa në procesin e integrimit evropian, ndërsa kandidatët e tjerë përparojnë.
Shumica e eurodeputetëve që morën pjesë në debat kundërshtuan hapjen e Kapitullit 3.
Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht dhe as politikisht detyruese për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian apo për institucionet evropiane./ REL
Komente




