Kryetari i grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibej ka depozituar amandamente për Projekt-rezolutën e propozuar nga PS-së kundër raportit të Dick Marty-t për luftën në Kosovë. Në amandamentet e propozuara nga PD kërkon që të shtohet edhe dënimi i gjenocidit serb ndaj Kosovës.
‘Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Lënda: Amendamente për Projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Drejtuar: Sekretariati për Procedurat dhe Votimet
Të Nderuar Anëtarë,
Me Urdhërin Nr. 65, datë 19.07.2022, kryetarja e Kuvendit Znj. Lindita Nikolla ka urdhëruar mbledhjen e Kuvendit në seancën plenare të datës 21.07.2022, ora 10:00. Në pikën 3 të rendit të ditës është përcaktuar shqyrtimi i “Projektrezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Kjo projektrezolutë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datën 18.07.2022 nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste. Pas shqyrtimit në Komisionit për Politikën e Jashtme, projektrezoluta është miratuar dhe i ka kaluar për shqyrtim seancës plenare. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur këtë projektrezolutë, ashtu sic ka bërë me cdo dokument a akt tjetër që i vjen në ndihmë konsolidimit shtetit të Kosovës. Megjithatë, ne vlerësojmë se kjo projektrezolutë është e paplotë, prandaj do të propozojmë dy amendamente për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Neni 99, pika 3 e Rregullores së Kuvendit përcakton se “Amendamentet me shkrim për projektrezolutën ose projektdeklaratën duhet të jenë të regjistruara në Sekretariatin për Procedurat dhe Votimet 24 orë para kohës së caktuar për zhvillimin e debatit dhe t’u jenë shpërndarë deputetëve. Pas përfundimit të debatit të përgjithshëm, autori i amendamentit ka të drejtë të paraqesë propozimin e tij për jo më shumë se 5 minuta dhe çdo deputet ka të drejtë të diskutojë deri në 5 minuta për amendamentin e paraqitur.”
Në zbatim të dispozitës së sipërcituar, në vijim po paraqesim amendamentet për Projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Konkretisht, pas pikës 16, kërkojmë shtimin e pikës 16/1 me përmbajtje si më poshtë vijon:
16/1. Duke pasur parasysh deklaratat e fundit publik të Dick Marty se po kërcënohet nga “elementë radikalë serbë” me ekzekutim me qëllim përfundimtar fajësimin e njerëzve “nga Kosova për këtë”, cka rikonfirmon përpjekjet e mëtejshme për ta njollosur të vërtetën dhe UÇK-në.
Në vijim pas togfjalëshit “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, të shtohet një paragraf me përmbajtje si vijon:
Duke konstatuar se Republika e Serbisë po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë, duke u fshehur pas sajesave, të cilat kërkojnë të paraqesin para botës viktimin për agresor, Kuvendi i Shqipërisë dënon genocidin, spastrimin etnik dhe masakrat e kryera nga ushtria serbe me urdhër të Sllobodan Milloshevicit mbi civilët e pafajshëm të Kosovës.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin. KRYETARI Enkelejd ALIBEAJ’- thuhet në njoftimin e PD-së.
Lajmi kryesor: