DOKUMENTI/ Arrihet dakordësia mes opozitës dhe mazhorancës për rezolutë të përbashkët për Kosovën, zbardhet drafti final që do miratohet në Kuvend

Opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord për një projekt-rezolutë të përbashkët që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës. Drafti i plotë është zbardhur disa orë përpara se Kuvendi të mbajë një seancë të posacme për Kosovën të enjten me 5 orë debat dhe që pritet të finalizohet me votimin e rezolutës që mbështet plotësisht rezolutën e Kuvendit të Kosovës. 

Sot PS-ja është tërhequr nga versioni i saj i rezolutës dhe ka pranuar rezolutën e përbashkët e cila parashikon mbështetjen plotësisht të Rezolutës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023; hetimin ndërkombëtar dhe nxitjen për të vijuar dialogun me qëllim final njohjen e pavarësisë së Kosvës nga ana e Serbisë. 

Në këtë mënyrë, Shqipëria unifikon plotësisht qëndrimin me Kosovën, duke bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 24 Shtatorit dhe duke bërë gjithçka që të ketë një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë.

DRAFTI FINAL I REZOLUTËS 

Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;

Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

·         Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;  

·         Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

·         Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Arritjen e dakordësisë me opozitën për Rezolutën kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, e quan lajm të mirë. Përmes një deklarate, Çuçi thekson se kur vjen puna për Kosovën, “PS ka një qëndrim të qartë pavarësisht blofit të dalë boje apo kurtheve të politikës së vjetër për luftën e brendshme. Kurse PD e Lulzim Bashës ka kërkuar që kjo rezolutë të pasurohet me 3 amendamente të propozuara prej saj.

Në seancën e posaçme që zhvillohet nesër deputetët do të bëjnë 5 orë debat, mes të cilave 160 minuta i përkasin PS dhe 75 Partisë Demokratike. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama që pritet t’i drejtohet Kuvendit me fjalën e tij dhe të ribashkohet vetëm për votimin e rezolutës. Por seancës do t’i mungojë propozuesi i rezolutës së njehsuar me atë të Kosovës, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili u përjashtua bashkë me 7 deputetë të tjerë. Në pikëpyetje është vetëm vota e grupit të deputetëve pro-Basha, të cilët menjëherë pas publikimit të rezolutës së përbashkët, shprehën rezerva.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
Deputetët e Bashës: Kemi përgatitur 3 amendamente për të korrigjuar rezolutën për Kosovën të përgatitur nga Rithemelimi dhe PS

Pas publikimit të rezolutës së përbashkët për Kosovën, mes opozitës dhe maxhorancës, PD e Lulzim Bashës ka kërkuar që kjo rezolutë të pasurohet me 3 amendamente të propozuara prej saj. PD zyrtare kërkon që në rezolutë të shtohet kërkesa ndaj vendeve të BE që nuk e njohin Kosovën, ta ndërmarrin këtë hap, revokimin e masave shtërnguese ndaj Kosovës si dhe masa ndëshkuese për Serbinë, lidershipi i së cilës është angazhuar në akte që cënojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon, thuhet në kërkesën e deputetit Kreshnik Çollaku.

Reagimi i Çollakut

Edhe pse nen shtrengimin e kohes jashtezakonisht te kufizuar (pasi vetem prej disa oresh jemi njohur me draftin e dakordesuar Rithemelim-Ps) draft i cili dakordeson palet te heshtin per Kosoven dhe te verteten e saj,per rrezikun qe i kanoset nga Serbia..,ne keto ore te vona kam pergatitur tre amendamente ne perpjekje per te korrigjuar Rezoluten e “tre fjalive” te pergatitur nga Rithemelim -PS,ne perpjekje per ti dhene ze me te forte Rezolutes qe do te duhet te miratoje Parlamenti i Shqiperise per Kosoven.

————————

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Nr.________ Prot.

Tiranë, më 11/10/ 2023

DREJTUAR:​Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

​​​Kryetare Lindita Nikolla

PËR DIJENI:​Komisionit për Politikwn e Jashtme

​​​Kryetare Mimi Kodheli

BAZA LIGJORE:​ Nenet 10/1, pika 1 gërma e); 71, pika 1; 99, pikat 3 dhe 4 të Rregullores së Brendshme të Kuvendit të Republikës së Shqipêrisë, miratuar me vendimin nr. 166, datë 16.12.2004.

E nderuar Znj. Kryetare

Jemi vënë në dijeni nga shtypi mbi tekstin e projekt rezolutës që parashikohet si pjesë e rendit të ditës për seancën plenare të datës 12.10.2023.

Bazuar në faktin që kjo projekt rezolutë nuk është parashtruar për shqyrtim nga Komisioni për Politikën e Jashtme, apo ndonjë Komision tjetër i përhershëm i Kuvendit, duke cënuar në këtë mënyrë mundësinë e parashikuar nga neni 71 i Rregullorës së Brendshme të Kuvendit për paraqitjen e amendamenteve në Komision; në faktin që teksti i rezolutës nuk na është vënë në dispozicion me qëllim paraqitjen e amendamenteve sipas parashikimeve të pikës 3 të nenit 99 të Rregullores së Brenshme të Kuvendit; me qëllim ushtrimin e të drejtave që Rregullorja sanksionon për deputetin, dhe me synimin për të dhënë një kontribut në përmirësimin e tekstit të projekt rezolutës po Ju dërgojmë amendamentet e mëposhtme për t’u parashtruar për diskutim në seancën plenare të datës 12.10.2023.

Kërkojmë që në tekstin e projekt rezolutës të përfshihen amendamentet si vijon:

- Parlamenti i Shqipërisë i bën thirrje 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, 4 prej të cilave edhe anëtare të NATO-s, që deri më sot nuk e njohin Kosovën të hedhin këtë hap të rëndësishëm, jo vetëm për Kosoven por për paqen e stabilitetin në Ballkan dhe Europë. Kjo do t’i hapte rrugë Kosovës të nisë proceset e anëtarsimit në NATO dhe do t’i mbyllte çdo hapësirë Serbisë dhe vendeve si Rusia qe e perdorin ate per destabilizimin e rajonit.

- Parlamenti i Shqipërisë i kërkon Bashkimit Europian revokimin e masave shtrënguese ndaj Kosovës ,pasi në kushtet aktuale ato po dëmtojnë në menyrë të padrejtë qytetaret e Kosovës. Ngjarjet e 24 shtatorit kërkojnë në reflektim edhe nga Bashkimi Europian në raport me Kosovën siç e ka theksuar dhe ndermjetesi europian Lajçak

- Parlamenti i Shqipërisë bazuar në fakte të pakundërshtueshme për rolin e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit ndaj shtetit të Kosovës i kerkon Bashkimit Europian qëndrim të qarte dhe masa ndëshkuese ndaj Serbise, lidershipi i së cilës është angazhuar në akte dhe veprime që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ora 19:19
'Rithemelimi dhe PS, dakordësi për të mos thënë gjë', Dash Sula i përgjigjet Çollakut: Kosova nuk mund të përdoret për lojë politike të ditës

1697045155_1675709529dashnorsula.jpg

Deputeti i PD Dash Sula i është përgjigjur kritikave të nënkryetarit të PD Kreshnik Çollaku në lidhje me rezolutën që dënon sulmin në veri të Kosovës. Ai nënvizon se Kosova nuk mund të përdoret për lojë politike.

"KOSOVA NUK MUND TË PËRDORET PËR LOJË POLITIKE TË DITËS! Prej 2 javëve në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy draft Rezoluta nga grupet parlamentare të PD dhe PS. Palët gjetën dakordësi sot për të dalë me një qëndrim të përbashkët, që në fakt është qëndrimi i institucioneve të Kosovës. Kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon. Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.

Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin. Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës. Drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës. Mbështetja e qëndrimeve të Kosovës është e vetmja rrugë për të qenë sot krah saj! Të tjerat janë “politikë dite”për t’u shfaqur që ekzistojnë", shkruan ai.

Ora 18:32
Rezoluta e përbashkët për sulmin në Veri, Çuçi: PS ka qenë dhe do të jetë konsistente në mbështetjen pa kushte ndaj Kosovës

1697042668_66666.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Bledi Çuçi ka përshëndetur miratimin e një rezolute të përbashkët mes PS dhe PD për Kosovën që pritet të miratohet në seancën e së nesërmes në Kuvend. Në një reagim në rrjete sociale Çuçi thekson se kur vjen puna për Kosovën, “PS ka një qëndrim të qartë pavarësisht blofit të dalë boje apo kurtheve të politikës së vjetër për luftën e brendshme". Ai shprehet se PS ka qenë dhe do të jetë konsistente në mbështetjen pa kushte ndaj Kosovës. 

"Lajm i mirë. Përpjekjet mazhorancë-opozitë për gjetjen e dakordësisë për Rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës u finalizuan me sukses. Arritëm të kemi një tekst të përbashkët, ku shprehim pa asnjë rezervë mbështetjen për Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. 

Pas votimit nga deputetët në seancën parlamentare, qeveria dhe institucionet e tjera shqiptare duhet të influencojnë dhe kërkojnë një hetim ndërkombëtar për sulmin dhe nxjerrjen sa më parë të autorëve përpara drejtësisë. 

Partia Socialiste tregon edhe njeherë se kur vjen puna për Kosovën ka një qëndrim të qartë, pavarësisht blofit të dalë boje apo kurtheve të politikës së vjetër për luftën e brendshme. Vijimësisht e kemi dëshmuar me vepra mbështejten pa asnjë ekuivok ndaj Kosovës, qoftë dhe duke plotësuar ndonjë tekë të opozitës si në këtë rast. PS ka qenë dhe do të jetë konsistente në mbështetjen pa kushte ndaj Kosovës", shprehet ai.

Ora 18:27
Rezoluta për Kosovën, nënkryetari i PD Kreshnik Çollaku: Rithemelimi dhe PS, dakordësi për të mos thënë asgjë

1697041917_KreshnikCollaku847x477.jpg

Nënkryetari i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku reagon i zhgënjyer për projekt rezolutën e përbashkët për të dënuar sulmin në Veri të Kosovës që pritet të votohet nesër në Kuvend. Sipas tij në rezolutë nuk janë trajtuar disa çështje të rëndësishme.

"Per turp. Rithemelimi dhe PS paskan rene dakort te kalojne nje Rezolute vetem me tre pika per Kosoven,ku njera prej te cilave eshte citimi i Rezolutes se Kosoves. Kosova ne rezoluten e saj aq ka mundur te thote. Pozicioni i Kosoves aq i brishte nderkombtarisht aq i ka lejuar te thote. Por Shqiperia,e njohur nderkombtarisht ne cdo institucion nderkombetar dhe te sigurise. Shqiperia antare e OKB,Shqiperia antare e Nato duhet te buciste per Kosoven e ne mbrojtje te Kosoves. E pra Shqiperia nuk ka ze per Kosoven. Shqiperia nuk ka ze per sulmin e Republikes se Serbise mbi Kosoven. Shqiperia nuk ka ze per trezikun e ndarjes se Kosoves. Kuvendi Shqiperise nuk ka ze per Njohjen Reciproke mes Serbise e Kosoves si elementi kyc i paqes ne Ballkan. Kuvendi i Shqiperise nuk ka ze per armatimet ushtarake ruse qe furnizohet Serbia. Kuvendi i Shqipërise nuk ka ze per bazat ushtarake ruse ne kufi te Kosoves. Kuvndi i Shqiperise nuk ka ze per te denoncuar Presidentin Vucic si nje kukull e Putin ne Ballkan,dhe drejtues i drejtperdrejte i planit te agresionit ushtarak ne Veriun e Kosoves. Kuvendi i Shqiperise nuk ka ze te denoncoje Serbine si nxitese konfliktesh dhe kercenuese e integritetit dhe stabilitetit te shteteve fqinje ne Ballkan ,si Kosova,Bosnie Hercegovina ,Mal i Zi. Kuvendi i Shqiperise nuk ka ze per asnje nga keto ceshtje. Kuvendi i Shqiperise ka vendosur te heshte,pasi Rithemelimi dhe PS kane dakordesuar per Te Mos Thene Asgje. Sot si deputet i ketij Kuvendi ndihem i turperuar per kete “Aleance te Heshtjes” ne dem te Kosoves dhe Paqes dhe Stabilitetit ne Ballkan", shkruan Çollaku.

Ora 14:41
Rezoluta në mbështetje të Kosovës, Tabaku: Kemi një dakordësi për të dalë me një të përbashkët, për këtë çështje duhet të jemi bashkë

Deputetja demokrate Jorida Tabaku u shpreh se ka informacion se do të dalin me një rezolutë të përbashkët për çështjen e Kosovës.

‘Duke qenë se kjo do jetë një seancë e veçantë e parlamentit, deputetët të cilët janë përjashtuar duhet të ishin pjesë e seancës sepse çështja e Kosovës duhet të na bashkojë. Heqja e të drejtës së tyre pëe të marrë pjesë në seancë është e padrejtë. Fjala një votë kundër nuk më pëlqen, sepse PD e ka dorëzuar e para rezolutën, s’ka lidhje se kush është rezoluta më e mirë, ky është një akt mbështetjeje. Nga informacionet e fundit, unë kuptoj që do kemi një dakordësi me tekstin e rezolutës dhe shpresoj që për këtë të mos ketë debat politik siç ndodh rëndom.’- tha Tabaku.

B.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja