Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti, ka prezantuar rezultatet e punës për muajin maj 2026, duke bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 264 vepra penale, nga të cilat 260 janë zbuluar, ose 98.4% e totalit.

Sipas Ahmetit, në këto ngjarje janë identifikuar 268 autorë të dyshuar, ku 69 persona janë arrestuar ose ndaluar, 190 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim. Krahasuar me muajin prill, numri i veprave penale është rritur me 90 raste.

Gjatë muajit maj janë finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar 14 persona. Operacionet kanë goditur kryesisht veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, kapjes së personave në kërkim dhe krimeve kundër pronës.

Në kuadër të këtyre operacioneve, policia ka sekuestruar 3.3 kilogramë kanabis, 11.3 gramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, tre armë automatike kallashnikov me 13 krehëra dhe 172 fishekë, një armë gjahu pa leje, një kallëp lëndë plasëse, si dhe 15.900 euro dhe 800 mijë lekë cash.

Policia ka trajtuar gjithashtu 161 konflikte gjatë muajit maj, nga të cilat 122 për motive të dobëta dhe 39 për çështje pronësie.

Në fushën e sigurisë rrugore, janë vendosur 11.132 masa administrative, ose 4.985 më shumë se një muaj më parë. Ndërkohë, janë regjistruar 14 aksidente rrugore, me pasojë 2 viktima, 1 të plagosur rëndë dhe 13 të plagosur lehtë.

Për shkelje të rënda të Kodit Rrugor janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, nga të cilët 34 janë arrestuar, ndërsa 25 janë hetuar në gjendje të lirë.

Sa i përket krimeve mjedisore dhe shkeljeve që cenojnë regjimin juridik të tokës, policia ka evidentuar 21 vepra penale me 21 autorë të dyshuar, të cilët janë proceduar penalisht.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të shtuara në territor, janë evidentuar 9 raste më shumë të ndërtimeve pa leje krahasuar me muajin e kaluar.

Drejtori Ahmeti theksoi se problematikat kryesore mbeten shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, dhuna në familje dhe prodhimi apo shpërndarja e lëndëve narkotike, veçanërisht pranë shkollave, duke garantuar se policia do të vijojë kontrollet dhe praninë e shtuar në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?