Nga të dhënat e fundit nga Tepelena raportohet se janë përfshirë nga flakët një sipërfaqe e madhe me pisha dhe shkurre, por aktualisht situata eshte vendosur ne kontroll.
Era favorizon zjarrin, ndërsa flakët po afrohen me shpejtësi drejt zonave të banuara. Zjarrfikësja dhe një helikopter kanë ndërhyrë dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
[gallery]23027[/gallery]
Drejtori i Ujësjellësit: Situata në kontroll
Në një lidhje për Report Tv, Drejtori i Ujësjellësit Arben Kaçorri u shpreh se situata është në kontroll dhe depoja e ujit nuk rrezikohet.
Ai u shpreh se helikopteri dhe zjarrfikëset po vijojnë aksionin për të shuar të gjitha vatrat që janë riaktivizuar mesditën e sotme në Tepelenë.
Zjarri filloi që në mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30, ndërsa vatrat e zjarrit ishin aktive deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, kur u desh ndërhyrja e helikopterit nga Tirana.
Rreth orës 05:30 ndërhyrja nga ajri bëri të mundur neutralizimin e flakëve të mbetura, por vetëm për disa orë pasi në mesditë vatrat u riaktivizuan sërish.
Nga zjarri nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara nga djegia e pishave janë të konsiderueshme.
Emergjencat: Tre vatra, në Gjirokastër u nis helikopteri
Rreziku i zjarreve vijon të mbetet i vazhdueshëm në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta.
Përgjatë orëve të fundit ka pasur 3 vatra zjarri në pyje në qarqet Gjirokastër dhe Dibër.
Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.
Emergjencat Civile bëjnë thirrje ndaj qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 ose në numrin 0694110198.
QARKU GJIROKASTËR
Vatra e zjarrit e nisur mbrëmjen e djeshme në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës është riaktivizuar sërish.
Emergjencat Civile kanë nisur një helikopter për shuarjen flakëve nga ajri pasi ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë.