30 shqiptarë që kishin shkuar për azil në Francë janë rikthyer në Shqipëri ditën e sotme nga autoritet franceze.

Të 30 shqiptarët janë shoqëruar për në Polici, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk kërkoi të fliste për kamerat, madje mbulonin edhe fytyrën.

I pranishëm në momentin e riatdhesimit ishte Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako dhe zv.ministrit i Brendshëm Stefan Çipa.

Zv.ministri i brendshëm u shpreh se shanset për azil në vendet e Bashkimit Evropian janë 0.

Ne e përsërisim disa herë si Ministri e Brendshme, si qeveri shqiptare, mënyra e aplikimit për azil në vendet e Bashkimit Evropian nuk miratohet për shqiptarët, sepse Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt. E thënë me fjalë më të thjeshta do të thotë se shanset e përfitimit nga shtetas shqiptarë të azilit ekonomik apo politik në hapësirën e vendeve të BE, janë zero”, tha Çipa.

Ndërsa Haki Çako tha se është krijuar një strukturë e veçantë për identifikimin e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Evropë.

“Gjej dhe njëherë rastin të shpjegohem se ne kemi vënë në dispozicion struktura të caktuara, në bashkëpunim me FRONTEX-in, për të identifikuar dhe për të riatdhesuar që të gjithë shtetasit që cenojnë normat”, është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

I pyetur nga Report TV Çako tha se po vijon procedura edhe për rikthimin e shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në Gjermani.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com