Ritëm dhe emocione përcollën artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Koncerti “Brez pas brezi” bashkoi emrat më të njohur të muzikës dhe valleve tradicionale shqiptare me artistët e rinj të ansamblit, me një program të pasur artistik, ku kënga, vallja dhe interpretimi instrumental rikthyen atmosferën autentike të folklorit shqiptar.  

Në skenë interpretuan këngëtarë të njohur si Irini Qirjako, Sabahete Vishnja, Fiqirete Kapo, Drita Makashi, Nora Muça dhe shumë artistë të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë e Ansamblit Popullor.

“Organizimi është shumë i bukur, e kanë menduar shumë bukur që të mblidhet gjithë grupi, të vjetër e të rinj. Një ribashkim shumë i bukur. Ne do japim nuancat e valleve këtyre profesorëve të mëdhenj si Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim Zekthi etj.”, tha valltarja Zhuljeta Manastirliu.

Në këtë mbrëmje u rikthyen edhe valltarë që prej vitesh jetojnë jashtë Shqipërisë, si Fuat Hyseneshi, i cili erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ishte një surprizë e jashtëzakonshme për mua me ftesën që më bëri teatri. Kam shumë nostalgji dhe emocion që u riktheva aty ku e nisa menjëherë pas bankave të shkollës. Është kënaqësi të shohësh që kjo traditë vazhdon brez pas brezi.”, tha Hyseneshi.

Emocionet e rikthimit në skenë i ndanë edhe artistët që kanë qenë pjesë e ansamblit për dekada. Ata vlerësuan ruajtjen e repertorit dhe trashëgiminë artistike që vazhdon të përcillet ndër breza.

“Emocioni është shumë i madh. Kanë kaluar 35 vjet, por rikthimi në skenë është i jashtëzakonshëm. Ato valle dhe ai repertor kanë rezistuar në kohë dhe kjo tregon vlerën e tyre.”, tha valltarja Lindita Kaimi.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i krijuar në vitin 1957, vijon të mbetet institucioni kryesor në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë folklorike shqiptare, duke sjellë në skenë pasurinë vokale, instrumentale dhe koreografike të të gjitha trevave shqiptare.