Richard Grenell i dërguari presidencial për misione të posaçme i Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ish-i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Albin Kurtit, duke e bërë atë përgjegjës për krizën politike në Kosovë dhe duke e përshkruar si një politikan që vetëm ankohet dhe krijon bllokada. 

“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave sikur që ka bërë sa ka qenë në opozitë. Ai qartësisht nuk di si të qeverisë, është i destinuar të jetë në periferi duke u ankuar. Në fakt, ai është më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat sesa të udhëheqë një qeveri””, tha Grenell në përgjigjen me shkrim për Gazetën Express.

Në intervistë, Grenell foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë. Grenell, i cili ka kërkuar publikisht lirimin e Thaçit që prej dërgimit të tij në Hagë, deklaroi se Perëndimi dëshiron që ish-presidenti të kthehet në Kosovë.

“Perëndimi do që ish-Presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri. Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës. Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”, tha Grenell.

Deklaratat e Grenell vijnë ndërsa në Kosovë vazhdon ngërçi politik dhe, paralelisht, pritet edhe verdikti i Dhomave të Specializuara për katër ish-figurat e UÇK-së që ndodhen prej gjashtë vitesh në proces gjyqësor. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se verdikti pritet më 16 shtator.